Enciklika Rerum Novarum, e shpallur 135 vjet më parë, më 15 maj 1891, nga Papa Leoni XIII Enciklika Rerum Novarum, e shpallur 135 vjet më parë, më 15 maj 1891, nga Papa Leoni XIII

Përvjetori i Rerum Novarum, dokument për dinjitetin njerëzor

Enciklika e Leonit XIII, e shpallur më 15 maj 1891, na prin ende t’i ruajmë parimet etike përballë ndryshimeve shoqërore, ekonomike dhe teknologjike që po i jetojmë. Atë Giacomo Costa, këshilltar shpirtëror i ACLI-t (Shoqatat e Punëtorëve të Krishterë Italianë): "Doktrina Shoqërore e Kishës katolike kërkon të mos harrohen kurrë njerëzit e vërtetë, veçanërisht më të brishtit.

R.SH. / Vatikan

Sivjet shënohet 135-vjetori i enciklikës së Leonit XIII Rerum Novarum shpallur më 15 maj 1891, e cila ende na prin dhe mëson si t’i ruajmë parimet etike përballë ndryshimeve shoqërore, ekonomike dhe teknologjike që po i jetojmë. Është gurthemeli i doktrinës shoqërore të Kishës, tekst që ngjalli interes të madh që nga botimi i tij i parë dhe që nuk e ka humbur as sot e kësaj dite vlerën.

Enciklika Rerum Novarum, e shpallur 135 vjet më parë, më 15 maj 1891, nga Leoni XIII u rikthye në qendër të vëmendjes me zgjedhjen e Robert Francis Prevost në fronin papnor. Papa Leoni XIV, duke u takuar me kardinalët dy ditë pas njoftimit Habemus Papam, deklaroi se kishte zgjedhur të njëjtin emër si Papa Pecci, sepse "Leoni XIII, me Enciklikën historike Rerum novarum, trajtoi çështjen sociale në rrethanat e revolucionit të parë të madh industrial".

Arkivi Apostolik i Vatikanit ruan gjithë dokumentacionin që lidhet me gjenezën e atij dokumenti dhe konsensusin e marrë si nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare ashtu edhe nga "baza", domethënë nga punëtorët.

Një argument i panjohur

Alejandro Mario Dieguez, Zyrtar i Arkivit, i ngarkuar për organizimin e materialit të shekujve XIX dhe XX, hapi dosjet që përmbajnë dokumentet e shkruara me dorë nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Papës Pecci, Leoni XIII, si dhe letrat e pëlqimit nga ipeshkvij të ndryshëm, ose nga qarqe punëtorësh nga e gjithë bota.

“Interesi që ngjalli enciklika Rerum novarum ishte i jashtëzakonshëm sepse - shpjegon studiuesi Dieguez, - trajtonte një argument teknik të paprecedent, në dukje larg mësimit të Kishës, që më parë nuk kishte pasur formulim kaq sistematik mbi doktrinën shoqërore”.

Pyetje gjithnjë aktuale

“Kisha katolike gjithmonë ka pasur një doktrinë shoqërore, që të kujton Ungjillin, Etërit, Skolastikën mesjetare, por me Rerum novarum Papa Leoni XIII vendosi të fliste qartë mbi çështjen shoqërore dhe atë të punëtorëve përballë lindjes së socializmit, marksizmit dhe kapitalizmit të egër industrial. Dhe e bëri këtë duke vënë një pikëpyetje mbi dinjitetin e punës, drejtësinë e pagave, shfrytëzimin e punës së fëmijëve dhe të femrave, marrëdhëniet ndërmjet pronës private dhe të së mirës së përbashkët, natyrën e kapitalizmit dhe misionin e biznesit dhe sipërmarrësit, tema që nuk e kanë humbur aspak vlerën e tyre edhe sot e kësaj dite, përballë sfidave të automatizimit të proceseve të prodhimit dhe përdorimit në rritje të inteligjencës artificiale”. Sipas studiuesit Alejandro Dieguez, “përgjigjet ndryshuan, por janë ende në këmbë të njëjtat pyetje”.

Ndërmjetësimi dhe dialogu

I rëndësishëm në tonin e dokumentit papnor Rerum novarum është ndërmjetësimi e edhe  dialogu me të gjitha forcat në terren. “Kjo duket edhe nga debati i Leonit XIII me një kardinal, në lidhje me socializmin, i cili në atë kohë u quajt “armiku i madh”: “Socializmi është përrua, kundër të cilit ka tri zgjidhje: ndalojeni, dhe rrezikoni të përlaheni nga forca e rrymës. Lëreni të kalojë, duke ndenjur në brigje për të parë: e kjo do të ishte metoda e ‘të lumve të gjumit’ dhe e strucit. Duhet të rregullohet, duhet të kanalizohet: kjo është zgjidhja e vërtetë për të cilën thirren si Shtetet - ashtu edhe Kisha”.

Ideja dhe zhvillimi

Është interesante të kuptohet se si lind një enciklikë. "Nuk duhet të mendojmë se është rezultat i punës individuale të një Pape". Papa u ngarkon ekspertëve të fushës, të detyruar të ruajnë konfidencialitetin më të rreptë, të hartojnë një plan si pikënisje për një përpunim më sistematik. “Në rastin e Rerum novarum,” vazhdon studiuesi Dieguez, “Leoni XIII mundi të mbështetej në tri skema: njëra e përgatitur nga jezuiti Atë Matteo Liberatore;  e dyta, nga kardinali dominikan Tommaso Zigliara, e cila më pas u rishikua dhe u reformua nga Atë Liberatore, dhe e treta, nga kardinali jezuit Atë Camillo Mazzella, të tre filozofë të shquar neo-tomistë. Kjo skemë e tretë iu besua më pas latinistit të kuries Alessandro Volpini për hartimin përfundimtar dhe, më pas, dëgjuesit papnor Gabriele Boccali për një punë jo të lehtë rishikimi, verifikimi dhe kalibrimi të tekstit”.

Vërejtje të bëra "me gojë"

Interesant fakti, sipas të cilit nuk është e mundur të identifikohen ndërhyrje të drejtpërdrejta nga Papa. Në të vërtetë, thekson Alejandro Dieguez, Pecci “nuk kishte zakon t’i shkruante vërejtjet, por ua sugjeronte ato gojarisht bashkëpunëtorëve të tij, të cilët shpesh shkruanin nën diktimin e tij. Ai kishte një mendje shumë të kthjellët, pavarësisht moshës së tij të shtyrë, 81 vjeç, kur u botua enciklika”.

Përvoja e lëvizjeve të punëtorëve

Dokumenti papnor Rerum novarum harmonizon mendimet dhe përvojat e lëvizjeve të ndryshme të punëtorëve katolikë: "atë të Imzot Wilhelm Ketteller, të Vogelsang dhe të katolikëve gjermanë; atë të Oeuvre des Cercles dhe të lëvizjes sociale katolike në Francë dhe Belgjikë; atë të Kardinal Gaspard Mermillod, të Unionit të Fribourg dhe të Kaspar Descurtins në Zvicër; atë të Kardinalëve Edward Manning të Westminster dhe James Gibbons të Baltimore; atë të Rrethit Romak të Studimeve Sociale të Imzot Domenico Jacobini dhe të lëvizjes sociale të katolikëve italianë".

Një përhapje e gjerë

Fama e enciklikës Rerum novarum sigurisht i detyrohet faktit se, ndryshe nga enciklikat e tjera, nuk u përhap vetëm nëpërmjet përmbledhjeve në gazeta ose nëpërmjet nunciaturave apostolike në të gjithë botën e edhe të dikastereve romake. Me qëllim angazhimin e të gjitha palëve të interesuara, iu dërgua sovranëve, krerëve të shteteve, ministrave të ekonomisë dhe shkrimtarëve më të famshëm të shkencave shoqërore. “Vetëm Kongregata e Selisë së Shenjtë Propaganda Fide ‘për Çështjet Orientale’, për shembull, dërgoi një mijë kopje - në latinisht, frëngjisht dhe italisht - në dioqezat nën juridiksionin e saj dhe besohet se një milion kopje u shpërndanë vetëm në Evropë dhe në Amerikë”, thekson studiuesi Alejandro Dieguez.

Reagimet ndërkombëtare

Arkivi Apostolik i Vatikanit ruan, në një dosje voluminoze të Sekretarisë së Shtetit, të gjitha reagimet lidhur me dërgimin e Letrës Papnore. Ekziston përgjigja e Presidentit Francez François Sadi Carnot, të cilit Leoni XIII donte shprehimisht t’i dërgohej një kopje e që pati thënë se ishte “shumë i vetëdijshëm lidhur me nevojën për t’iu drejtuar vendosmërisht studimit të një problemi i cili, duke iu imponuar shqetësimit të ndritur të të gjitha qeverive, është edhe më urgjent në një demokraci paqësore dhe të zellshme, siç është shoqëria franceze e shekullit të 19-të”.

Admirimi i vezirit të madh

Jo vetëm kaq: "nga burime të tjera arkivore - vazhdon Dieguez - dimë se Patriarku i Cilicisë së Armenëve, Stephen Peter Azarian, i cili u kujdes për përkthimin në armenisht, shfrytëzoi marrëdhëniet e tij të mira me Vezirin e Madh të Perandorisë Osmane, Qamil Pasha, për t'i dërguar edhe atij një kopje në frëngjisht". Qamil i shprehu “admirimin e tij të madh për tezën serioze sociale të zhvilluar nga Ati i Shenjtë, me një stil dhe lartësi vizioni të paparë deri më tani”, dhe shpresën se ky Kod Social mund të sillte «avantazhe të mëdha për Evropën, kontinentin e shqetësuar në themelet sociale”.

Përkthimi për Mbretëreshën Margherita

Edhe Mbretëresha e Italisë, Margarita e Savojës, sipas gazetave të kohës, pavarësisht se kishte njohuri të latinishtes, i kërkoi një profesori universitar të letërsisë t'ia përkthente enciklikën, në mënyrë që ajo të mund ta lexonte nga teksti zyrtar.

Duke shfletuar dosjen e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, studiuesi Dieguez na tregon edhe përgjigjet e shumta nga qarqet e punëtorëve katolikë të të gjithë botës: italianë, francezë, belgë, gjermanë, holandezë, zviceranë, spanjollë, por edhe argjentinas, kilianë, kolumbianë, peruanë, uruguaianë. Përgjigje vërtet universale.

Tregimi i disa gazetave

Komenti i disa gazetave të kohës duket tronditës: "Disa gazeta, me Corriere della Sera në krye, jo pa keqdashje,  deklaruan se asnjë shoqatë punëtorësh nuk i qe përmbajtur ende ideve të propozuara nga Papa Leoni XIII dhe se enciklika Rerum novarum nuk kishte pasur sukses të madh sepse punëtorët, të cilëve u drejtohej, nuk ishin në gjendje ta kuptonin. Disa gazeta të tjera, si Il Diritto di Torino, shtuan më pas se Papa ishte zhgënjyer aq shumë, sa kishte siguruar se nuk do të shkruante më enciklika! Dokumentet në Arkivin tonë janë këtu për të dëshmuar pikërisht të kundërtën. Papa Leo, pas Rerum novarumshkroi edhe 48 enciklika!".

86 Enciklikat e Leonit XIII

Një numër i pabesueshëm, më shumë se gjysma e tërësisë. Në 25 vjet Papni, nga viti 1878 deri në vitin 1903, Vincenzo Gioacchino Pecci, jo rastësisht i njohur në histori si “Papa i enciklikave”, shkroi 86 enciklika! Mbi tri në vit. "Të gjitha të shkruara në një latinishte klasike të rafinuar dhe karakteristike e cila", vëren Alejandro Dieguez, "sipas specialistëve, përcjell një "soleminalitet madhështor".

Papa latinist që hapi arkivat për studiuesit

Papa Leoni XIII ishte studiues i apasionuar i gjuhës latine, të cilën e zotëronte me kompetencë dhe elegancë, e edhe njeri i studimeve, që mbështeti edhe studimet e të tjerëve, duke hapur Arkivat e Vatikanit për studiues të çdo kombi e të çdo feje, në vitin jo fort të largët, 1881.

Pra, kaluan 135 vjet nga shpallja e enciklikës Rerum Novarum e Leonit XIII, e cila mbetet mjet shumë i vlefshëm për të përballuar evolucionin e vazhdueshëm social, teknologjik dhe ekonomik përmes lentes së Ungjillit, solidaritetit, të mirës së përbashkët dhe zhvillimit integral njerëzor.

18 maj 2026, 12:39