2026.03.15 cardinale Parolin ad Assisi

Kard. Parolin: të mëdhenjtë e Tokës të dëgjojnë britmën e atyre, që duan një botë të re

Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin në një intervistë me françeskanin Giulio Cesareo, drejtor i zyrës së komunikimit të Kuvendit të Shenjtë të Asizit, kujton se në “panoramën shqetësuese” të këtyre kohërave, nuk mungojnë “shenjat e shpresës”, njerëz që duan “një shoqëri të re” ku feja “ofron orientime konkrete, sidomos mbi temën e vëllazërimit”

R.SH. – Vatikan

Shenja "të zbehta" shprese, që megjithatë janë të pranishme në një botë të ndërlikuar, të përshkuar nga krizat dhe luftërat, ku nuk mungojnë njerëzit, që e ngrenë zërin dhe ku feja i kundërvihet tundimit të lehtë për t'u ndjerë i rrethuar vetëm nga armiq, sidomos falë dashurisë, që na ka mësuar Jezusi, i cili "bëhet gjithçka për të gjithë dhe përpiqet të ndërtojë një realitet paqeje".

Ky, reflektimi i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, i përfshirë në podkastin "Parole povere" në kanalin YouTube "San Francesco d'Assisi", publikuar më 1 prill. Intervista u krye nga françeskani Giulio Cesareo, drejtor i zyrës së komunikimit të Kuvendit të Shenjtë të Asizit, më 15 mars, kur kardinali kryesoi një meshë në Bazilikën e Epërme, me rastin e ekspozimit të jashtëzakonshëm të eshtrave të Shën Françeskut për 800-vjetorin e vdekjes së tij.

Shpresa e atyre, që nuk dorëzohen

Kardinali Parolin flet për një "panoramë shqetësuese", duke iu referuar gjendjes në pjesë të ndryshme të botës. "Nëse shikojmë përreth", pohon ai, "të gjithë jemi vërtet të shqetësuar për ç’po ndodh". "Por shenjat e shpresës”, nënvizon Parolin, “shihen pikërisht tek njerëzit, që nuk dorëzohen, që nuk e pranojnë në mënyrë pasive këtë realitet dhe thonë se një botë e re është e mundur, një shoqëri e re është e mundur, një mënyrë e re jetese dhe marrëdhënieje me të tjerët është e mundur".

Besimi në dashurinë e krishterë

Një mënyrë e re, që lind nga "një arsye e madhe për shpresë", shton Sekretari i Shtetit të VAtikanit, nga "feja jonë", e cila "jep orientime konkrete, veçanërisht mbi temën e vëllazërimit". "Përballë një bote të ndarë si e jona, ku ekziston rreziku të ndihesh i rrethuar vetëm nga kundërshtarë dhe armiq", pranon kardinali, "mesazhi që vjen nga Françesku, i cili i bën jehonë mesazhit të Jezu Krishtit, është t'i duam të gjithë, madje, edhe armiqtë. Vetëm nga kjo dashuri mund të marrim shpresë: një dashuri që bëhet gjithçka për të gjithë dhe përpiqet të ndërtojë një realitet paqeje".

Një britmë, që shndërrohet në veprim politik

Për kardinalin Parolin, krerët e Tokës nuk duhet ta bëjnë veshin shurdh para "britmës së protestës" së atyre, që nuk qëndrojnë pasivë përballë ngjarjeve të botës. Do të ishte e rëndësishme, thekson ai, që kjo britmë të shndërrohet "në veprim politik", por shton se udhëheqësit botërorë "nuk janë shumë të ndjeshëm dhe të vëmendshëm ndaj zërave, që ngrihen nga baza". Fakti që njerëzit nuk mësohen "me një mënyrë të caktuar jetese dhe nuk i konsiderojnë marrëdhëniet personale si të karakterizuara nga dhuna dhe shtypja” jep shpresë e kjo shpresë", vë në dukje kardinali, "vjen nga Ungjilli".

Shën Françesku, mesazh shprese

Duke u ndalur pastaj te Shën Françesku, ai kujton se Varfanjaku i Asizit "bën thirrje për ta vendosur Krishtin në qendër" e, në këto kohë konfuzioni, është e rëndësishme të propozohen “njerëz, jo aq ide, pasi njerëzit mund të bëhen vërtet pikë referimi për popullin". Kjo shpjegon edhe fluksin e madh të shtegtarëve në Asizi për reliket e shenjtorit, sepse "njerëzit ndiejnë nevojën të kenë modele dhe shembuj" në jetën e tyre të përditshme. "Françesku është mesazh shprese, në vazhdën e mesazhit, që u përpoqëm të jetonim gjatë Vitit Jubilar".

02 prill 2026, 09:42