Kardinali Tagle në Meshën e lumturimit të Shërbëtorit të Nderuar të Zotit Francesco Saverio Trương Bửu Diệp (Afp) Kardinali Tagle në Meshën e lumturimit të Shërbëtorit të Nderuar të Zotit Francesco Saverio Trương Bửu Diệp (Afp)

Kard. Tagle: varfëria e ndershme fiton mbi pasurinë e korruptuar, jo luftës

Në homelinë e Meshës së Lumnimit të shërbëtorit të nderuar të Zotit Francesco Saverio Trương Bửu Diệp, kardinali pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin i fton besimtarët të kapen fort pas Jezusit në jetën e përditshme, duke marrë mbi vete vuajtjet e të tjerëve dhe duke përhapur me përvujtëri dhe autenticitet mësimet e Tij.

Vatican News

Kardinali Tagle, në emër të Papës Leoni XIV, kryesoi në Tac Say, në Vietnam, përpara rreth 70 mijë besimtarëve, kremtoi ritin e lumnimit të meshtarit martir Trương Bửu Diệp, vrarë në vitin 1946. Qe hera e parë që Kisha Katolike në Vietnam mundi të kremtonte një rit të tillë në vend.«Ai na mëson t'i japim përparësi ndershmërisë përballë korrupsionit, ndarjes e bujarisë përballë egoizmit dhe solidaritetit në vend të kërkimit vetëm të interesit vetjak».

“Çfarë do të zgjedhim?” Kjo është një pyetje për të ardhmen, por që përgjigjet jepen në të tashmen. Të bëhesh i pasur përmes korrupsionit apo të mbetesh i varfër, por i ndershëm? Të vishesh sipas modës apo të veshësh petkun e dashurisë dhe thjeshtësisë së Jezusit? T’i besosh premtimit të Tij apo të ndjekësh urinë e përkohshme për “like” dhe ndjekës? T’i besosh armëve të luftës apo paqes?

Këto ishin pyetjet e ngritura nga kardinali Luis Antonio Gokim Tagle, pro-prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Ungjillëzimin – Seksioni për Ungjillëzimin e parë dhe Kishat e reja të veçanta – në homelinë e Meshës së Lumnimit të shërbëtorit të nderuar të Zotit Francesco Saverio Trương Bửu Diệp, të cilën e kryesoi sot, më 2 korrik, në Shenjtëroren e Tac Say, në Cà Mau, në dioqezën e Can Tho në deltën e Mekongut, në Vietnam, në përfaqësim të Papës Leoni XIV.

Natyra e martirit

Në homeli, kardinali Tagle meditoi mbi martirizimin e meshtarit vietnamez, Atë Truong Buu Diep, i vrarë në vitin 1946, për shkak se nuk pranoi të braktiste bashkësinë e tij. Buu Diep u keqtrajtua brutalisht dhe u vra për urrejtje ndaj fesë në Krishtin në vitin 1946, në moshën 49-vjeçare nga milici të rekrutuara me Viet Minh, për shkak se nuk pranoi të braktiste bashkësinë e tij.

“A nuk do të ishte më logjike ta quanim martirin një njeri të pafat apo fatkeq, në vend se të lumtur?”. Përgjigjja e kardinalit Tagle u mbështet në mësimin e Ungjillit, sipas të cilit përndjekja e pësuar për shkak të Jezusit është “çelësi i lumturisë”. Një barrë që mund ta mbajë vetëm ai që i përket Atij thellësisht, duke ruajtur fjalën e Tij “dhe jo gënjeshtrat e përhapura nga bota”.

Të ndjekësh Jezusin me gëzim, butësi dhe guxim

Shembulli i të Lumit Francesco Saverio Trương Bửu Diệp bëhet kështu një thirrje për të zgjedhur Jezusin dhe për t’u kapur pas Tij në jetën e përditshme, duke e dëshmuar me fjalë dhe vepra. Ky është kuptimi i martirizimit, i cili nuk lidhet vetëm me vuajtjen dhe vdekjen, por edhe me të qenët “misionarë në kuptimin më të plotë”, duke ruajtur gëzimin, butësinë dhe guximin. Pikërisht siç bëri meshtari Bửu Diệp, i cili “nuk u lëkund kurrë” në dëshminë e dashurisë dhe drejtësisë edhe ndaj jo të krishterëve.

Bota mund të harrojë, Jezusi jo

Martiri i vërtetë, përfundoi kardinali Tagle, e ndihmon “botën e hutuar të zbulojë të vërtetën e Jezusit”, duke iu kundërvënë numrit “gjithnjë e më të madh të lajmëtarëve të gënjeshtrës, urrejtjes, përçarjes dhe dhunës”. Sepse bota, në të vërtetë, “mund të na harrojë”, por Jezusi i Ngjallur nuk e bën këtë kurrë.

02 korrik 2026, 12:51