Kard. Zuppi në Kyiv: lutje për paqen dhe kthimin e robërve në shtëpi
Vatican News
Nën të njëjtin qiell prej nga, edhe gjatë natës së fundit, raketat goditën qytetet dhe infrastrukturën civile të Ukrainës, kardinali Matteo Maria Zuppi bëri në Kyiv një lutje të thjeshtë, por të fuqishme drejtuar Zotit, në gjuhën ukrainase. Në zemër të kryeqytetit, gjatë kremtimeve të Ditës së Shtetësisë së Ukrainës, ai iu drejtua Hyjit të Gjithëpushtetshëm me një lutje për popullin e vuajtur të këtij vendi, duke kërkuar dhuratën e paqes.
"Dhuroji Ukrainës së dashur një paqe të drejtë. Bëj që robërit të kthehen në shtëpitë e tyre, fëmijët të përqafojnë përsëri familjet e tyre, të zhdukurit të gjenden dhe çdo familje të mund të vajtojë me dinjitet të dashurit e saj. Frymëzo secilin prej nesh me guxim dhe urti që të bëhemi ndërtues të paqes", u lut kardinali Zuppi.
Kjo lutje shënoi një nga momentet më prekëse të ditës së tretë të misionit të kryetarit të Konferencës Ipeshkvore Italiane në Ukrainë. Kardinali Zuppi mbërriti në vend më 13 korrik për të përcjellë afërsinë e Papës Leoni XIV dhe për të vazhduar misionin humanitar që Selia e Shenjtë nisi në vitin 2023 me dëshirën e Papa Françeskut. Një mision që synon të mbajë të hapura rrugët e dialogut dhe të ndihmojë në kthimin e robërve të luftës, të fëmijëve të larguar nga vendi dhe të trupave të viktimave.
Paraditen e 15 korrikut, pasi kremtoi Meshën në Nunciaturën Apostolike në Kyiv së bashku me nuncin apostolik në Ukrainë, imzot Visvaldas Kulbokas, kardinali mori pjesë në kremtimet për Pagëzimin e Rusisë së Kyivit, ngjarje që përkujton pranimin e krishterimit nga princi Shën Volodymiri i Madh në vitin 988. Kjo ditë, që në Ukrainë kremtohet edhe si Dita e Shtetësisë, kujton rrënjët shpirtërore dhe historike të kombit ukrainas.
Në sheshin e Shën Mëhillit, pranë manastirit me kupolat e arta, sot i kthyer në një vend kujtese për viktimat e luftës, kardinali Zuppi eci së bashku me autoritetet përgjatë Murit të Kujtesës, ku janë vendosur fotografitë e mijëra ushtarëve dhe civilëve të rënë. Në duar mbante një buqetë me trëndafila të kuq, të cilën e vendosi në nderim të të gjithë atyre që kanë humbur jetën në konflikt.
Në lutjen e tij, kardinali Zuppi iu drejtua edhe Shën Volodymirit, duke kujtuar se emri i këtij shenjti është edhe emri i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, si edhe i presidentit rus Vladimir Putin. "Shën Volodymiri ndriçoftë mendjet dhe zemrat e të dy udhëheqësve, që të hapin shtigje drejt drejtësisë dhe paqes", u lut kard. Zuppi.
Edhe dita e mëparshme ishte e mbushur me takime që flasin për plagët e luftës dhe për përpjekjet për t'i shëruar ato. Në rajonin e Lvivit, kardinali Zuppi vizitoi koloninë penale Zakhid-1, ku mbahen robër lufte, dhe u takua me autoritetet rajonale për të diskutuar mbi bashkëpunimin në fushën humanitare, veçanërisht për riatdhesimin e robërve, kthimin e fëmijëve dhe kërkimin e personave të zhdukur.
Një moment me ngarkesë të veçantë emocionale ishte vizita në selinë e Komunitetit të Shën Egjidit në Lviv. Aty kardinali Zuppi përqafoi dhjetëra të zhvendosur nga lufta – gra, të moshuar dhe fëmijë – të cilëve u përcolli afërsinë e Papës Leoni XIV dhe sigurinë se Kisha nuk pushon së luturi dhe së punuari për paqen.
Në një kohë kur zhurma e armëve vazhdon të mbulojë zërat e shpresës, prania e kardinalit Zuppi në Ukrainë dëshmon angazhimin e Selisë së Shenjtë për të mos reshtur së kërkuari rrugë dialogu, pajtimi dhe një paqeje të drejtë, që respekton dinjitetin e çdo njeriu dhe i hap udhë një të ardhmeje pa dhunë.