Sheshi i Shën Pjetrit dhe Vatikani nga Via della Conciliazione, ku ndodhet Komiteti Papnor për Shkencat Historike. Sheshi i Shën Pjetrit dhe Vatikani nga Via della Conciliazione, ku ndodhet Komiteti Papnor për Shkencat Historike.

Leoni XIV emëron tre anëtarë të rinj pranë Komitetit Papnor të Shkencave Historike

Papa Leoni XIV emëroi anëtarë të Komitetit Papnor të Shkencave Historike profesorët Umberto Longo, drejtor i Institutit Historik Italian për Mesjetën në Romë; Francesco Cesareo, president nderi i Universitetit Assumption në Worcester, Shtetet e Bashkuara; dhe Anna Barańska, profesoreshë e asociuar në Fakultetin e Shkencave Humane të Uniwersytet Lubelski Jana Pawła II Katolicki, në Poloni.

Vatican News

Komiteti Papnor i Shkencave Historike, organizmi i Selisë së Shenjtë që mbikëqyr studimet historike mbi Kishën dhe arkivat kishtare, pasurohet me tre anëtarë të rinj. Papa Leoni XIV ka caktuar disa historianë të rinj: profesorët Umberto Longo, drejtor i Institutit Historik Italian për Mesjetën në Romë; Francesco Cesareo, president nderi i Assumption University në Worcester, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës; dhe Anna Barańska, profesoreshë e asociuar në Fakultetin e Shkencave Humane të Katolicki Uniwersytet Lubelski Jana Pawła II, në Poloni.

Përbërja gjeografike e kësaj tresheje, së bashku me fushat e tyre përkatëse të specializimit, pasqyron imazhin e një organizmi që Papa Leoni XIV synon ta përforcojë duke iu referuar traditave të ndryshme historiografike.

Komiteti i ka rrënjët e veta në shekullin XIX. Ishte Papa Leoni XIII ai që, me letrën apostolike Saepenumero considerantes më 18 gusht 1883, themeloi Komisionin Kardinalor për Studimet Historike, nga i cili në vitin 1954 Papa Piu XII krijoi Komitetin e sotëm Papnor të Shkencave Historike. Prej shtatëdhjetë vitesh ky ent promovon kërkimin mbi trashëgiminë arkivore të Kishës, me vëmendje të veçantë ndaj arkivave të Vatikanit, si dhe kujdeset për kolanën e Akteve dhe Dokumenteve të botuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit (Libreria Editrice Vaticana). Në krye të tij që nga shtatori i vitit 2023 është jezuiti polak At Marek Andrzej Inglot, i cili pasoi murgun premonstratens francez At Bernard Ardura, që kishte drejtuar organizmin për katërmbëdhjetë vjet.

14 gusht 2026, 09:56