Pallati i Shën Kalistit. Pallati i Shën Kalistit.

Vatikan: Mbledhja e parë e komisionit ndërdikasterial mbi Inteligjencën Artificiale

Më 17 qershor, në Pallatin e Shën Kalistit, përfaqësuesit e dikastereve për Doktrinën e Fesë, për Kulturën dhe Arsimin, për Komunikimin dhe Shërbimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor, dhe të Akademive Papnore për Jetën, Shkencën dhe Shkencat Shoqërore diskutuan rreth nismave në zhvillim e sipër, reflektuan mbi rolin e Komisionit të ri dhe biseduan rreth hapave të mëtejshëm.

Vatican News

U zhvillua më 17 qershor takimi i parë i Komisionit Ndërdikasterial i Selisë së Shenjtë mbi Inteligjencën Artificiale (ICAI), themeluar më 16 maj për të nxitur bashkërendimin dhe bashkëpunimin midis organizmave të ndryshme të Selisë së Shenjtë të angazhuara në studimin, reflektimin dhe përdorimin e IA-së.

Takimi mblodhi së bashku përfaqësues të Dikastereve për Doktrinën e Fesë, për Kulturën dhe Arsimimin, për Komunikimin dhe për Promovimin e Zhvillimit të Plotë Njerëzor, si dhe Akademive Papnore për Jetën, Shkencën dhe Shkencat Shoqërore, në pallatin e Shën Kalistit. Qëllimi ishte të ndaheshin me të tjerët nismat që kanë nisur tashmë; të identifikoheshin përparësitë e përbashkëta dhe të përcaktoheshin hapat e parë në një proces që synon nxitjen e një vizioni të përbashkët të Inteligjencës Artificiale në shërbim të dinjitetit njerëzor, të së mirës së përbashkët dhe të misionit të Kishës.

Dikasteri i Selisë së Shenjtë për Promovimin e Zhvillimit të Plotë Njerëzor u ngarkua me bashkërendimin e punimeve të komisionit gjatë vitit të parë të veprimtarisë së tij. Në fjalën e hyrjes, prefekti i tij, kardinali Michael Czerny, theksoi katër aspekte të rëndësishme të zhvillimit të inteligjencës artificiale: shpejtësinë e paparë të zhvillimit të saj, ndikimin në dinjitetin njerëzor, dialogun në rritje midis Kishës dhe sektorit të teknologjisë dhe jehonën e madhe që ka ngjallur enciklika «Magnifica Humanitas».

Vëmendje e veçantë iu kushtua nevojës për të shqyrtuar me zgjuarsi një dukuri që paraqet mundësi të mëdha, por edhe rreziqe dhe sfida gjithnjë e më të rëndësishme etike, shoqërore, kulturore dhe mjedisore. Institucionet e përfshira ilustruan vepritmaritë dhe reflektimet e tyre mbi inteligjencën artificiale, duke theksuar studimet dhe nismat që u janë kushtuar ndikimeve shkencore, shoqërore, etike dhe arsimore të teknologjisë. U kujtua gjithashtu edhe procesi i nisur me Kongresin mbi Etikën e IA-së dhe Thirrja e Romës për Etikën e IA-së, si dhe reflektimi mbi mesazhin e Atit të Shenjtë Leoni XIV mbi Marrëdhënien midis Inteligjencës Artificiale dhe Paqes për Ditën Botërore të Paqes 2024.

Bashkërendimi, trajnimi dhe dialogu

Lidhur me rolin e Komisionit të ri, u shfaq mirëkuptimi mbi nevojën për një shërbim të dyfishtë: nga njëra anë, për të nxitur bashkërendimin e brendshëm, ndarjen e informacionit me të tjerët dhe reflektimin mbi përdorimin e IA-së brenda institucioneve të Selisë së Shenjtë; nga ana tjetër, për të përcjellur një pikë referimi për shoshitjen dhe mbështetje për nismat e shumta në këtë fushë. Është e rëndësishme të ruhet një dialog i hapur me botën akademike, shkencore dhe të biznesit, si dhe me konferencat ipeshkvnore. Reflektimi i Kishës duhet të vazhdojë të shqyrtojë shndërrimet që po ndodhin në shoqëri. Nga ky këndvështrim, një faqe interneti përkushtuar kësaj tematike mund të jetë një mjet i dobishëm për popullarizimin e nismave dhe për nxitjen e qarkullimit të informacionit.

Hapat e mëtejshëm

Komisioni do të përcaktojë dalëngadalë dhe gjithnjë e më shumë metodën e tij të punës. Hapat fillestarë mund të përfshijnë regjistrimin e nismave ekzistuese, mbledhjen e temave të identifikuara nga subjekte të ndryshme dhe zhvillimin e udhëzimeve për përdorimin e inteligjencës artificiale brenda Selisë së Shenjtë.

Pjesëmarrësit shprehën mirënjohjen e tyre për këtë takim të parë të Komisionit Ndër-dikasterial mbi Inteligjencën Artificiale, jo vetëm për krahasimin interesant ndërmjet nismave të kaluara dhe atyre aktuale, por edhe për përvojën e subjekteve të ndryshme të përfaqësuara dhe përfitimet që priten nga ky bashkërendim. Takimi u zhvillua në frymën e enciklikave «Praedicate Evangelium» dhe «Magnifica Humanitas».

Komisioni do të mblidhet përsëri në gjysëm të korrikut.

28 qershor 2026, 15:53