Situata më serioze është në shtetin bregdetar të La Guaira, rreth 30 kilometra nga Karakasi, të cilin Rodríguez e ka përshkruar si një "zonë katastrofe" (AFP ose licencuesit) Situata më serioze është në shtetin bregdetar të La Guaira, rreth 30 kilometra nga Karakasi, të cilin Rodríguez e ka përshkruar si një "zonë katastrofe" (AFP ose licencuesit)

Tërmeti në Venezuelë: Papa dërgon ndihmë prej 100 mijë eurosh

Kjo shumë i është dërguar krerëve të Kishës në vendin e Amerikës Latine përmes Lëmoshtarisë Apostolike. Shteti bregdetar i La Guaira-s është më i godituri, i cilësuar nga presidentja Rodríguez si një “zonë fatkeqësie”. Ipeshkvi Imzot Pablo Modesto González Pérez u shpreh: "Jemi pa energji elektrike dhe të gjithë jemi prekur nga kjo situatë. Në seminar janë rrëzuar shumë mure".

Vatican News

Papa Leoni XIV ka dërguar një ndihmë të parë prej 100 mijë eurosh për popullin e Venezuelës, i goditur nga tërmeti i fuqishëm që tronditi vendin natën e 25 qershorit. Shuma është vënë në dispozicion përmes Zyrës së Lëmoshtarisë Apostolike dhe do të shpërndahet në bashkëpunim me Kishën vendore për t’u ardhur në ndihmë të prekurve nga katastrofa.

Vendimi u mor pas kontakteve me Nuncin apostolik në Venezuelë, imzot Alberto Ortega Martín, dhe me kryeipeshkvin e Karakasit, imzot Raúl Biord Castillo. Selia e Shenjtë ka bërë të ditur se do të vazhdojë ta ndjekë me vëmendje situatën dhe nevojat e popullsisë, duke ofruar mbështetje sipas kërkesave që do të paraqiten nga Kisha vendore.

Sipas të dhënave zyrtare, zona më e goditur është shteti bregdetar i La Guairas, i shpallur “zonë katastrofe” nga presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez. Dy lëkundje të forta sizmike, me magnitudë 7.2 dhe 7.5 ballë, goditën veriperëndimin e vendit, duke shkaktuar pasoja të rënda. Bilanci i përkohshëm flet për të paktën 164 viktima dhe 971 të plagosur, ndërsa autoritetet druhen se numri i të vdekurve mund të rritet gjatë operacioneve të kërkim-shpëtimit.

Për momentin nuk ka shifra zyrtare, por Shërbimi Meteorologjik i SHBA-së vlerëson mbi dhjetë mijë viktima. Tërmeti — ndër më të fuqishmit e shekullit të fundit — ka goditur të paktën pesë rajone, ndërsa dridhjet janë ndjerë edhe në vendet fqinje, duke shkaktuar alarm dhe panik të gjerë në të gjithë zonën.

Në La Guaira janë shembur dhjetëra ndërtesa dhe ekipet e emergjencës vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar nën rrënoja. Dëme të konsiderueshme janë regjistruar edhe në kryeqytetin Karakas. Tërmeti është ndier gjithashtu në Kolumbi dhe është pasuar nga mbi njëzet lëkundje të tjera më të lehta.

Që në orët e para pas fatkeqësisë, Kisha Katolike u vu në shërbim të popullsisë së goditur. Shumë famulli hapën dyert për të strehuar familjet që kishin humbur shtëpitë e tyre, ndërsa rrjeti i Caritas-it nisi menjëherë ndihmat humanitare. Edhe Caritas Internationalis njoftoi për një fond emergjent prej 100 mijë eurosh për fazën e parë të ndërhyrjeve.

Kryeipeshkvi i Karakasit, imzot Raúl Biord Castillo, pas vizitave në zonat e prekura, deklaroi se shumë kisha dhe struktura kishtare kanë pësuar dëmtime serioze. Ai theksoi se numri i viktimave mund të kishte qenë shumë më i lartë po të mos kishte ndodhur tërmeti në një ditë pushimi.

Veçanërisht e rëndë paraqitet gjendja në dioqezën e La Guairas. Ipeshkvi i saj, imzot Pablo Modesto González Pérez, bëri të ditur se zona ka mbetur pa energji elektrike dhe se shumë ndërtesa kishtare janë dëmtuar. “Jemi të gjithë të prekur. Në seminar janë shembur shumë mure”, deklaroi ai, duke shtuar se edhe disa Kisha kanë pësuar dëme të mëdha.

Ndërkohë, nga mbarë bota po vijnë shenja solidariteti. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar dërgimin e ekipeve të kërkim-shpëtimit, personelit mjekësor dhe ndihmave humanitare. Mbështetje kanë ofruar gjithashtu Kolumbia, Kuba, Ekuadori, Uruguaji, India, Italia dhe vende të tjera.

Në këtë kohë prove për Venezuelën, ndihma e Papës dhe solidariteti i bashkësisë ndërkombëtare përbëjnë një shenjë konkrete afërsie dhe shprese për mijëra familje që po përballen me pasojat e kësaj tragjedie.

25 qershor 2026, 15:53