Papa Leoni XIV Papa Leoni XIV

Papa Leoni sonte në Koncertin e organizuar në nder të tij në Castel Gandolfo

Sonte më 18 korrik, në oborrin e Pallatit Apostolik në Castel Gandolfo do të zhvillohet një koncert i organizuar nga Dioqeza e Albanos për nder të Papës Leoni XIV. Veprimtaria, e ofruar nga ipeshkvi imzot Vincenzo Viva, synon të shprehë «afërsinë dhe dashurinë» ndaj Atit të Shenjtë, përmes «një çasti me bukuri të vërtetë».

Vatican News

Këtë verë, Kastel Gandolfo ka gjetur sërish atmosferën e saj të dikurshme. Papa Leoni XIV vendosi të rikthejë një traditë të dashur që kishte mbetur pezull gjatë dymbëdhjetë viteve të papnisë së Papa Françeskut: kalimin e pushimeve verore në Pallatin Apostolik, buzë liqenit të qetë. Për të festuar këtë rikthim që ka sjellë aq shumë entuziazëm, Dioqeza fqinje e Albanos – të cilën Ati i Shenjtë e njihte mirë, pasi kishte shërbyer aty si kardinal titullar përpara zgjedhjes së tij në vitin 2025 – vendosi t'i bënte një dhuratë të veçantë, një koncert simfonik me muzikë të zgjedhur klasike.

Kështu, sonte një mbrëmje e veçantë me tingujt e muzikës klasike do t'i kushtohet sonte Papa Leonit XIV në Castel Gandolfo. Në orën 21:00, oborri i Pallatit Apostolik do të shndërrohet në skenën e "Koncertit në nder të Shenjtërisë së Tij, Papa Leoni XIV", një aktivitet i organizuar nga Dioqeza e Albanos, ku Ati i Shenjtë do të marrë pjesë personalisht.

Organizatorët e përshkruajnë koncertin si një dhuratë simbolike për Papën, një mënyrë për t'i shprehur afërsinë, mirënjohjen dhe dashurinë përmes gjuhës universale të muzikës. Në rezidencën verore të papëve do të interpretohen vepra nga repertori klasik, me kompozime të Niccolò Paganinit dhe Vincenzo Bellinit, duke i dhënë mbrëmjes një atmosferë solemne dhe plot elegancë.

Ipeshkvi i Albanos, Vincenzo Viva, theksoi se rikthimi i pranisë së Papës në territorin e dioqezës ka sjellë gëzim të madh për Kishën vendore dhe për të gjithë besimtarët. Sipas tij, koncerti është menduar si një shenjë dashurie, bashkimi dhe përkushtimi, ndërsa programi artistik përmban vepra me një bukuri të rrallë.

"Shpresojmë që kjo mbrëmje të mbetet në kujtesë si një çast i bukurisë së vërtetë dhe si një dhuratë e përbashkët për Kishën tonë të Albanos, e shoqëruar me dashurinë dhe lutjet tona për Papën dhe për misionin që i është besuar", u shpreh ipeshkvi  imzot Viva.

Koncerti pritet të jetë një nga momentet më domethënëse të qëndrimit veror të Papa Leonit XIV në Castel Gandolfo, duke bashkuar besimtarë, artistë dhe autoritete kishtare në një mbrëmje ku muzika bëhet shprehje e besimit, mirënjohjes dhe bashkimit.

18 korrik 2026, 10:09