2026.06.26 Concistoro straordinario - Aula Paolo VI

Koncistori, dita e parë e punës përfundoi në shenjën e paqes

Diskutimi në Sallën Pali VI në Vatikan për kardinalët e pranishëm në Koncistor. Pati një marrëveshje të fortë lidhur me nevojën për të punuar drejt ndërtimit të paqes dhe "qytetërimit të dashurisë", edhe përmes një gjuhe dëgjimi e faljeje. Grupe të shumta folën për nevojën e tejkalimit të logjikës e të luftës së drejtë e, në vend të saj, të flasin për të drejtën e mbrojtjes proporcionale. Papa Leoni foli i pari në fillim të seancës, e përsëri edhe në përfundim, duke kryesuar lutjen e fundit.

Vatican News

Me mendimin për "Situatën e dhimbshme në Venezuelë" dhe për viktimat e shumta të tërmetit, u hap seanca e pasdites, 26 qershor, e Koncistorit të Jashtëzakonshëm, që po mbahet në Sallën Pali VI në prani të 178 Kardinajve ardhur nga mbarë bota. Seanca me temë "Kultura e pushtetit dhe qytetërimi i dashurisë", kushtuar reflektimit mbi Kapitullin V të Enciklikës Magnifica Humanitas, filloi me një lutje të përbashkët të moderuar nga Kardinali Pablo Virgilio Siongco David, i cili më pas ia dha fjalën Kardinalit Víctor Manuel Fernández, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë, për fjalimin e hyrjes. Papa Leoni mori pjesë në fillim të seancës e, më pas, u kthye rishtas në çastin e seancës plenare.

Lufta nuk duhet normalizuar

Puna filloi më pas me 11 grupe, që raportuan në Sallë: tetë nga grupi i parë së bashku e tre nga i dyti. Të gjithë folën për çështjet kritike të kohës së sotme, "forcën çnjerëzore të kulturës së pushtetit", sipas një deklarate nga Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë, "universalitetin e saj, tundimin për t'u përshtatur me logjikën e të fuqishmëve, për të normalizuar luftën dhe polarizimin, të cilat çojnë në uljen e pragut të tolerancës për dhunën dhe  thjeshtëzimin e rrezikshëm në kërkimin e zgjidhjeve".

Prej këndej, thirrja për përgjegjësi në ndërtimin e paqes dhe të qytetërimit të dashurisë, për dëshmi të besueshme, para së gjithash brenda Kishës, dhe për nevojën e një gjuhe të përqendruar te njerëzit, bazuar në dëgjim, falje, pajtim, drejtësi restauruese dhe gjeste. Gjuhë e aftë për të prekur zemrat e atyre që janë në konflikt,  e edhe e aftë t’i kuptojë plagët e shkaktuara nga lufta, "gjuhë që e lehtëson kërkimin e unitetit në Kishë".

 Përgjegjësia për ndërtimin e paqes

Uniteti në Kishë të jetë i besueshëm e dialogu, i nevojshëm me fetë e besimet e tjera, veçanërisht me Islamin: kjo ishte pikë tjetër e theksuar në diskutimet e grupeve. "Në një kohë kur globalizimi i indiferencës të bën intolerant ndaj vuajtjeve të të tjerëve", secili duhet të marrë mbi vete përgjegjësinë për ndërtimin e paqes. Nga kjo perspektivë, të gjitha grupet theksuan qendërsinë e fesë në Krishtin, të Ungjillit që ndryshon botën, kur nuk  pranohet se është vetëm teoria e tij e thjeshtë dhe e thirrjes origjinale të Kishës, sepse ka situata që, për t'u përballuar, kërkojnë ndërhyrjen e Zotit. Në këtë drejtim, më pas disa grupe theksuan punën e Kishës në Tokën Shenjte dhe në Evropën Lindore.

Gjatë diskutimit u trajtua edhe roli i pushtetit politik, "i lirë nga lidhja e tij toksike me pushtetin ekonomik". U diskutuan çështje si familja, arsimi, vështirësia e tejkalimit të logjikës së përgjigjeve të menjëhershme dhe e një vepre të guximshme ungjillizimi. Grupe të ndryshme përmendën rolin e diplomacisë së Selisë së Shenjtë dhe të Nuncëve Apostolik në përpjekjen për ta bërë të dëgjuar zërin e Kishës.

Së bashku me Papën në thirrjen e tij për paqe

Në këtë kontekst, lindi nevoja për ta tejkaluar logjikën e luftës së drejtë, meqenëse Ungjilli nuk mund të imponohet me forcë, dhe për të folur në vend të së drejtës, për mbrojtje proporcionale. Mirënjohje e thellë iu shpreh Papës Leoni për Enciklikën, për dënimin e konflikteve dhe thirrjet e saj për paqe. Vijoi, më pas, një reflektim mbi Munus petrinum (nga latinishtja, "zyra e Petrit") është detyra dhe përgjegjësia shpirtërore, juridike dhe qeveritare e Papës si pasardhës i Shën Pjetrit dhe kreu i Kishës Katolike. Termi tregon investiturën hyjnore dhe shërbimin e udhëheqjes së unitetit kishtar. Pastaj u fol për garancinë e pavarësisë së Kishës nga autoriteti politik, si dhe mbi nevojën për gjeste që, në këtë kohë, mund të jenë ikona të paqes.

Thirrje për përgjegjësi

Së fundi, pati kohë edhe për disa ndërhyrje personale mbi tematikën e sesionit. Disa kardinalë shprehën mirënjohjen për hapësirën e ndarjes, përfaqësuar nga Koncistori, duke përsëritur edhe nevojën për të punuar së bashku me udhëheqësit e feve të tjera e për të afirmuar qytetërimin e dashurisë. Të tjerë theksuan reagimin e shumë njerëzve ndaj fjalëve të forta të Papës në Enciklikë Magnifica Humanitas, në lidhje me vonesën e Kishës në dënimin e skllavërisë; fjalë që ua hapën zemrat.

Enciklika, theksuan kardinalët, është gjithashtu edhe një thirrje për Kolegjin e Kardinalëve, për të marrë përsipër përgjegjësinë e ndërtimit të paqes edhe përmes simboleve, siç ishte Takimi i Lutjes për Paqe, i thirrur nga Gjon Pali II në Asizi, në vitin 1986. Në fund të seancës, rreth orës 19:30, Papa Leoni drejtoi lutjen përmbyllëse.

27 qershor 2026, 11:36