2025.04.18 Venerdì Santo «Passione del Signore» â   Via Crucis

Udha e Kryqit, Krishti e anulon të keqen me dashuri

Një interpretim bashkëkohor i Udhës së Kryqit, që krahason pushtetin e njerëzve me atë të Jezu Krishtit, duke denoncuar abuzimet dhe shkeljet e dinjitetit njerëzor dhe duke përcaktuar dashurinë, përvujtërinë dhe dhembshurinë si përgjigjen e vërtetë të krishterë. Këtë bën ish-Kujdestari i Tokës Shenjte, atë Francesco Patton, në meditimet e tij të Udhës së Kryqit të sivjetme në Koloseum, që do të kremtohet në orën 21.15. Kryqin do të mbajë Papa Leoni XIV në të gjitha Ndalesat

R.SH. – Vatikan

Udha e Kryqit e propozuar në meditimet e së Premtes së Madhe interpretohet në dritën e botës bashkëkohore, ku pushteti shpesh ushtrohet pa kufij dhe me pasoja të rënda. Ashtu si në kohën e Jezusit, edhe sot ka autoritete që abuzojnë me pozitën e tyre, duke vendosur për luftë, ose duke mohuar dinjitetin e njerëzve, siç dëshmohet nga "kufomat e pakthyera" dhe familjet e detyruara të poshtërohen për të siguruar drejtësinë për të afërmit e tyre.

Udha e Kryqit bëhet kështu një simbol i realitetit të sotëm, i shënuar nga kontradiktat, abuzimi me fenë dhe dhuna, siç del në pah nga meditimet e shkruara nga ish-Kujdestari i Tokës Shenjte, atë Francesco Patton për takimin tradicional të së Premtes së Madhe në Koloseum me Papën Leoni XIV, i cili do të mbajë kryqin gjatë të 14 Ndalesave në amfiteatrin Flavio, vend i persekutimit të të krishterëve të parë në Romë.

Pushteti i njerëzve e pushteti i Krishtit

Françeskani i Urdhrit të Fretërve të Vegjël i shoqëron Ungjijtë e Mundimeve të Zotit me tekste nga Shën Françesku i Asizit, në kujtim të tetëqindvjetorit të vdekjes së tij, që kremtohet këtë vit, duke e sjellë në realitetin e sotëm atë që jetoi Krishti dhe mësimet e Tij në të tashmen. Krahasimi i pushtetit njerëzor me atë të Krishtit shihet që në Ndalesën e parë, kur Jezusi, para Pilatit, demaskon iluzionin e autoritetit absolut. Çdo pushtet njerëzor thirret për të dhënë llogari para Zotit: vendimet politike, ekonomike dhe shoqërore bazohen në respektin apo në shkeljen e dinjitetit njerëzor? Kjo temë rikthehet në Ndalesën X, kur Jezusit zhvishet nga rrobat: një akt, që sot shihet në tortura, në poshtërimet publik dhe në shkeljen e privatësisë. Dinjiteti njerëzor kërcënohet vazhdimisht, por mund të rifitohet përmes përvujtërisë dhe respektit. Në Ndalesën XIII, shembulli i atyre, që kujdesen për trupin e Jezusit (Jozefi i Arimatesë e Nikodemi), kujton detyrën për të nderuar çdo të ndjerë, pa dallim.

Cili është pushteti i vërtetë?

 Pushteti i vërtetë zbulohet në Ndalesën XI, me Jezusin e gozhduar në kryq: nuk është forca që dominon, por dashuria që dhurohet. Krishti e mposht të keqen jo me dhunë, por me falje, duke treguar se mbret i vërtetë është ai, që flijohet. Udha drejt Golgotës na mëson edhe rrugën e përvujtërisë. Në Stacionin II, Jezusi merr mbi vete kryqin dhe me të, edhe peshën e njerëzimit. Rrëzimi i tij në Ndalesën III, VII dhe IX bëhet simbol i dobësive njerëzore dhe ftesë për t'u ngritur përsëri, pas çdo dështimi. Përvujtëria, shërbimi dhe aftësia për t'u përvuajtur para të tjerëve paraqiten nga atë Patton si mjete për t'iu kundërvënë padrejtësisë dhe dhunës.

Dhembshuria e cirenarëve

Në Stacionin V, Simoni i Cirenës, që e ndihmon Krishtin, përfaqëson të gjithë ata që ndihmojnë konkretisht të tjerët: vullnetarët, punonjësit humanitarë dhe njerëzit të zakonshëm që, edhe pa e ditur, ndajnë me Birin e Hyjit barrën e kryqit. Ata mishërojnë solidaritetin dhe dhembshurinë e nevojshme në botën e sotme.

Gratë në Udhën e Kryqit

Në meditimet e françeskanit atë Patton, edhe figurat femërore, që ofrojnë mësime të mëtejshme. Në Ndalesën VI, Veronika e sheh dinjitetin e Krishtit edhe në fytyrën e Tij të shpërfytyruar, duke e fshirë me velin e saj e duke na ftuar të njohim vlerën e çdo njeriu, që vuan. Në Stacionin VIII, gratë e Jerusalemit përfaqësojnë të gjithë ata, që kujdesen për të brishtët dhe vajtojnë për viktimat e padrejtësisë. Në Ndalesën IV, Maria, nëna e Jezu Krishtit, bëhet simbol universal i dhimbjes së nënave, që humbasin fëmijët e tyre, për shkak të luftës, dhunës dhe padrejtësisë.

Të jetojmë në botë sipas mësimeve të Krishtit

Së fundi, Udha e Kryqit nuk është thjesht një ritual, por një ftesë konkrete për të jetuar në botën reale sipas mësimeve të Krishtit. Feja, shpresa dhe dashuria, tre virtytet teologale, nënvizon atë Patton, duhet të shndërrohen në veprime të përditshme, në mënyrë që dashuria ta shkatërrojë vërtet të keqen dhe ta transformojë shoqërinë. Siç thotë Shën Françesku i Asizit në Uficen e Mundimeve të Zotit: “Ofroni trupin tuaj e merrni mbi shpatull kryqin tuaj të shenjtë, duke ndjekur deri në fund të fundit urdhërimet e Tij të shenjta”.

03 prill 2026, 14:53