Fetë së bashku në Angelicum: të punohet për ndërtimin e komuniteteve të paqes
Vatican News
Të riafirmohet angazhimi i përbashkët për të promovuar një kulturë takimi dhe bashkëpunimi për të mirën e përbashkët, me qëllim ndërtimin e „vëllazërisë dhe paqes” në botë. Ky është angazhimi për të cilin ranë dakord udhëheqës fetarë autoritarë, akademikë, studiues dhe përfaqësues të Krishterimit dhe të feve darmike – Budizmit, Hinduizmit, Xhainizmit dhe Sikhizmit – të cilët morën pjesë dje dhe sot, 23 dhe 24 qershor, në konferencën e titulluar „Budistët, të Krishterët, Hinduistët, Xhainistët dhe Sikët në Evropë: ndërtimi i vëllazërisë përmes dialogut dhe bashkëpunimit”. Ky takim u promovua nga Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Dialogun Ndërfetar pranë Universitetit Papnor të Shën Tomës Akuini (Angelicum) në Romë dhe bëri bashkë njerëz të angazhuar në forcimin e vëllazërisë njerëzore përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërfetar në Evropë.
Shpresa që lind nga dialogu dhe bashkëpunimi
Pjesëmarrësit – siç lexohet në një komunikatë të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Dialogun Ndërfetar – „reflektuan mbi sfidat me të cilat përballen shoqëritë bashkëkohore dhe riafirmuan rëndësinë e dialogut dhe të bashkëpunimit si instrumente për të promovuar mirëkuptimin, solidaritetin dhe shpresën. Në këtë kontekst, ata njohën rolin themelor të vëllazërisë në ndërtimin e komuniteteve kohezive dhe paqësore”.
Mes rezultateve të dialogut, pjesëmarrësit nënvizuan se besimtarët, „ndërsa japin një dëshmi të besueshme të vlerave të tyre morale dhe të bindjeve të fesë së tyre, nuk duhet kurrë t'i shmangen detyrës për të nxitur rritjen e vëllazërisë përmes veprimeve konkrete që promovojnë paqen, harmoninë dhe mirëqenien e të gjithëve. Ata gjithashtu evidentuan edhe rëndësinë e forcimit të respektit të ndërsjellë sot, të bashkëpunimit dhe të angazhimit të përbashkët, duke mbetur në të njëjtën kohë të rrënjosur në traditat e tyre fetare përkatëse”.