Partitura e Kryqit: logjika e çarmatosur, që ia pret rrugën së keqes

Gjatë kremtimit të së Premtes së Madhe në Shën Pjetër, Predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Roberto Pasolini meditoi mbi Këngët e Shërbëtorit të Zotit, marrë nga Isaia profet, duke i parë si çelës për të kuptuar Mundimet e Krishtit: jo dështim, por plotësimi i një dashurie, që e hedh poshtë dhunën dhe vazhdon të jehojë gjatë gjithë historisë së njerëzimit, përmes një morie të heshtur njerëzish, që "nuk ndalen kurrë së kërkuari të mirën, edhe kur duket e kotë"

R.SH. – Vatikan

Në dritëhijen solemne të Bazilikës së Shën Pjetrit, sot pasdite, në praninë e Papës Leoni XIV, që kryeson kremtimin e Mundimeve të Zotit tonë Jezu Krisht, në këtë të Premte të Madhe të Pashkëve (3 prill 2026), gjatë së cilës e gjithë bota katolike kujton flijimin e Birit të Hyjit për shpëtimin e njerëzimit, homelia e mbajtur nga Predikatari i Shtëpisë Papnore, atë Roberto Pasolini, ndjek një linjë teologjike të mirëpërcaktuar: kryqi nuk është aksident, është partitura muzikore e Hyjit. Një "partiturë", që Krishti zgjodhi ta interpretonte deri në fund.

Kryqi si përmbushje, jo si enigmë

Françeskani kapuçin Atë Pasolini nxit të mos e izolojmë të Premten e Madhe nga pjesa tjetër e historisë së Jezusit. "Kryqi i Krishtit rrezikon të mbetet i pakuptueshëm, nëse e shohim si ngjarje të izoluar". Përkundrazi, Mundimet e Tij janë "pika më e lartë e një rrugëtimi", kulmi i një jete të jetuar, duke dëgjuar Atin Qiellor.

Na e konfirmon këtë tradita e katër Këngëve të Shërbëtorit të Zotit në Librin e Isaisë, të cilat Kisha i interpreton si një paralajmërim i historisë së Krishtit. Jezusi jo vetëm që i dëgjoi ato gjatë viteve të jetës së Tij, por edhe i mishëroi. Mundimet e Tij kuptohen pikërisht në dritën e kësaj përgatitjeje të gjatë shpirtërore, në të cilën bindja ndaj Atit shndërrohet dalëngadalë në dhurimin e plotë të vetvetes.

Katër Këngët: një pedagogji shëlbimi

E zemra e homelisë nuk mund të mos ishte shpjegimi i këtyre katër Këngëve të Shërbëtorit të Zotit, i cili s’është tjetër veçse vetë Jezu Krishti. Në të parën, Shërbëtori thirret të çlirojë pa dhunë: "Ai s’do të bërtasë dhe as s’do ta lartësojë zërin... s’do ta thyejë as kallamin e copëtuar" (Is 42,2-3). Është një mision, që befason këdo, pasi krejt i papritur e kundër qëndrimit, që e çon secilin ta shikojë realitetin me dyshim e të mbrohet prej tij, duke përdorur edhe dhunën. Ndërsa ky është mision i karakterizuar nga butësia, që hedh poshtë çdo logjikë agresive.

Në Këngën e dytë, tinëzisht, dyshimi e kriza i hapin rrugë vetes: "Kot u mundova, më kot forcat i treta të miat!" (Is 49,4). Shërbëtori përjeton një dështim të dukshëm. Atë Pasolini theksoi se ai nuk ndihej vërtet i padobishëm e i kotë në këtë botë, por Kënga nxjerr në pah pamundësinë e matjes të së mirës, thjesht, duke përdorur kriteret njerëzore.

Kënga e tretë paraqet refuzimin: drita provokon armiqësi. Shërbëtori i Zotit e pranon dhunën pa u trembur - "Shpinën ua solla atyre që më rrihnin" (Is 50,6) - ​​duke dëshmuar kështu se besnikëria ndaj Hyjit nuk varet nga përgjigja e marrë.

Së fundi, në Këngën e katërt, arrijmë në paradoksin vendimtar: në vuajtjet shëlbuese. Shërbëtori i Zotit "i mori mbi vete vuajtjet tona, mbi shpatulla të veta i ngarkoi dhimbjet tona!" (Is 53,4), duke e thyer zinxhirin e së keqes. Këtu plotësohet katërcipërisht hapi më radikal i jetës së Jezu Krishtit: Ai nuk ua ktheu me të keq, të keqen që i bënë.

Një partiturë, që ekzekutohet edhe sot

Atë Pasolini, pasi sqaroi mirë se historia e Jezu Krishtit ishte e parathënë që në Besëlidhjen e Vjetër, nënvizoi se ato katër Këngë të Shërbëtorit të Zotit përbëjnë një pariturë, që vijon të ekzekutohet edhe sot e kësaj dite. Bota, që evokoi, karakterizohet nga luftëra, përçarje dhe dhunë. "E keqja vazhdon të qarkullojë, sepse gjithmonë gjen dikë, që është i gatshëm ta kthejë me të keqe" e jo me të mirë. Por, këtu ndërhyn risia e krishterë, që e ndërpret këtë spirale. Jezu Krishti e bëri duke vendosur të dorëzohet - "Jam Unë" - e kështu, i shndërroi Mundimet në akt të lirë, në zgjedhje të vullnetshme, për shëlbimin e gjithë shpirtrave.

Predikimi i atë Pasolinit nuk u ndal vetëm te Krishti. Ai vuri në pah "morinë e heshtur" të burrave e të grave që, pa bujë, vazhdojnë të jetojnë sipas kësaj partiture: njerëz, që "nuk ndalen kurrë së kërkuari të mirën edhe kur duket e kotë". Pasazhi i fundit i homelisë mbart pothuajse implikime politike: shpëtimi i botës nuk do të vijë nga strategjitë e pushtetit, por nga ata, që pranojnë të jetojnë sipas kësaj logjike të çarmatosur. "Mund ta pranojmë lirisht... duke zgjedhur të mos e kthejmë të keqen me të keqe".

Në një çast historik, në të cilin edhe emri i Zotit mund të përdoret për të justifikuar dhunën, kryqi – përfundoi atë Pasolini - mbetet një fron paradoksal: vendi, ku njeriu mëson të mbretërojë përmes shërbimit. E ndoshta, pikërisht për këtë arsye, është e vetmja partiturë muzikore e aftë ta mbajë të bashkuar një botë të çakorduar.

Udha e Kryqit në Koloseum

Pas kremtimit të Mundimeve të Krishtit, Papa Leoni XIV përgatitet të shkojë në Koloseum, vendi i martirizimit të të krishterëve të parë në Romë, për Udhën e Kryqit tradicionale, në orën 21.15, bashkë me besimtarët e mbledhur për këtë qëllim. Kujtojmë se Ati i Shenjtë do të mbajë kryqin në të gjitha Ndalesat e se meditimet e këtij viti janë shkruar nga ish-Kujdestari i Tokës Shenjte, atë Francesco Patton.

03 prill 2026, 18:16