Në tetor 2026, në Vatikan, një takim me rastin e dhjetëvjetorit të Amoris laetitia Në tetor 2026, në Vatikan, një takim me rastin e dhjetëvjetorit të Amoris laetitia

Amoris Laetitia: publikohet dokumenti përgatitor për takimin e tetorit 2026

Dikasteri i Vatikanit për Laikët, Familjen dhe Jetën, së bashku me Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit, kanë bërë publik “Rrugëtimin Tematik”, dokumentin që shërben si mjet përgatitjeje dhe orientimi për Takimin që Papa Leoni XIV ka thirrur në Vatikan, nga 7 deri më 14 tetor, me krerët e Kishave Katolike Lindore dhe kryetarët e Konferencave Ipeshkvore, me rastin e dhjetëvjetorit të Nxitjes Apostolike Amoris laetitia të Papa Françeskut.

Vatican News

Në dhjetëvjetorin e nxitjes apostolike Amoris laetitia, publikohet “Rrugëtimi Tematik” i cili përgatit dhe shoqëron ecjen e Takimit 2026 që Papa Leoni XIV do të zhvillojë, në Vatikan, me krerët e Kishave Katolike Lindore sui iuris dhe me kryetarët e Konferencave Ipeshkvore, nga 7 deri më 14 tetor 2026, u është dërguar atyre dhe sot i paraqitet edhe mbarë Kishës.

Ky takim ishte shpallur nga Ati i Shenjtë me Mesazhin e 19 marsit 2026, në kremtimin e dhjetëvjetorit të Amoris laetitia, Nxitjes Apostolike pas-sinodale që Papa Françesku e botoi më 19 mars 2016. Ky dokument lindi si fryt i një udhëtimi trevjeçar të shoshitjes sinodale, të ushqyer nga dëgjimi, dialogu dhe lutja, e që pati në zemër Asamblenë III të Përgjithshme të Jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve (2014) dhe Asamblenë XIV të Përgjithshme të Zakonshme të po këtij Sinodi  të Ipeshkvijve (2015).

Dëgjimi reciprok dhe shqyrtimi sinodal

Duke i njohur ndryshimet që vazhdojnë të ndikojnë në familje, Papa Leoni shprehu qëllimin e tij për të "vazhduar, përmes dëgjimit të ndërsjellë, drejt një shqyrtimi sinodal mbi hapat që duhen ndërmarrë për t'ua shpallur Ungjillin familjeve sot, në dritën e Amoris Laetitia dhe duke pasur parasysh çka po arrihet në Kishat lokale". Në përfundim të Koncistorit të Jashtëzakonshëm të kohëve të fundit, më 27 qershorin e kaluar, Papa Leoni XIV u rikthye tek tema e familjes: "Kur familja mbështetet dhe shoqërohet, rritet një shkollë marrëdhëniesh, solidariteti dhe shprese; kur  është e plagosur ose e izoluar, e gjithë shoqëria mbart pasojat". Në të njëjtin rast, njoftoi se në Takim i tetorit 2026 do të marrin pjesë edhe disa familje, të ftuara për të ndarë përvojat: "Prania e tyre është themelore, por shpresoj se të gjithë ata që vijnë, do të përgatiten duke dëgjuar me vëmendje dhe duke sjellë përvojën e familjeve të Kishave vendase".

Hapësirë ​​e vërtetë për takim

Në Romë, ipeshkvijtë e mbarë botës do të ftohen për të diskutuar temat e përshkruara në Rrugën Tematike, për të dëgjuar njëri-tjetrin e për të diskutuar në Kishat e tyre lokale e së bashku me familjet, një veprim të përbashkët baritor për familjen, jetën njerëzore dhe thirrjen në martesë. Në të vërtetë, ditët e punës synojnë të jenë hapësirë ​​e vërtetë për takim, dëgjim dhe dallim: duke mirëpritur përvojat e gjalla të familjeve, duke ndarë histori konkrete jete, duke reflektuar mbi nismat mbështetëse që po zbaton bashkësia kishtare dhe duke u angazhuar me ekspertë. Në këtë kuptim, Konferencat Ipeshkvnore dhe Kishat Katolike Lindore ftohen të reflektojnë mbi bërthamat tematike në muajt para takimit, duke vlerësuar dëgjimin e familjeve në Kishat lokale.

Është prandaj një proces jashtëzakonisht baritor, i cili i vendos familjet në qendër jo vetëm si marrëse të veprimit të Kishës, por edhe si subjekte të misionit të saj, përmes të cilit Ungjilli merr formë në marrëdhëniet, zgjedhjet, brishtësinë dhe shpresën e përditshme. Takimi, ndonëse nuk është Asamble e Sinodit të Ipeshkvijve, do të mbahet në stilin sinodal sepse - siç tregoi Papa Leoni XIV në mbyllje të Koncistorit të fundit - e ndan shpirtin e procesit të zbatimit të Sinodit, i cili përbëhet nga dëgjimi, lutja dhe shoshitja.

Temat

Propozohen pesë fusha tematike për reflektim të pjesëmarrësve, para dhe gjatë takimit të tetorit 2026:

1. Familjet sot: realiteti, bukuria dhe sfidat - Dallimi i shenjave të kohëve duke u nisur nga përvoja e familjeve dhe angazhimi i Kishës sot.

2. Të Rinjtë dhe zbulimi i thirrjes së martesës - Dëgjimi i të rinjve dhe shoqërimi i tyre në zbulimin e vlerës së martesës.

3. Jeta martesore. Vitet e para të martesës: kohë vendimtare - Dëgjimi dhe shoqërimi i çifteve në vitet e para të jetës martesore dhe në çdo fazë të jetës.

4. Në vështirësitë e jetës: shoqërimi dhe mbështetja - Ecja me familjet në situata të ndërlikuara.

5. Familjet e krishtera, subjekte të misionit të Kishës – Të mirëpritet dashuria martesore dhe familjare si forcë lëvizëse për misionin.

Itinerari tematik është i disponueshëm në https://www.laityfamilylife.va/ dhe https://www.synod.va në gjuhë të ndryshme.

06 korrik 2026, 13:41