Motër Alessandra Smerilli Motër Alessandra Smerilli

Motra Smerilli prefekte e re e Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit Njerëzor

Një tjetër emërim i një gruaje në një post drejtues të Kuries Romake nga Papa Leoni XIV. Deri më tani sekretare e të njëjtit dikaster, motra saleziane merr detyrën që deri sot mbahej nga kardinali Czerny. Kardinali Baggio u emërua pro-prefekt.

Vatican News

Papa e pati deklaruar këtë në të vetmen intervistë të dhënë gjatë vitit të parë të papnisë së tij, atë me gazetaren Elise Allen, duke thënë se dëshironte “të vazhdonte në gjurmët e Françeskut duke emëruar gra në disa role udhëheqëse në nivele të ndryshme të jetës së Kishës”. Tani Leoni XIV e konfirmon këtë drejtim duke emëruar edhe një grua tjetër në krye të një Dikasteri të Kuries Romake: motra Alessandra Smerilli, e cila që nga sot, 30 qershor, është prefekte e re e Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Shërbimin e Zhvillimit e Plotë Njerëzor. Ajo pason kardinalin Michael Czerny, i cili do të mbushë 80 vjeç më 18 korrik dhe që prej vitit 2022 e ka drejtuar këtë dikaster me vendosmëri dhe përkushtim.

Prefektja e tretë grua në Kurien Romake

Ky është emërimi i dytë i një gruaje në një post të lartë nga Papa Leoni XIV, pas emërimit të Montse Alvarado, një laike e re, si prefekte e Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin. Megjithatë, motra Smerilli është gruaja e tretë që bëhet prefekte në Kurien Romake, pas motrës Simona Brambilla, të cilës Papa Françesku i besoi më 6 janar 2025 drejtimin e Dikasterit të Vatikanit për Institutet e Jetës së Kushtuar dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike. Në atë rast, Papa Françesku emëroi gjithashtu kardinalin Ángel Fernández Artime si pro-prefekt të të njëjtit dikaster.

E njëjta gjë ndodh edhe tani me kardinalin Fabio Baggio, i cili – sipas buletinit të sotëm të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – kalon nga nënsekretar i Dikasterit për Zhvillimin e Plotë Njerëzor në pro-prefekt, me përgjegjësi të veçantë për Qendrën e Formimit të Lartë Laudato si’. Kard. Baggio do të bashkëpunojë me prefekten motër Smerilli. Të dy do të marrin detyrën më 1 shtator.

Puna në Vatikan

Ekonomiste, akademike dhe pedagoge në institutin Auxilium të Milanos, e angazhuar në temat e drejtësisë sociale, ekonomisë civile dhe përfshirjes shoqërore, motra Alessandra Smerilli ka lindur në Vasto, është diplomuar në Universitetin Roma Tre dhe ka marrë doktoraturën (PhD) në Ekonomi në Mbretërinë e Bashkuar. Që nga viti 1997 është motër saleziane e Bijave të Marisë Ndihmëtare. Që në fillim ajo ka marrë detyra me rëndësi të madhe në strukturën e Vatikanit.

Në vitin 2019 u emërua këshilltare e Shtet Qytetit të Vatikanit, ndërsa në vitin 2020 u ngarkua të koordinojë grupin e punës për ekonominë në Komisionin e Vatikanit për Covid-19, organ i krijuar nga Papa për t’iu përgjigjur në mënyrë të shpejtë dhe gjithëpërfshirëse krizës shëndetësore dhe socio-ekonomike të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Ky komision u krijua dhe veproi brenda Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Promovimin e Zhvillimit të Plotë Njerëzor ku motra Alessandra në vitin 2021 u bë nënsekretare për sektorin “Feja dhe Zhvillimi”, më pas sekretare ad interim dhe, në vitin 2022, u emërua përfundimisht sekretare e të njëjtit dikaster.

Puna e gjerë e Dikasterit

Gjatë këtyre viteve, motra Smerilli ka bashkëpunuar ngushtë me kardinalin Czerny në punën e gjerë të Dikasterit, me seli në Pallatin San Calisto, në zemër të lagjes romake Trastevere. Në vitin 2017, ky dikaster bashkoi në një strukturë të vetme Këshillat Papnorë “Iustitia et Pax”, “Cor Unum”, “Këshillin për Baritorinë e Migrantëve dhe Udhëtarëve”, si edhe atë për “Punonjësit e Shëndetësisë”, me qëllimin e vetëm për të promovuar personin njerëzor dhe dinjitetin e çdo njeriu.

Në njëfarë mënyre, dikasteri funksionon si një “ministri e politikave sociale”, me kompetenca në fushat sociale, humanitare, shëndetësore dhe mjedisore. Janë të shumta projektet që ky dikaster ka zhvilluar në pesë kontinente. Ai është i organizuar në tre seksione kryesore sipas fushave të përgjegjësisë: Dëgjimi dhe Dialogu, Reflektimi dhe Kërkimi, si edhe Komunikimi dhe Shpërndarja e Rezultateve, ku punojnë shumë gra të kualifikuara.

Ndër sfidat me të cilat merret dikasteri – krahas varfërisë, mbrojtjes së mjedisit, ndihmës humanitare, çarmatimit, tregtisë, migracionit, financave, luftës dhe drejtësisë – viteve të fundit është shtuar edhe inteligjenca artificiale. Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Promovimin e Zhvillimit të Plotë Njerëzor merr pjesë në Komisionin e ri Ndërdikasterial për Inteligjencën Artificiale, i krijuar në muajin maj për të lehtësuar shkëmbimin e informacionit dhe projekteve mbi këtë revolucion të kohës sonë, të cilit Papa Leoni XIV i ka kushtuar enciklikën Magnifica Humanitas.

Sekretari i ri

Po brenda Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Promovimin e Zhvillimit të Plotë Njerëzor u bë i ditur sot edhe një emërim i tretë, përveç atyre të motrës Smerilli si prefekte dhe kardinalit Baggio si pro-prefekt. Sekretar i ri u emërua monsinjor Jozef Barlaš, një kanonist i ri me origjinë sllovake, i cili që nga nëntori i vitit 2025 shërbente si nënsekretar. Edhe ai do ta marrë detyrën më 1 shtator.

Në kuadër të emërimeve të sotme u njoftua gjithashtu edhe emërimi i monsinjor Marco Mellino si sekretar i Dikasterit për Tekstet Legjislative, ku deri tani shërbente si sekretar i shtuar.

30 qershor 2026, 14:25