Abortimi nuk është kurrë një zgjedhje e vërtetë
Vatican News
Massimiliano Menichetti
Ka imazhe dhe histori që bëhen virale, që nxjerrin në pah të vërtetën, bukurinë dhe bashkimin, që japin shpresë. I tillë është edhe materiali filmik i realizuar në Kolumbi, ku shihet një nënë nën rrënoja, e cila mbron me trupin e saj foshnjën e saj të porsalindur pas shembjes, si pasojë e një tërmeti me magnitudë 7.4, të një ndërtese pesëkatëshe në lagjen Ciudad, në Kali. Pamjet, të shpërndara në rrjetet sociale dhe të transmetuara nga edicionet e lajmeve, tregojnë tmerrin e shkatërrimit, ekipet e shpëtimit që kërkojnë dhe luftojnë kundër kohës e rrënojave, si edhe gruan dhe foshnjën, të nxjerra të gjalla dhe tashmë jashtë rrezikut.
Në gjithë dramacitetin e saj, kjo pamje fotografon një shoqëri të tërë vëllazërore dhe solidare, të përqendruar te shpëtimi, te kujdesi dhe te përgjegjësia ndaj tjetrit, te shpëtimi i jetës. Nuk ka rëndësi sa burime nevojiten: qëllimi është të ruhet jeta, qoftë edhe vetëm një jetë.
Rreth 4300 kilometra më larg, në Masaçusets të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, skena është krejt ndryshe: bëhet fjalë për nënshkrimin e një akti. Dhe jeta e një fëmije, në këtë rast brenda barkut të nënës, nuk shihet më; mbizotëron diçka tjetër. Këtu u nënshkrua “Prioritizing Patient Access to Care Act”, një ligj që heq kufirin e javës së njëzetekatërt për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë dhe i jep mjekut një hapësirë më të gjerë për të vendosur mbi bazën e gjykimit të tij profesional.
Brenda këtij ligji gjendet fjala “kujdes”, e megjithatë këtu ajo bëhet sinonim i vdekjes. Tani, në SHBA, janë dhjetë shtete që nuk parashikojnë kufizime të përgjithshme për abortin. Në këtë rast, nuk triumfoi jeta.
Në botë, hap pas hapi, në heshtjen e korrektësisë politike ose në zhurmën e përplasjes dhe kundërvënies ideologjike, përhapen erëra vdekjeje kundër njeriut. Vetëm këtë vit, për shembull, Luksemburgu e ka përfshirë në Kushtetutë lirinë për t’iu drejtuar abortit – duke u bërë vendi i dytë, pas Francës, që ka një referencë të shprehur qartë në Kartën e tij themelore – ndërsa Mbretëria e Bashkuar e ka dekriminalizuar abortin kur kryhet jashtë kuadrit ligjor.
Në pothuajse të gjitha vendet e botës ku janë miratuar ligje që lejojnë ndërprerjen e jetës së një fëmije në barkun e një gruaje, ekzistojnë nene që synojnë ta parandalojnë këtë tragjedi: përmes asistencës, kujdesit, pranisë pranë gruas dhe mbështetjes. Megjithatë, këto dispozita, në pjesën më të madhe të rasteve, mbeten të pazbatuara, pjesërisht ose tërësisht. Sepse kushtojnë shumë.
Flitet për zgjedhjen e gruas, flitet për kujdesin, e megjithatë nuk ofrohet kurrë një mundësi e vërtetë për të zgjedhur, sepse propozohet rruga në dukje më e lehtë, e cila në të vërtetë është gjithçka përveçse e tillë.
Propozohet të ndërhyhet menjëherë, të “zhduket problemi”, të mbyllen sytë, të mohohet çdo e dhënë shkencore që tregon se që nga ngjizja fillon një proces i pandalshëm zhvillimi i një qenieje njerëzore. Propozohet vdekja, pa e quajtur kurrë me emrin e saj.
T’i ofrosh vërtet një gruaje mundësinë për të zgjedhur do të thotë të krijosh rrugë mbështetjeje, ndihmë psikologjike, ekonomike dhe shpirtërore. Por kjo kërkon një kosto pafundësisht më të madhe në aspektin ekonomik dhe të burimeve. Dhe atëherë është më e lehtë të heshtësh.
Një shtet e tregon largpamësinë dhe horizontin e tij të vërtetë kur kujdeset për qytetarët e vet, kur garanton paqen, barazinë dhe lirinë e shprehjes, kur mbron jetën; kur qytetarët ndërtojnë një shoqëri të aftë për ta njohur tjetrin, për ta ndihmuar, mbështetur, shoqëruar dhe dashur, duke hedhur në të tashmen themelet e së ardhmes.
Në këtë këndvështrim, aborti bëhet një provë e asaj që konsiderojmë të drejtë ose të gabuar, të asaj që është kundër jetës dhe të asaj që është në favor të saj. Shtrembërimi qëndron në përpjekjen për ta fshehur vuajtjen, vështirësinë dhe dhimbjen, në vend që të përqafohet ai që ndodhet në situata kufitare dhe nuk gjen rrugëdalje.
Pikërisht këtu matet njerëzorja: jo te vrasja, por te dashuria; jo te braktisja, por te përgjegjësia për tjetrin. Njerëzorja është të jesh i gatshëm të hysh mes rrënojave, sado e vështirë të jetë, vetëm për të shpëtuar një jetë – dhe të gëzohesh me gjithë zemër kur ajo jetë shpëtohet.