Violina e përdorur nga Mozarti kur ishte fëmijë Violina e përdorur nga Mozarti kur ishte fëmijë

Mozart kthehet tek Papa

Orkestra rinore "Ensemble Bella Musica" e Salisburgut, anëtare e Universitetit Mozarteum, do të japë një koncert në Sala Assunta të Radio Vatikanit, më 2 shtatorin e ardhshëm. Ndër instrumentet që do të përdoren, janë dy violina origjinale që i përkisnin kompozitorit të madh austriak. Violina e vogël, të cilën muzikanti e përdori kur ishte fëmijë, do të luhet nga një soliste kineze dhjetëvjeçare

Vatican News

Për "Ensemble Bella Musica", e programit parauniversitar të Universitetit Mozarteum, ky nuk është koncert i zakonshëm, siguron drejtori artistik Stefan David Hummel. "Patëm nderin të interpretojmë muzikën për Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit disa herë, ndërsa tani mezi po presim të luajmë në Kopshtet e Vatikanit. Padyshim që do të jetë kulmi i udhëtimit tonë". E në gjirin e orkestrës rinore - e cila do të japë një koncert në Sala Assunta të Radio Vatikanit, më 2 shtator - ngazëllimi është tashmë i prekshëm, pasi muzikantët, gjatë audiencës së përgjithshme, presin një takim të shkurtër me Papën Leoni XIV.

Wolfgang Amadeus Mozart
Wolfgang Amadeus Mozart

Hummel arriti nga Salzburgu posaçërisht të enjten e kaluar, për të inspektuar Sala Assunta, seli e regjistrimit historik të Radio Vatikanit,  vendosur në Palazzina Leone XIII në majë të Kopshteve. Koncerti do të regjistrohet atje. Përmes Unionit Evropian të Transmetimeve (EBU), stacionet radiofonike të interesuara mund të filmojnë regjistrimin, duke lejuar që muzika e ansamblit të ri të arrijë një milion dëgjues, madje edhe më shumë.

Violina Costa e vitit 1764, që do të përdoret në koncert
Violina Costa e vitit 1764, që do të përdoret në koncert

Një vogëlushe kineze me violinën e Mozartit

"Ylli" i koncertit do të jetë një instrument mjaft i vogël: violina me të cilën  Mozarti luante kur ishte ende fëmijë. Fondacioni Mozarteum në Salzburg do ta sjellë atë në Romë, së bashku me violinën Costa të Mozartit,  punuar nga prodhuesi italian i violinave Pietro Antonio Dalla Costa në Treviso, në vitin 1764, të cilën Mozarti e pati përdorë gjatë koncerteve të tij në Vjenë. Wolfgang i ri bëri hapat e tij të parë si muzikant me violinën pikolo – domethënë, të vogël. Në Vatikan tani do ta marrë përsipër Shuxuan Jin. Vajza 10-vjeçare, me origjinë nga Shangai, e cila ka jetuar në Austri që nga fëmijëria e hershme, studion në kolegjin parauniversitar të Universitetit Mozarteum, një nga shkollat ​​më të njohura të muzikës në botë. Solistja e re ka arritur tashmë suksese të shumta në konkurse ndërkombëtare. Por violina e luajtur nga Mozarti në fëmijëri sigurisht që përfaqëson një nga çastet më të jashtëzakonshme në karrierën e saj ende të re.

Një nga formacionet e ansamblit Mozarteum
Një nga formacionet e ansamblit Mozarteum

Muzika bashkon përtej kufijve

Për "Ansamble Bella Musica" nuk është thjesht një orkestër talentesh të reja, por një Evropë e vogël muzikore. Muzikantët, ndërmjet dhjetë dhe njëzet e dy vjeç, kanë rrënjë në Austri, Gjermani, Itali, Spanjë, Slloveni, Bosnje e Hercegovinë dhe Hungari, si dhe në Kinë, Tajlandë, Kore dhe Iran. Si "Ambasadorë të rinj të mënyrave evropiane të Mozartit", ata do të rikthehen në gjurmët e Kompozitorit “të pavdekshëm” në mbarë Evropën nga 30 gushti - deri më 10 shtator, duke synuar të kapërcejnë kufijtë, të paktën për mbrëmjen e koncertit, e duke bërë muzikë së bashku. "Sidomos në këto kohë të vështira, ne e shohim këtë koncert edhe si shenjë paqeje", thekson Hummel. "Muzika mund të bashkojë njerëzit përtej kufijve, gjuhëve dhe besimeve. Mirënjohës, që jemi në gjendje ta sjellim këtë mesazh në botë së bashku".

David Stefan Hummel, drejtor artistik i "Ensemble Bella Musica" në Sala Assunta në Vatikan
David Stefan Hummel, drejtor artistik i "Ensemble Bella Musica" në Sala Assunta në Vatikan

Një homazh i veçantë për Papën Leoni XIV

Programi i koncertit për Vatikanin paraqet kryesisht Mozartin, nga uvertura - e te Così fan tutte deri te simfonia Jupiter. Para Ave Verum final, Ansambli ka një lamtumirë të vogël muzikore në dispozicion: në Vatikan, dhe vetëm në Vatikan, mund të dëgjohet një pjesë nga Tingujt e Muzikës. Jo rastësisht, por si homazh për Leonin XIV, sepse ky film muzikor amerikan i vitit 1965, i vendosur në Salzburg, është padyshim një nga filmat e preferuar të Papës Amerikan. Pra, të paktën muzikalisht, më 2 shtator, Mozarti do të takohet me "familjen von Trapp" në Vatikan. Dhe pastaj ka edhe një detaj të këndshëm historik. Vetë Mozarti, e vizitoi Vatikanin si adoleshent. Në vitin 1770, gjatë udhëtimit të tij të parë në Itali me të atin Leopold, atëherë katërmbëdhjetëvjeçari luajti para Papës. Klementi XIV, që u prek thellësisht nga aftësia e jashtëzakonshme e të riut nga Salzburgu dhe i dha Urdhrin e Shpërthimit të Artë, duke e shpallur zyrtarisht kalorës.

Plot 250 vjet më vonë, Mozarti rikthehet: me dy nga violinat e tij, një orkestër ndërkombëtare rinore dhe një muzikant dhjetëvjeçar nga Kina, i cili do të luajë të njëjtin instrument në të cilin Amadeusi i vogël filloi të zbulonte gjenialitetin e vet!

Regjistrimi i koncertit në Vatikan nuk është i hapur për publikun. Megjithatë, Ansambli Bella Musica do të japë tre koncerte të tjera në Romë, duke përdorur rishtas violinat e Mozartit: ndërmjet të cilave, një më 2 shtator në orën 19:00 në Kishën e Santa Maria dell'Anima, e një tjetër më 4 shtator në orën 18:00, në Konservatorin e Santa Cecilias.

21 gusht 2026, 15:41