Rrënojat në Gaza Rrënojat në Gaza

Selia e Shenjtë në OKB: në luftë shpërfillet ligji humanitar, civilët në rrezik

Shqetësim i thellë shprehet për sulmet e shpeshta kundër vendeve të kultit, komuniteteve fetare dhe objekteve të kujdesit shëndetësor, ashtu edhe për përdorimin e teknologjive të tilla, si inteligjenca artificiale. Selia e Shenjtë bën thirrje për respektin dhe mbrojtjen e civilëve, të cilët nuk duhet të trajtohen si "objekte dhe numra të thjeshtë", por si njerëz me dinjitet të dhënë nga Zoti, edhe në kohë lufte.

R.SH. / Vatikan

Një thirrje që lind nga vëzhgimi se "gjuha dhe logjika e luftës i reduktojnë njerëzit në numra, në armiq ose në dëme kolaterale". Kjo është deklarata e Selisë së Shenjtë e publikuar dje, më 21 maj, gjatë debatit publik të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi temën "Mbrojtja e civilëve në konfliktet e armatosura". Ata që paguajnë çmimin më të lartë të luftës, pavarësisht përpjekjeve për t'i dhënë fund konfliktit dhe mbrojtjeve të ofruara nga e drejta ndërkombëtare humanitare, janë miliona njerëz "të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre, ndërsa shumë të tjerë mbeten krejtësisht të pambrojtur nga dhuna, uria, pasiguria dhe kolapsi i shërbimeve kryesore".

Përçmimi i të drejtës humanitare

"Mbrojtja e civilëve - ripohon delegacioni i Selisë së Shenjtë - nuk është thjesht çështje politike ose operative". E kujton fjalët e Papës lidhur me detyrimin moral për të mbrojtur njerëzit si dhe shpreh shqetësim të thellë "për përçmimin në rritje të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe për normalizimin e sjelljeve, që i vënë gjithnjë e më shumë civilët në rrezik".

Sigurimi i lirisë së fesë

Delegacioni përqendrohet në tre aspekte, në veçanti. I pari ka të bëjë me sulmet kundër vendeve të adhurimit dhe bashkësive fetare. Veprime të tilla dëmtojnë jo vetëm besimtarët e veçantë, por edhe strukturën kulturore, shpirtërore e shoqërore të të gjitha komuniteteve. Për më tepër, në kohë konflikti, vende të tilla bëhen strehë, duke ofruar ndihmë dhe duke promovuar solidaritetin. Prandaj, të garantosh lirinë e fesë, edhe në mes të konfliktit, është themelore për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe për të pranuar  pajtimin.

Mos e vini kurrë në shënjestër, atë që ofron ndihmë

Është urgjente, pastaj, mbrojtja e personelit dhe objekteve të kujdesit shëndetësor, të cilat vazhdojnë të jenë shënjestër e sulmeve pavarësisht dekadës që nga miratimi i Rezolutës 2286. Ky tekst përfshin angazhim për mbrojtjen e personelit, infrastrukturës, transportit dhe pajisjeve në fushat mjekësore e mjekësore-humanitare. "Të plagosurve dhe të sëmurëve - thekson delegacioni i Vatikanit - nuk duhet t'u mohohet kurrë ndihma, e dhe ata që ofrojnë ndihmë humanitare, nuk duhet të jenë kurrë në shënjestër".

Përgjegjësia etike e teknologjive të reja

Së fundmi, shprehet shqetësim për përdorimin e teknologjive të reja në luftë, duke përfshirë edhe inteligjencën artificiale. "Përdorimi i teknologjisë duhet të bazohet gjithnjë në përgjegjësinë etike, pasi asnjë makinë nuk mund ta zëvendësojë gjykimin moral të kërkuar, kur jetët njerëzore janë në rrezik". T’i besosh teknologjisë pa kontroll njerëzor, do të thotë të mos i përfillësh pasojat e mbrojtjes së civilëve.

Paqja lind nga besimi

Thirrja e Selisë së Shenjtë i drejtohet bashkësisë ndërkombëtare për të intensifikuar "përpjekjet e saj që synojnë parandalimin, dialogun dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, duke pranuar se paqja e vërtetë nuk ndërtohet përmes frikës, as shkatërrimit, por përmes takimit, besimit dhe përgjegjësisë". Duke kujtuar fjalët e Papës Leoni për paqen që lind brenda secilit prej nesh "në mënyrën se si i shohim të tjerët, i dëgjojmë të tjerët dhe flasim për të tjerët", Selia e Shenjtë rikujton se "mbrojtja e civilëve nënkupton njohjen e dinjitetit të dhënë nga Zoti për çdo person njerëzor, madje edhe në kohë konflikti".

22 maj 2026, 16:07