Pas një viti, DBR e Seulit, Farrell: qoftë përvojë e mirëfilltë feje
Vatican News
Bashkëpunimi ndërkombëtar, shërbimet për shtegtarët, strehimet, transporti, siguria, ndihma mjekësore, komunikimet... Një vit deri në DBR-në (WYD) tjetër, që do të mbahet nga 3 deri më 8 gusht 2027, në Seul të Koresë – dita e dytë në Azi, pas Manilës në vitin 1995 - e para, në një vend ku Krishterimi është fe minoritare - komiteti organizator lokal, i cili mbështetet në bashkëpunimin e 378 vullnetarëve, po kalon nga faza përgatitore, në zbatimin e plotë të projektit në të gjithë sektorët. Tema zyrtare, e zgjedhur nga Papa Françesku, është "Guxoni: Unë e munda botën!", marrë nga Ungjilli i Gjonit.
Farrell: vlerësoni programet përgatitore për DBR-në
"Të rinjtë që do të udhëtojnë në Kore me meshtarët e tyre," thekson për mediat e Vatikanit Kardinali Kevin Farrell, Prefekt i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën, "janë gjithnjë e më shumë në qendër të përgatitjeve për ngjarjen. Himni, së bashku me lutjen zyrtare dhe dëshmitë e pesë Shenjtorëve Mbrojtës të zgjedhur për këtë edicion ndërkombëtar të Ditës së Re, është mjet baritor që do t'i ndihmojë të rinjtë të përgatiten shpirtërisht për ngjarjen e vitit 2027". Prefekti shtoi edhe se "gjatë historisë së saj dyzetvjeçare, Dita Botërore e Rinisë është pasuruar vazhdimisht, falë besimit, entuziazmit dhe pjesëmarrjes aktive të të rinjve dhe Kishave lokale". Ndërsa për ipeshkvijtë dhe udhëheqësit e shërbesave rinore në të gjithë botën, Kardinali Farrell përsërit ftesën e tij për të udhëtuar me të rinjtë drejt Seulit 2027, "duke i vlerësuar këto mjete në përgatitjen e tyre, e duke i ndihmuar ata ta jetojnë fenë si përvojë autentike besimi, bashkësie kishtare dhe takimi personal me Jezusin".
Himni Zyrtar dhe Fushata ekologjike “Breath of life” - "Frymë jete"
Himni zyrtar për ngjarjen do të publikohet në kanalin YouTube të Ditës Botërore të Rinisë, në Seul, më 3 gusht. Kënga u zgjodh nga 434 propozime, 294 prej të cilave erdhën prej jashtë vendit. Kompozimi fitues, "Confidite, Ego Vici Mundum" (tema e Ditës Botërore të Rinisë në latinisht), u shkrua nga kompozitori korean Francis Jiyoon Kim. Krijimi i himnit "Frymë Jete" plotësohet nga fushata globale e mbjelljes së pemëve, e cila i fton të rinjtë të mbjellin pemë në vendet e tyre dhe të ndajnë pjesëmarrjen në internet. E frymëzuar nga Laudato Si' e Papës Françesku dhe duke ndjekur shembullin e Ditës Botërore të Rinisë së mëparshme të Portugalisë, në vitin 2023, fushata synon të angazhojë shtegtarët e ardhshëm në veprime konkrete ekologjike, duke demonstruar kështu përgjegjësi për të ardhmen. Fushata bazohet në një nismë lokale të nisur në vitin 2025, në bashkëpunim me Shërbimin Pyjor Korean dhe Qeverinë Metropolitane të Seulit.
Ditë në dioqezat koreane
Regjistrimi do të jetë në faqen zyrtare të internetit të GMG, e cila tashmë ofron informacion logjistik dhe pako për shtegtarët. Para se të udhëtojnë për në Seul, për shtegtarët pritet të marrin pjesë ndër "Ditët në dioqeza" nga 29 korriku - deri më 2 gusht në 15 dioqeza, në mbarë Korenë. Do të qëndrojnë pranë komuniteteve lokale dhe do ta jetojnë nga afër besimin dhe kulturën e Kishës Koreane.
"Gjatë tre vjetëve të fundit, ne jemi përqendruar në hedhjen e themeleve për ngjarjen", kujton Kryeipeshkvi i Seulit Peter Soon-taick Chung, president i komitetit organizator.
"Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që DBR e Seulit 2027 të jetë kremtim shprese dhe dëshmi e mikpritjes dhe e solidaritetit që ofrojnë Koreja dhe Seuli".