Kard. Brislin: Kisha banon në të tashmen me besim e qartësi
Vatican News
"Të banosh në vendet e ndërtimit të historisë me një formë unike, sinodale në metodë, të rrënjosur në virtytet teologjike dhe të orientuar drejt shërbimit ndaj personit" është "përgjegjësia e saktë" që i besohet Kishës nga enciklika Magnifica Humanitas e Leonit XIV.
Këtë e theksoi Kardinali Stephen Brislin, Kryeipeshkëv metropolit i Johanesburgut, ndërsa hapi sesionin e tretë të ditës së dytë dhe të fundit të Koncistorit të jashtëzakonshëm, në mëngjesin e së shtunës, 27 qershor, në Sallën Pali VI. Kardinali jugafrikan u ofroi të pranishmëve një reflektim mbi pjesën e parë dhe të fundit të enciklikës, e cila bazohet në një pyetje themelore: përparimi teknologjik shoqërohet me rritje të përgjegjësisë - apo e ekspozon njerëzimin ndaj formave të reja të përjashtimit dhe reduksionizmave.
Kantieri i Babelit apo i Jeruzalemit
Kjo pyetje, vërejti Brislin, e zhvendos vëmendjen nga "fuqia e mjeteve teknike" në mënyrën se si ato mund ta transformojnë realitetin, duke nxitur ose duke penguar "marrëdhënie më të drejta, institucione më të përqendruara te njeriu, të ardhme vërtet të përbashkët". Ndryshimi, tha Kryeipeshkvi i Johanesburgut, është i njëjtë me atë që gjendet në ndërtimin e Babelit apo të Jeruzalemit: në të parin kantier, inteligjenca njerëzore është "akt vetëmjaftueshmërie" dhe unitet, i kërkuar "pa Zot", që çon në shpërbërje. Ndërtimi i Qytetit Shenjt, nga ana tjetër, nënkupton një kapacitet njerëzor "të vendosur në shërbim të Zotit" dhe "një veprim të aftë për të nxitur e për të mundësuar dinjitetin e çdo njeriu".
"Ndërtimi sinodal"
Por edhe kantieri i ndërtimit të Jerusalemit, theksoi Kardinali Brislin, është emblemë e një "ndërtimi sinodal" që nuk e mbështet "progresin teknologjik si qëllim në vetvete", por përkundrazi, vepron si "mbrojtje" kundër efekteve të tij shpërbërëse. Stil konkret i "pranisë, dëgjimit dhe bashkëpërgjegjësisë", sinodaliteti ofron shembullin e një "gramatike ndërtimi" të artikuluar në katër elementë. I pari është "dëshira njerëzore për lumturi", e cila duhet të ruhet "në të vërtetën e saj". Teknologjitë e reja premtojnë "jetë më të rehatshme, më pak të ekspozuar ndaj vuajtjeve", por në të vërtetë e reduktojnë lumturinë në "performancë ose kontroll", duke e varfëruar njeriun.
Një bashkëpërgjegjësi e guximshme
Elementi i dytë është kufizimi, i cili - theksoi kardinali i Afrikës së Jugut - "na kujton se jeta është dhuratë që marrim e që kërkon të mbrohet". Rimëkëmbja e një ndjenje kufizimi, pra, na ndihmon të shpëtojmë "nga iluzioni i vetëdashjes". Kjo krijon elementin e tretë, përkatësisht "bashkëpërgjegjësinë e guximshme", sepse e mira e përbashkët rritet "kur secili individ mund të kontribuojë pjesën e tij dhe të mbështetet në përmbushjen e saj". Prandaj, subsidiariteti bëhet "formë e rregullt pjesëmarrjeje". Së fundmi, si element i katërt, Kardinali Brislin thekson kriteret e dallimit të ofruara nga Doktrina Sociale e Kishës. Këto kritere na lejojnë të "lexojmë proceset historike, të vlerësojmë premtimet e teknologjisë dhe të dallojmë atë që i shërben personit nga ajo që e ekspozon atë ndaj formave të reja të varësisë ose të përjashtimit".
Virtytet teologale, si "gramatikë" e historisë
"Gramatika e ndërtimit" e përshkruar në fillim të enciklikës, gjen përmbushjen e saj në faqet e fundit, ku - shpjegoi Kardinali Brislin - ajo të çon përsëri tek virtytet teologjike: feja, dashuria e shpresa. E para - kujton kardinali - edukon shikimin, hapet "drejt kundrimit të planit të mëshirës që përshkon historinë" dhe kupton se udhëtimi njerëzor mbështetet nga "një logjikë dhurate, e përqendruar në misterin e Mishërimit". Dashuria, nga ana tjetër, "krijon bashkim" dhe e gjen gurrën e saj sakramendore në Eukaristi, duke plazmuar kështu "mënyrën e krishterë për të banuar të historisë", domethënë, "duke na edukuar për të njohur të tjerët si vëllezër dhe motra, për të mbajtur barrët e tyre dhe për të ndarë me ta përgjegjësinë e punës së përbashkët".
Teknologjia duhet të orientohet drejt dinjitetit të personit
Së fundi, shpresa “mbështet ndërtimin e qytetërimit të dashurisë” në bashkëpunim me Krishtin. Në këtë dritë, mundësitë teknike “mirëpriten brenda një rruge mençurie, të orientuar drejt dinjitetit të personit”, drejt kujdesit për shtëpinë dhe marrëdhëniet tona të përbashkëta, si dhe “bashkimit ndërmjet lutjes dhe angazhimit aktiv”.
E gjithë kjo, përfundon Kardinali Brislin, nuk mund të ndahet nga lutja, në mënyrë që Kisha të mund të mishërojë “shërbim të aftë kishtar, për të jetuar në kohën e tashme me besim e qartësi”.