Kard. Grech: në gjeopolitikën e mësuar me arrogancë, Sinodi është shenjë e dëgjimit të butë
Vatican News
Madhështia e dëgjimit banon në vogëlsinë e tij. Në përvujtërinë e dialogut, përballë një bote gjeopolitike të mësuar, pothuajse të dorëzuar, me luftën dhe arrogancën ekonomike. Ky është mësimi që Sinodi i dha dhe vazhdon t'i japë Kishës, e cila tani hyn në një fazë zbatimi që nuk synon thjesht të zbatojë vendimet e marra tashmë, por të sjellë në jetët e komuniteteve njohuritë që dolën gjatë rrugës. Këto realitete, nga ana tjetër, janë të thirrura të bëjnë një hap më tej, duke zgjeruar dialogun për të përfshirë Kishat në mbarë botën. Janë reflektimet e ofruara nga Kardinali Mario Grech, Sekretar i Përgjithshëm i Sekretarisë së Sinodit, duke hapur punimet e Sesionit IV të Koncistorit të Jashtëzakonshëm, mbajtur dje pasdite, më 27 qershor.
Pritjet për Sinodin
Në fjalimin e tij, kardinali maltez kujtoi se si, në fillim të Sinodit mbi Sinodalitetin në vitin 2021, "pak veta do ta kishin imagjinuar gjerësinë e përfshirjes që do të frymëzonte". Realitetet e ndryshme të pranishme në Kishë morën pjesë, në disa raste për herë të parë, "në çaste dëgjimi dhe dallimi kishtar", duke ndjekur shtigje të ndryshme, duke përjetuar vështirësi dhe rezistencë, por sidomos edhe duke e njohur universalisht dëshirën për të "ecur së bashku, duke vlerësuar dhuratat dhe përgjegjësitë e të gjithëve".
Faza e zbatimit
Përvoja sinodale, vazhdoi kardinali Grech, u mbështet ndjeshëm në mënyrë sinjifikative, nga metoda e bisedës në Shpirtin Shenjt. Vetëdije e pjekur jo pa lodhje, e aftë të kapë "ndryshimin themelor ndërmjet bisedës shpirtërore, tematike dhe bisedës në Shpirt, domethënë, brenda të folurit dhe dhënies së të Ngjallurit ndërmjet nesh, si vepër e Shpirtit". Faza e zbatimit në të cilën hyri Sinodi do t'u lejojë Kishave të shkëmbejnë dhurata dhe përvoja, duke zgjeruar "ndjenjën e përkatësisë ndaj të vetmit popull të Zotit". Megjithatë, ky nuk është proces i menjëhershëm, pasi secila kulturë mirëpret dhe përkthen njohuritë që dalin sipas kohës dhe modalitetit të vet, "në kultura, institucione, praktika baritore dhe marrëdhënie kishtare".
Të zgjerohet dialogu
Për të shoqëruar këtë udhëtim, Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit hartoi një plan veprimi që çon në Asamblenë Kishtare të Sinodit, planifikuar për tetor 2028. Qëllimi është që gradualisht të përkthehen njohuritë e zhvilluara gjatë udhëtimit sinodal në jetën e komuniteteve, duke nxitur edhe një shkëmbim gjithnjë e më intensiv ndërmjet realiteteve të largëta gjeografikisht dhe kulturalisht. Në këtë proces, saktësoi Kardinali, shërbesa e ipeshkvit mbetet themelore në nxitjen e pjesëmarrjes së të gjithë Popullit të Zotit. Krahas tij punojnë ekipet sinodale, organet e pjesëmarrjes, ministrat e shuguruar, burrat dhe gratë e shuguruara, shoqatat, lëvizjet, institucionet arsimore, familjet, të rinjtë dhe bashkësitë vendase.
Katër foljet e udhëtimit
Procesi i zbatimit ndahet në disa faza, të shënuara nga katër folje. Së pari, "kujto", duke ndihmuar komunitetet të përjetojnë "shkëmbimin dinamik ndërmjet Kishave, që ushqen bashkimin dhe mbështet misionin", pa përsëritur fazën fillestare të dëgjimit, por duke ofruar "mikpritje" për atë që është dukur tashmë. Kjo pasohet nga "interpretimi", për të kuptuar dinamikat dhe tensionet e përbashkëta që u shfaqen; pastaj, "orientimi", duke i hapur Kishës perspektivave të reja; dhe, së fundmi, "kremtimi", duke udhëhequr udhëtimin e arritur drejt qëllimit të unitetit.
Lidhja ndërmjet Sinodit dhe Koncistorit
Lidhja ndërmjet Koncistorit dhe përvojës sinodale qëndron, sipas kardinalit Grech, në faktin se mbledhja e kardinalëve nuk zhvillohet "jashtë përshpirtërisë kishtare të pjekur, gjerësisht sinodale". Prania e përbashkët e Shpirtit Shenjt manifeston "dy përmasa operative të të njëjtit bashkim": nga njëra anë, Koncistori, i thirrur të jetë "përkujtim i gjallë i bashkimit kolegjialqë Mjeshtri ua dorëzoi dishepujve të tij të parë si stil qeverisjeje relacionale"; e nga ana tjetër, asambletë sinodale, "përkujtim i gjallë i asaj bashkësie vëllazërore dhe teologjike, që i jep jetë çdo Kishe lokale dhe e bën të marrë pjesë sakramentalisht në dhuratën e shpëtimit", sot të thirrura për shoshitje dhe dëshmi.
Dëgjim e shoshitje së bashku
Kardinali Grech e përfundoi fjalimin duke iu drejtuar drejtpërdrejt kardinalëve. Disa udhëheqin Kisha lokale të thirrura për ta përjetuar këtë fazë zbatimi, të tjera bashkëpunojnë në shërbim të Kishës universale përmes Dikastereve të Kuries Romake. Megjithatë, të gjitha kanë të njëjtën "përgjegjësi: atë të ruajtjes së bashkësisë kishtare dhe të mbështetjes së misionit të Kishës". Për këtë arsye, kontributi i Kolegjit të Kardinalëve në fazën e zbatimit të Sinodit do të jetë "veçanërisht i rëndësishëm".
Në një botë që po kalon shndërrime të thella dhe sfida gjithnjë e më të ndërlikuara, sinodaliteti paraqitet kështu si "burim misionar", i aftë për të ndihmuar bashkësinë kishtare t’i dëgjojë pyetjet e njerëzimit dhe t’i dallojë së bashku hapat që duhen bërë.