Skizma e Lefebvre përsëritet 38 vjet më vonë
Vatican News
Nga Andrea Tornielli
Është një histori e trazuar, e përbërë nga përpjekje bujare, dyer të mbajtura hapur dhe mundësi të ofruara. Është një histori e dhimbshme, e shënjuar nga dy çarje të rënda që kanë çuar Vëllazërinë Meshtarake Shën Piu X, të themeluar nga kryeipeshkvi Marcel Lefebvre, të ndahet nga Papa dhe nga bashkësia me Kishën e Romës, duke shuguruar peshkopë pa mandatin papnor.
Çarja e ndodhur më 1 korrik ka pasoja të rënda jo vetëm për ipeshkvijtë dhe meshtarët lefebvrianë, por për të gjithë besimtarët, pasi – siç lexohet në Shënimin shpjegues të Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë – meshtarët e Vëllazërisë "administrojnë në mënyrë të paligjshme sakramentet dhe sakramenti i rrëfimit i administruar prej tyre si dhe martesa e asistuar prej tyre janë të pavlefshme".
Vendimet e Lefebvre
Gjatë Koncilit të Dytë të Vatikanit, kryeipeshkvi francez Marcel Lefebvre, edhe pse i përkiste pakicës kundërshtuese ndaj disa reformave, nënshkroi si Kushtetutën e Koncilit mbi liturgjinë ashtu edhe Deklaratën mbi lirinë fetare. Pasi themeloi në vitin 1970 Vëllazërinë Shën Piu X në Écône, Lefebvre refuzoi të kremtonte Meshën sipas mesharit të ri dhe në vitin 1974 i cilësoi reformat konciliare si "risi shkatërruese të Kishës", duke deklaruar me shkrim refuzimin e Romës "neo-moderniste".
Dioqeza ia hoqi njohjen Vëllazërisë, por Pali VI kërkoi dialogun, duke kërkuar mbylljen e seminarit. Pas refuzimeve të përsëritura, Lefebvre u pezullua a divinis, por vazhdoi gjithsesi të kremtonte publikisht. Në vitin 1976, i pritur në Castelgandolfo, biseda me Papën nuk solli asgjë. Pali VI i rrëfeu filozofit Jean Guitton dhimbjen e tij për atë që e quajti "kryqi i parë i vërtetë" i papnisë së tij, ndonëse pa dashur ta kthente mungesën e bashkësisë në një shkishërim formal.
Marrëveshja doktrinale e nënshkruar nga Lefebvre
Me zgjedhjen e Gjon Palit II, Lefebvre tregoi një hapje më të madhe, duke deklaruar në vitin 1980 se nuk kishte dyshime për legjitimitetin e Papës së ri. Në prill 1988, kardinali Joseph Ratzinger udhëhoqi një negociatë tri-ditore me kryeipeshkvin, duke arritur në një protokoll doktrinal të përbashkët, të nënshkruar më 5 maj: Vëllazëria Shën Piu X premtonte besnikëri ndaj Kishës dhe Papës, pranonte Magjisterin konciliar dhe njihte vlefshmërinë e Meshës sipas riteve të Palit VI dhe Gjon Palit II. Parashikohej gjithashtu shugurimi i një ipeshkvi nga vetë Vëllazëria. Gjithçka dukej e zgjidhur.
Akti i parë skizmatik (1988)
Më 6 maj 1988, Lefebvre u tërhoq nga marrëveshja, duke njoftuar synimin për të shuguruar peshkopë të rinj pa mandatin papnor, nga frika se Roma nuk do të zgjidhte kandidatë të brendshëm të Vëllazërisë. Pavarësisht një takimi të mëtejshëm dhe një telegrami nga Ratzinger që i kërkonte, "për dashuri të Krishtit dhe të Kishës së Tij", të dorëhiqej nga shugurimet, më 30 qershor 1988 Lefebvre, së bashku me peshkopin brazilian Antonio de Castro Mayer, shuguroi katër peshkopë të rinj: Fellay, de Galarreta, Williamson dhe Tissier de Mallerais.
Më 1 korrik hyri në fuqi shkishërimi latae sententiae për akt skizmatik. Në vitet në vijim, Selia e Shenjtë u tregua e gatshme të ofronte zgjidhje kanonike, ndërsa lefebvrianët vazhduan të preteksonin mungesën e "qartësisë doktrinale", duke kërkuar faktikisht që Kisha të hiqte dorë nga pjesë të Koncilit të Dytë të Vatikanit.
Shtegtimi i vitit 2000 dhe lëshimet e Benediktit
Në gusht të vitit 2000, lefebvrianët bënë një shtegtim jubilar në Romë dhe monsinjor Fellay u prit nga Gjon Pali II. Kontaktet u intensifikuan me Benediktin XVI, i cili në vitin 2007 liberalizoi përdorimin e mesharit para-konciliar me Motu proprio Summorum Pontificum dhe, më 24 janar 2009, hoqi shkishërimin për katër ipeshkvijtë e shuguruar nga Lefebvre.
Megjithatë, vendimi u errësua nga përhapja e një interviste në të cilën një nga ipeshkvijtë e rehabilituar, Richard Williamson, kishte shprehur qëndrime mohuese ndaj shfarosjes së hebrenjve (Holokaustit), duke ndezur polemika të ashpra kundër Papës, i cili kishte kërkuar e shpresuar nga lefebvrianët një angazhim drejt bashkimit të plotë me Kishën.
Preambula e vitit 2011 dhe lehtësitë e Françeskut
In shtator 2011, në përfundim të bisedimeve doktrinale, Selia e Shenjtë i kërkoi Vëllazërisë Shën Piu X të nënshkruante një tekst të shkurtër që kërkonte aderimin në magjisterin papnor, pa përjashtuar debatin teologjik mbi Koncilin. Fellay e gjykoi dokumentin të papranueshëm. Zgjidhjet kanonike të mëvonshme nuk çuan në asgjë, pasi lefebvrianët deklaruan se nuk kërkonin si prioritet një njohje juridike.
Me Papa Françeskun, në Jubileun e Mëshirës në vitin 2016, meshtarëve të Vëllazërisë Shën Piu X iu dhanë lehtësi (mundësi) speciale për rrëfimet, të cilat më pas u zgjatën në mënyrë të qëndrueshme, si një gjest i hapjes baritore ndaj besimtarëve.
Skizma e re: rrëfimet dhe martesa të pavlefshme (2026)
Më 2 shkurt 2026, Vëllazëria Shën Piu X njofton shugurimin e ipeshkvijve të rinj për datën 1 korrik. Më 12 shkurt, Eprori i Vëllazërisë, don Davide Pagliarani, pritet në Romë nga kardinali Víctor Manuel Fernández, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë. Prefekti u propozoi lefebvrianëve "një rrugë dialogu specifikisht teologjik, me një metodologji mirë të përcaktuar, lidhur me tema që ende nuk kanë marrë një saktësim të mjaftueshëm", për të evidencuar "minimumin e nevojshëm për bashkimin e plotë mit Kishën Katolike" dhe një zgjidhje kanonike. Kushti ishte: "Mundësia për të zhvilluar këtë dialog supozon që Vëllazëria Shën Piu X të pezullojë vendimin për shugurimet episkopale të njoftuara".
Pavarësisht thirrjeve dhe ftesave për dialog, lefebvrianët vazhdojnë përpara, duke dekretuar një skizmë të re. I pyetur nga gazetarët në Castel Gandolfo më 16 qershor, Papa Leoni XIV komenton: ndarja midis të krishterëve është gjithmonë e dhimbshme, por pasi ata refuzojnë elemente themelore të Kishës që nga Koncili i Dytë i Vatikanit, "nëse ata bëjnë atë zgjedhje, më vjen keq, por ne duhet të ecim përpara".