Kard. Czerny me rastin e hapjes së punimeve të Asamblesë së 21-të Plenare të Shoqatës së Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës Lindore (AMECEA) në Nairobi. Kard. Czerny me rastin e hapjes së punimeve të Asamblesë së 21-të Plenare të Shoqatës së Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës Lindore (AMECEA) në Nairobi.  

Kard. Czerny në Nairobi për hapjen e Asamblesë Plenare të AMECEA-s

Kard. Czerny, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Plotë Njerëzor, kryesoi dje paradite në kryeqytetin kenian Meshën me rastin e hapjes së punimeve të Asamblesë së 21-të Plenare të Shoqatës së Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës Lindore (AMECEA). Asambleja po zhvillohet në Universitetin Katolik të Afrikës Lindore në Nairobi dhe do të zgjasë deri më 26 korrik, me temën: "Rrugëtimi sinodal i AMECEA-s me të rinjtë: të ndërtojmë ura bashkimi, shprese, drejtësie e qqeverisjeje të mirë.

Vatican News

Të ndërtohen ura të vërteta bashkimi, shprese, drejtësie dhe qeverisjeje të mirë, duke ndarë fenë dhe burimet që prania e Krishtit të rritet në botë. Ky ishte mesazhi që kardinali Michael Czerny, prefekt i Dikasterit për Shërbimin e Zhvillimit të Plotë Njerëzor, ua besoi rreth 140 ipeshkvijve që morën pjesë në Meshën e kremtuar të dielën, më 19 korrik, në Nairobi, me rastin e hapjes së punimeve të Asamblesë së 21-të Plenare të Shoqatës së Konferencave Ipeshkvnore të Afrikës Lindore (AMECEA).

Asambleja po zhvillohet në Universitetin Katolik të Afrikës Lindore, në kryeqytetin kenian, dhe do të zgjasë deri më 26 korrik. Tema e saj është: "Rrugëtimi sinodal i AMECEA-s me të rinjtë: të ndërtojmë ura bashkimi, shprese, drejtësie dhe qeverisjeje të mirë".

Kjo vizitë në Kenia është një nga misionet e fundit zyrtare të kardinalit jezuit Michael Czerny si prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Shërbimin e Zhvillimit të Plotë Njerëzor. Më 18 korrik ai mbushi 80 vjeç, ndërsa Papa, më 30 qershor, emëroi si pasardhëse të tij motër Alessandra Smerilli, saleziane, e cila do ta marrë detyrën më 1 shtator.

Në homelinë e tij, duke shtruar pyetjen: "Çfarë është Mbretëria e Hyjit që po vjen? Dhe si mund të bëhemi shërbëtorë të saj?", kardinali Czerny ftoi të pranishmit ta zbulojnë përsëri forcën shndërruese të Mbretërisë së Zotit, si "një farë e mbushur me shpresë", përballë pesimizmit dhe dorëzimit. Kard. Czerny iu referua disa herë enciklikës Magnifica humanitas të Papa Leonit XIV dhe, duke komentuar Ungjillin e së dielës së 16-të gjatë vitit kishtar (Mt 13, 24-43), kujtoi se tri shëmbëlltyrat – gruri dhe egjra, fara e sinapit dhe tharmi – na mësojnë se Mbretëria e Hyjit nuk është e largët apo e huaj për ne; ajo është tashmë në mesin tonë, por kërkon vetëdije dhe angazhim konkret.

Duke u ndalur te shëmbëlltyra ungjillore e farës së sinapit, kardinali Czerny theksoi se, sipas enciklikës së Papës Magnifica humanitas, nuk duhet ta shohim të tashmen si një fat të mbyllur, por si një hapësirë të hapur ndaj kthimit personal dhe shoqëror. Forca e Mbretërisë së Zotit, tha ai, zhvillohet si fara që, sapo mbillet, mbin dhe rritet. "Ndërsa zhurma e rrëmujës na rrethon, e mira rritet në heshtje nga toka." Duke iu drejtuar posaçërisht të rinjve, ai i nxiti: "Mos lejoni t'ju vidhet shpresa!", duke i ftuar të gjithë të mësojnë çdo ditë të ndërtojnë "ura shprese".

Mbi shëmbëlltyrën ungjillore të grurit dhe egjrës, kardinali Czerny vuri në dukje se Mbretëria e Hyjit kërkon durim dhe maturi. Ai paralajmëroi të mos bihet pre e tundimit për zgjidhje të shpejta, të lehta dhe ndëshkuese, të cilat rrezikojnë të shkatërrojnë të mirën pikërisht aty ku ajo sapo ka filluar të mbijë.

Edhe në jetën shoqërore dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke cituar sërish enciklikën Magnifica humanitas, kardinali Czerny tha se është e domosdoshme të nxitet dialogu me të gjithë, edhe me ata që konsiderohen më të vështirë ose që duken pa legjitimitet për të negociuar. Vetëm me përvujtëri dhe durim mund të rikthehen edhe shenjat më të brishta të vullnetit të mirë ndërmjet palëve në konflikt, duke hapur rrugën e pajtimit.

Kjo qasje e matur dhe e durueshme, shtoi kardinali Czerny, duhet të na çojë drejt zhvillimit të një "diplomacie të përditshme", duke ndërtuar ura mes nesh dhe me të gjithë, si në Kishë ashtu edhe në shoqëri. Në këtë kuadër ai kujtoi edhe fjalët e Benediktit XVI në fillim të shërbesës së tij si Papë: "Bota shpëtohet nga durimi i Zotit. Ajo shkatërrohet nga padurimi i njeriut".

Në përfundim, kardinali Czerny u ndal te shëmbëlltyra ungjillore e tharmit, duke theksuar se puna e heshtur, e plotë dhe me të vërtetë e frytshme për të shndërruar situatat e vuajtjes dhe të padrejtësisë është mënyra me të cilën të krishterët janë të thirrur ta ndryshojnë botën nga brenda. Në bashkim të thellë me Zotin dhe me njëri-tjetrin, përmes fuqisë së Shpirtit Shenjt, ata mund të bëhen maja që e shndërron të gjithë brumin e shoqërisë.

20 korrik 2026, 10:27