2026.08.06 Cardenal Pietro Parolin, Diálogo Nacional por la Paz MX

Kard. Parolin e përfundoi udhëtimin në Meksikë: "Paqja nis me empati për dhimbjen e të tjerëve"

Vizita e Sekretarit të Shtetit në vendin e Amerikës Qendrore përfundoi dje, më 6 gusht. Në ditët e fundit u takua me Presidenten Sheinbaum, ministrin e Jashtëm dhe përfaqësuesit e Dialogut Kombëtar të Paqes, për të njohur përvojën e ndërtimit të paqes në territoret e prekura nga dhuna

Vatican News

Përfundoi dje, të enjten, më 6 gusht, udhëtimi i Sekretarit të Shtetit Kardinalit Pietro Parolin, në Meksikë. Pas vizitës në Guatemalë, Kardinali mbërriti, më 4 gusht, në vendin e Amerikës Qendrore, ku kremtoi Meshën në Kishën e Virgjërës së Guadalupes. Në këto ditë, siç njofton llogaria në X e Sekretariatit të Shtetit @TerzaLoggia, Kardinali u prit nga presidentja meksikane Claudia Sheinbaum, e shoqëruar nga  Rosa Icela Rodríguez, ministre e brendshme meksikane.

"Bisedimi i përzemërt preku tema me interes të përbashkët, ndërmjet të cilave problemet e paqes e të zhvillimit", lexohet në një postim. Në një   tjetër flitet për takimin e kardinalit Parolin me ministrin e jashtëm meksikan Roberto Velasco Álvarez, që diskutuan, ndërmjet tjerash, "për marrëdhëniet e mira dypalëshe" dhe "sfidat me të cilat përballet aktualisht bashkësia ndërkombëtare".

"Paqja është art"

Sekretari  i Shtetit të Vatikanit u takua edhe me përfaqësues të Dialogut Kombëtar për Paqen, për të fituar përvojën e drejtpërdrejtë të ndërtimit të paqes në zonat e prekura nga krimi e nga dhuna.

Një njoftim për shtyp nga Konferenca Ipeshkvnore Meksikane shkruan se në takim morën pjesë akademikë, zyrtarë publikë, udhëheqës fetarë, nëna që kërkojnë fëmijët e tyre të zhdukur, oficerë policie, udhëheqës biznesi, si dhe përfaqësues nga shtetet e San Luis Potosí, Oaxaca, Querétaro, Puebla, Shteti i Meksikës dhe Mexico City.

Kardinali Parolin deklaroi se paqja fillon me empatinë për dhimbjen e të tjerëve, duke përmendur dëshminë e një nëne që kërkonte djalin e saj të zhdukur në shtetin e Puebla-s. U kujtoi kështu të gjithëve se paqja është art e angazhim i përditshëm dhe i inkurajoi të mos lëkunden në këtë përpjekje, e cila do të bëhet përvojë frymëzuese për pjesë të tjera të botës të prekura nga plaga e dhunës.

Dëshmi dhe inkurajim

E njëjta deklaratë vë në dukje edhe se, gjatë takimit, u ndanë dëshmi rreth bashkëpunimit ndërmjet grupeve familjare që kërkojnë të dashurit e zhdukur dhe zyrtarëve publikë nga shteti i Puebla-s, duke theksuar se si Dialogu Kombëtar i Paqes po dëshmon se është terren pjellor për formimin politik. Një oficer policie nga Ecatepec tregoi se si disa Kisha të ndryshme  bashkuan forcat për të punuar për paqen dhe për të zbatuar një model policie në komunitet. Përfaqësuesit nga Oaxaca theksuan se Dialogu u ka sjellë ngushëllim priftërinjve, që jetojnë në zona me rrezik të lartë.

Kardinali Pietro Parolin i dëgjoi me vëmendje anëtarët e organizmit dhe shprehu inkurajimin për angazhimin dhe këmbënguljen e tyre të përditshme në këtë punë sfiduese. Theksoi edhe se si kjo lëvizje ofron shpresë për shumë zona të vendit të prekura nga dhuna dhe se mund të shpresojë në mbështetjen e Selisë së Shenjtë.

07 gusht 2026, 11:35