Kardinali Czerny: Kriza e Hormuzit na kujton se njerëzimi varet nga deti
Vatican News
"Kujdesi për detin nuk mund të veçohet kurrë prej kujdesit për njeriun", sepse "mbrojtja e jetës ujore" dhe "mbrojtja e dinjitetit dhe siguria" e atyre që punojnë në det "nuk janë përparësi të kundërta, por anë të një angazhimi të vetëm moral për të mirën e përbashkët dhe begatinë e njerëzve dhe të mjedisit detar që kemi të përbashkët". Kështu shkruan Kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të Plotë Njerëzor, në mesazhin e tij për të Dielën e Detit 2026, e cila do të kremtohet më 12 korrik, mesazh që u publikua sot, më 24 qershor.
Duke zhvilluar temën "Më shumë se mallra dhe tregti: fytyra njerëzore e detit", dokumenti thekson se çdo ditë, ata që punojnë në det dhe rrahin rrugët ujore "bëhen ura midis popujve, kulturave, feve dhe ekonomive". Dokumenti nënvizon gjithashtu se oqeanet "nuk janë thjesht rrugë tregtare ose burime pasurie ekonomike, por janë pjesë e krijimit të Zotit, të cilat i janë besuar përgjegjësisë dhe kujdesit të njerëzimit". Në fund, pastaj, Kisha, ashtu si Jezusi në detin e stuhishëm të Galilesë, është e thirrur "të hipë në barkë" për të "shoqëruar, dëgjuar, ngushëlluar dhe mbrojtur dinjitetin njerëzor" të të gjithë atyre që jetojnë dhe punojnë në det.
Kriza e Ngushticës së Hormuzit dhe roli i detit
Kardinali Czerny, në mesazhin e tij, kujton se pas "tregtisë globale, industrisë së peshkimit, porteve, rrugëve ujore të brendshme dhe rrjeteve detare" qëndron një numër i madh "detarësh, peshkatarësh, punonjësish portesh dhe kolektivesh detare, puna e të cilëve ndihmon vendet, bashkon popujt, siguron jetesën dhe mbështetjen për familjet në çdo kontinent".
Kriza e Ngushticës së Hormuzit, theksohet në mesazh, "i ka kujtuar botës se njerëzimi varet shumë nga deti dhe ata që punojnë aty".
Në të Dielën e Detit, "Kisha kujton këta burra dhe gra jo vetëm për punën që bëjnë ose mallrat që transportojnë, por si persona të krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit dhe të pajisur me një dinjitet të paprekshëm".
Ankesat për izolimin e detarëve
Prefekti i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor vijon më tej duke shpjeguar se sot, shumë prej këtyre punonjësve "vazhdojnë të përballen me pasiguri dhe vështirësi në rritje" dhe se deti "është gjithnjë e më i trazuar nga tensioni, pasiguria, lufta dhe frika". Shumë anëtarë ekuipazhesh, kujton ai, "kohët e fundit janë prekur nga konflikte të armatosura që, në fakt, i kanë mbyllur në bord, duke shkaktuar mungesë ushqimi dhe madje frikë për jetën e tyre", gjë që e ka përkeqësuar "ndjenjën e tyre të vetmisë" dhe të "izolimit shoqëror". Në të vërtetë, edhe në epokën e "komunikimit dixhital në rritje", denoncon mesazhi, shumë detarë "përjetojnë një izolim gjithnjë e më të thellë" për shkak të " zvogëlimit të ekuipazhit, të periudhave më të shkurtra të pushimit në breg dhe orareve të lodhshme të punës", gjëra këto që "shpesh lënë pak hapësirë për pushim, shoqëri ose takime me të vërtetë njerëzore" që i bëjnë detarët të ndihen të mirëpritur, se dikush po i dëgjon dhe se njerëzit i duan.
Detarët: Dëshmitarë të vëllazërisë dhe të solidaritetit
Në të vërtetë, siç kujton Papa Leoni XIV në enciklikën e tij të parë, «Magnifica Humanitas», në nr. 180, sistemet teknologjike dhe ekonomike nuk duhet ta reduktojnë kurrë personin njerëzor në një "të dhënë, një ingranazh ose një mall", por duhet gjithmonë të mbrojnë "dinjitetin, lirinë dhe njerëzimin e çdo individi". Prandaj, një anije nuk duhet të "bëhet kurrë një vend izolimi ose shpërfilljeje të heshtur", shkruan kardinal Czerny. Përkundrazi, "jeta detare mund të jetë një dëshmi e gjallë e faktit se njerëz të kombeve, kulturave dhe besimeve të ndryshme janë ende të aftë për vëllazërim, solidaritet, respekt të ndërsjellë dhe paqe". Sepse, shpjegon kardinali, "oqeanet nuk i ndajnë njerëzit, por përkundrazi i bashkojnë ata", dhe ata që punojnë në det ose në ujra të tjera shndërrohen në "ura midis kombeve, kulturave, feve dhe ekonomive". Në një botë të plagosur nga konflikti dhe shkërmoqja, shpjegon Mesazhi, jeta e tyre "dëshmon për mundësinë e qëndrueshme të bashkëpunimit, solidaritetit dhe të bashkëjetesës paqësore". Edhe Kisha, nëpërmjet pranisë së saj baritore, "kërkon t'i kujtojë çdo detari, peshkatari dhe punonjësi detar se ata nuk harrohen kurrë dhe nuk janë kurrë vetëm".
Bukuria e deteve dhe rreziku mjedisor
Reflektimi i dytë i dokumentit ka të bëjë me faktin se oqeanet "nuk janë thjesht rrugë tregtare ose burime pasurie ekonomike, por janë pjesë e krijimit të Zotit, që i janë besuar përgjegjësisë dhe kujdesit të njerëzimit". Ato "ushqejnë popullatat" dhe na kujtojnë "bukurinë dhe brishtësinë e shtëpisë sonë të përbashkët", por sot detet "vuajnë gjithnjë e më shumë nga ndotja, shfrytëzimi, degradimi mjedisor dhe pasojat e veprimtarisë së papërgjegjshme njerëzore". Dhe kur oqeanet vuajnë, vuajnë edhe "peshkatarët, banorët e brigjeve dhe të gjithë ata, jeta e të cilëve varet drejtpërdrejt nga shëndeti i ekosistemeve detare".
Siç na kujton Leoni XIV në enciklikën «Magnifica Humanitas», në numrat 12 dhe 92, vijon më tej kardinal Czerny, përparimi i vërtetë "nuk mund të matet kurrë vetëm me fjalë që shprehin efikasitetin, përparimin teknologjik ose fitimin, por duhet të udhëhiqet gjithmonë nga dinjiteti i personit njerëzor, e mira e përbashkët dhe përgjegjësia ndaj brezave të ardhshëm".
Kujdesi për detin nuk ndahet kurrë nga kujdesi për njeriun
Prandaj, nëse në punën e tyre, detarët dhe peshkatarët kalojnë vetmi, durojnë lodhje, rrezik dhe ndarje nga familjet e tyre, "kujdesi për detin nuk mund të ndahet kurrë nga kujdesi për njeriun", sepse mbrojtja e jetës detare dhe "mbrojtja e dinjitetit dhe sigurisë së këtyre punonjësve" nuk janë përparësi të kundërta, por "aspekte të një angazhimi të vetëm moral për të mirën e përbashkët dhe përparimin e të dyve, të njerëzve dhe të mjedisit detar të përbashkët".
Jezusi qëndroi me dishepujt kur stuhia kërcënonte barkën e tyre, dhe sot ai vazhdon "të jetë pranë atyre që lundrojnë në det", thuhet në mesazh. Dhe Kisha "është e thirrur ta bëjë këtë afërsi të dukshme përmes pranisë dhe shërbesës së saj".
Shërbimi i kapelanëve dhe «Apostullimi i detit»
Përmes kapelanëve, shërbesave detare dhe të gjithë traditës së «Apostullimit të detit», prefekti i Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit Integral Njerëzor përsërit se Kisha dëshiron t'i kujtojë "çdo detari, peshkatari, punonjësi detar dhe punëtori të lundrimit se nuk harrohen, se vlerësohen dhe se nuk janë kurrë vetëm". Kjo vlen për njerëzit e të gjitha kombësive dhe besimeve.
Por ky apostullim është i lumtur që "ofron lutje, kujdes baritor dhe sakramente për detarët katolikë, të cilët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të ekuipazheve dhe të oficerëve kur shkojnë në porte larg shtëpive të tyre".
Në përfundim, duke shprehur mirënjohjen e tij për detarët dhe punëtorët baritorë për punën dhe shërbimin e tyre, kardinali ia beson ata mbrojtjes amnore të Marisë, Yllit të Detit, dhe i fton të luten "për sigurinë, dinjitetin, paqen dhe shpresën e të gjithë atyre që udhëtojnë dhe punojnë në ujëra".