Lampedusa pret Papën Leoni, do të përdoret e njëjta Campagnola, si 13 vjet më parë

Papamobili i përket një banori 82-vjeçar të ishullit, që kujton: 'për mua është bërë rutinë'

Vatican News

Papamobili lampeduzian është gati për vizitën e Papës Leoni të shtunën! Ashtu siç ishte më 8 korrik 2013, për udhëtimin e parë apostolik Fiat Nuova Campagnola të Papës Françesku, me sediljet e pasme të modifikuara, pronë e Ennio Delfinos, milanez në pension që, për gati 50 vjet, e zgjodhi Lampedusën jo vetëm si destinacion pushimesh verore, por edhe si shtëpinë e tij të dytë. "Herën e parë, Vatikani më thirri e xhandarmëria erdhi për të inspektuar makinën. Ata menjëherë dhanë miratimin për Papën Françesku", tregon tetëdhjetë e dy vjeçari Ennio Delfino. "Këtë herë, kryebashkiaku Filippo Mannino më kontaktoi. E nga Vatikani thanë, ashtu si më parë: 'Në rregull, në rregull, edhe këtë herë', "është makinë e përshtatshme për Papën Leoni".

Delfino nuk thotë se është posaçërisht i prekur: "Emocioni - shpjegon ai - ishte herën e parë, tani u bë pothuajse rutinë, e Campagnola është bërë Papamobile e Lampedusës. Makina ka ngjyrat origjinale, të bardha, dhe është e njëjta që Vatikani e ka në garazhin e tij si Papamobil zyrtar. I njëjti vit, 1978, e i njëjti model". Papamobili i Lampedusës është identik me atë të vitit 1981, që përdoret ende në Vatikan për ta lejuar Papën të vizitojë besimtarët gjatë audiencave në Sheshin e Shën Pjetrit, që hyri në histori për atentatin kundër Gjon Palit II.

"Në vitin 2013, unë dhe gruaja ime u pritëm në Lampedusa nga Papa Françesku. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm!" - kujton Delfino - "Nuk e di nëse do të ndodhë përsëri. Ata kërkuan emrat dhe ua dhamë, por unë ende nuk di shumë për këtë takim të ri hipotetik privat".

Tetëdhjetë e dy vjeçari milanez, i cili e ka adoptuar Lampedusën, nuk e di ende nëse do t'i duhet ta dorëzojë vetë makinën në një vend të paracaktuar, apo nëse dikush do ta marrë atë para mbërritjes së Papës Leoni në Ishullin më të madh Pelagjie. "Nuk dihet shumë; as nuk e di për cilën pjesë të rrugës do të përdoret Campagnola", përfundon ai. Papa Françesku e përdori Fiat Nuova Campagnola-n e Delfinos për të shkuar nga skela Favarolo në selinë e Zonës së mbrojtur detare të ishujve Pelagie, ku pati kremtuar Meshën Shenjte 

02 korrik 2026, 09:51