Kard. Parolin: të rrënjosur në Zotin, si Agata, për t'i përballuar provat e për të sjellë fryte

Në Siçili si legat papnor për kremtimet e nëntëqindvjetorit të transferimit të relikeve të martires, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin, kryesoi mbrëmë një vigjilje lutjeje në Aci Castello, ku eshtrat mortore të shenjtores u zbarkuan për t'u transportuar në Catania. "Jeta e saj themelohej mbi sigurinë më të madhe: mbi përkatësinë ndaj Zotit", vazhdon t'i flasë dëshmia e saj Kishës. Kremtim Papnor me kardinalin, sot, në Catania.

Vatican News

Forca e Shën Agatës buron nga "bashkimi i saj me Krishtin”. E për këtë arsye, nuk u përkul kurrë nga dhuna, kërcënimet a premtimet e pushtetit". Këtë  kujtoi Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin në vigjiljen e lutjes, që e kryesoi mbrëmë, më 16 gusht, në Aci Castello, Siçili, për të përkujtuar kthimin e relikeve të martires në Catania, pas 900 vjetësh. Mbetjet mortore të Shenjtes (në shqip, Ages) - mbytur nën tortura, ende adoleshente në shekullin e tretë, për shkak se refuzoi të hiqte dorë nga feja e saj gjatë persekutimeve anti-kristiane të nisura nga Perandori Romak Decius - u sollën në Kostandinopojë nga bizantinët në shekullin e 11-të, gjatë një fushate kundër saraçenëve. Tetëdhjetë e gjashtë vjet më vonë,  u kthyen përsëri në Siçili. Të zbarkuara në Aci Castello pas një ndalese të shkurtër në Puglia, reliket u mbartën me procesion më 17 gusht 1126 në Catania.

Shembull besnikërie ndaj Krishtit

Kardinali Parolin, në kryeqytetin e Etnës dje dhe sot si legat papnor për festimet e nëntëqindvjetorit të ngjarjes, i emëruar nga Leoni XIV me një letër të datës 20 qershor, vuri në dukje në predikimin e tij se "pas kaq shumë shekujsh, dëshmia e Agatës vazhdon t'i flasë Kishës", e cila në të kremton "fekonditetin e një jete të frytshme, gjithnjë e bashkuar me Zotin". E kjo, sepse "ata që hedhin rrënjë në Zotin mund të durojnë edhe provat më të vështira, por nuk e humbasin shpresën e vijojnë të japin fryte". Papa, në letrën e tij drejtuar Kardinalit Parolin, theksoi edhe se "në martirizimin e Shën Agatës, shembull i shkëlqyer i besnikërisë ndaj Krishtit dhe i dashurisë deri në pikën e vetë-dhurimit të plotë, bashkësia kishtare sodit fitoren e hirit mbi dhunën, të fesë mbi frikën, të bamirësisë mbi vdekjen".

Feja nuk i zhdukë provat, por jep forcë

Duke u frymëzuar nga Psalmi 1, shpallur gjatë kremtimit, Kardinali Parolin Sekretar i Shtetit të Vatikanit, u përqendrua në vargun 6 - "Zoti e ruan rrugën e të drejtëve" - ​​dhe sqaroi se të drejtët nuk i "kursejnë vuajtjet", siç tregon historia e Agatës. "Feja nuk i zhduk provat, por siguron prani e forcë të re për t'i kapërcyer", saktësoi Kardinali Parolin, Zoti e njeh rrugën e bijve të tij, i shoqëron hapat e tyre e i shndërron edhe plagët në vendin e hirit".

Fjala e Zotit, udhë që të çon drejt lirisë

E përsëri, duke komentuar Psalmin 1, Kardinali Parolin shpjegoi se lufta "përshkon jetën e secilit: nga njëra anë, zëri i Zotit, i cili të çon drejt jetës; nga ana tjetër, shumë zëra që rrezikojnë të na largojnë prej Tij". Ato janë "të këqija" e "shpesh nuk vijnë me gjeste dramatike, por me hapa të vegjël", "zakone që ndryshojnë ngadalë zemrën dhe mënyrën tonë të të menduarit". Kështu "mësohemi të jetojmë pa Zotin, sikur Zoti të mos ishte i nevojshëm. "Kjo është gjendja e shumë e shumë bashkëkohësve tanë. Ne nuk shqetësohemi më për mohimin e Zotit, por jetojmë sikur Zoti të mos ishte", vërejti Kardinali Parolin. "E jetojmë jetën tonë sikur Ai të mos na kishte folur, sikur të mos kishte ardhur të na takonte, e sikur të mos na kishte treguar rrugën drejt lumturisë". Ndërsa “kush e gjen gëzimin në ligjin e Zotit", është "njeriu që di se ku ta drejtojë jetën e tij. Për të, "Fjala e Zotit nuk është  barrë, por burim; nuk është kufi për lirinë, por rrugë që të çon drejt lirisë së vërtetë", sepse duke medituar mbi të, "Shkrimi bëhet  pasqyrë, në të cilën ne e njohim jetën tonë dhe një zë" që na nxit të reflektojmë: "Çfarë rruge po ndjek? Cilat fjalë i prijnë zemrës sime? Ku po e kërkoj lumturinë time?".

Të jesh i rrënjosur në Zotin, si Shën Agata

Psalmi 1 e krahason njeriun e drejtë me një "pemë të mbjellë pranë rrjedhave të ujit", vuri në dukje Kardinali Parolin, jep fryte "sepse ka rrënjë të thella" që "arrijnë tek një burim"; nga kjo nxjerr "forcë",  e për këtë arsye përballë vështirësive "mbetet gjallë". Shën Agata është  shembull i "një jete të rrënjosur" në Zotin, që me kalimin e kohës "nuk vyshket, por vazhdon të japë fryte shprese". Prandaj, më në fund, ftesa e Kardinalit Parolin "për të qëndruar të palëkundur në Zotin", për t'i kërkuar "të na bëjë burra e gra me rrënjë të thella, të aftë të mos rrëmbehemi nga erërat e frikës, të modës dhe të iluzioneve, por të gjejmë, në Fjalën e Zotit, burimin e jetës sonë”.

Kremtimi i Meshës papnore

Reliket e Shën Agatas, të sjella në Aci Castello në fund të pasdites dhe të ekspozuara në Piazza Castello, vijojnë të nderohen edhe paradite, në Kishën Nënë, ndërsa më pas do të kthehen në Catania. Këtu, në orën 8:00 të mbrëmjes, do të vendosen në Piazza Duomo për Meshën papnore kryesuar nga Kardinali Parolin, me pjesëmarrjen e kryeipeshkvijve dhe të ipeshkvijve të Siçilisë, kryeipeshkvit të Otrantos dhe ipeshkvit të Nardò-Galipolit, në dioqezat e të cilëve tradita dëshiron të kalojnë reliket e Shenjtores. Do të marrë pjesë edhe Ipeshkvi i dioqezës të San Marino-Montefeltro-s, që e ka bashkëpajtore Martiren.

17 gusht 2026, 12:18