2026.08.04 Cardenal Parolin en Guatemala

Parolin: dialogu, sot i zëvendësuar nga forca. Të mbrohen të drejtat e kërcënuara nga ideologjitë

Sekretari i Shtetit të Vatikanit vijon vizitën e tij në Guatemalë, për 90-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë. Në fjalimin drejtuar Trupit Diplomatik, ai i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të kthehet te "diplomacia e dialogut", e zëvendësuar tani nga "diplomacia e forcës", si edhe të respektojë të drejtat e njeriut si lirinë fetare, lirinë e shprehjes, lirinë e ndërgjegjes dhe të drejtën për jetë

Vatican News

Që nga 1 gushti, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, ndodhet në Guatemalë për të festuar 90-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë. Gjatë udhëtimit të tij, ai u takua me presidentin e Republikës Bernardo Arévalo, ministrin e Punëve të Jashtme Carlos Ramiro Martínez dhe përfaqësues të popujve indigjenë. Duke folur të hënën, më 3 gusht, para Trupit Diplomatik të mbledhur në Nunciaturën Apostolike në Qytetin e Guatemalës, dhe më parë gjatë meshës së falënderimit, kremtuar të dielën në katedralen metropolitane, kardinali Parolin i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t'i japë përparësi dialogut mbi forcën dhe shtypjen.


Kriza e të drejtave të njeriut dhe misioni i Selisë së Shenjtë

Kardinali vuri në dukje se të drejtat themelore — si jeta, liria e shprehjes, e ndërgjegjes dhe ajo fetare — po e humbasin gjallërinë e tyre, të vëna mënjanë nga ideologjitë dhe arbitrariteti. Përballë këtij skenari, Selia e Shenjtë ndjek një mision diplomatik pa interesa ekonomike apo strategjike, të bazuar vetëm te centraliteti i njeriut. Ky qëndrim promovon vlerat e Ungjillit dhe të Doktrinës Sociale të Kishës — si dinjiteti njerëzor, vëmendja ndaj të varfërve dhe kujdesi për Krijimin — me qëllimin e vetëm për të promovuar paqen dhe të mirën e përbashkët.

Marrëdhëniet dypalëshe dhe falënderimet për institucionet

Kardinali Parolin e vlerësoi Guatemalën, duke e përshkruar si një tokë me rrënjë të thella të krishtera, vizituar edhe nga Papa shenjt Gjon Pali II në vitet 1983, 1996 dhe 2002. Ai lavdëroi kontributin e popujve indigjenë për një shoqëri gjithëpërfshirëse. Gjatë nëntë dekadave të historisë së bashkëpunimit ndërmjet vendit të Amerikës Qendrore dhe Selisë së Shenjtë, është punuar shumë në të gjitha fushat si ajo baritore, ajo edukative dhe ajo shëndetësore. Së fundi, Sekretari i Shtetit të Vatikanit falënderoi autoritetet e Guatemalës, diplomatët dhe Kishën lokale për bashkëpunimin e frytshëm institucional të orientuar kah drejtësia dhe paqja.

04 gusht 2026, 09:07