98 vjet nga “Po”-ja e Ganxhes thënë Zotit: nga Letnica në misionin e dashurisë

Më 14 gusht 1928, në Shenjtëroren e Zojës së Madhe në Letnicë të Kosovës, Ganxhe Bojaxhiu, atëherë një vajzë e re, përjetoi një nga çastet më vendimtare të jetës së saj: thirrjen për t’ia kushtuar plotësisht jetën Zotit. Sot, 98 vjet më vonë, kujtojmë atë “Po” që do të ndryshonte jo vetëm jetën e saj, por edhe jetën e miliona njerëzve në mbarë botën.

Vatican News

Nuk ishte thjesht një vendim për t’u bërë motër rregulltare a murgeshë. Ishte fillimi i një rruge që do ta çonte një vajzë shqiptare, Ganxhe Bojaxhiu nga Shkupi në Irlandë e më pas në Indi, nga jeta rregulltare pranë Motrave të Loretos deri te rrugët dhe lagjet më të varfra të Kalkutës. Ishte fillimi i një misioni që, përmes Motrave Misionare të Bamirësisë, do të përhapej në të gjitha kontinentet.

Më 14 gusht 14 1928, në vigjilje të festës së Zojës së Madhe, Kisha kujton momentin kur Ganxhe Bojaxhiu, së bashku me nënën e saj Drane dhe familjen, ndodhej në Shenjtëroren e Zojës së Madhe në Letnicë, në Karadak të Kosovës. Pikërisht aty, në moshën dymbëdhjetëvjeçare, ajo e ndjeu thirrjen e Zotit për një jetë tërësisht të kushtuar Atij. Vetë Nënë Tereza më vonë do të tregonte se mendimi për t’iu kushtuar Zotit kishte nisur në atë moshë dhe se për vite me radhë ishte lutur e kishte reflektuar për këtë thirrje të veçantë.

Një “Po” që u bë udhërrëfim

Thirrja e parë ishte e lidhur me dëshirën për t’u bërë misionare dhe për të shkuar në Indi. Në moshën 18-vjeçare, Ganxhe Bojaxhiu la familjen dhe Shkupin dhe u nis drejt Irlandës, ku hyri në Institutin e së Lumes Zojë, të njohur si Motrat e Loretos. Aty mori emrin Motër Mari Tereza, në nder të Shën Terezës së Jezusit Fëmijë.

Në dhjetor të vitit 1928 u nis drejt Indisë dhe më 6 janar 1929 mbërriti në Kalkutë. Pas formimit dhe kohës së parë të jetës rregulltare, ajo iu kushtua mësimdhënies në shkollën e Shën Marisë në Entally. Më 24 maj 1937 bëri kushtet e përjetshme të jetës rregulltare dhe prej atëherë u njoh si Nënë Tereza.

Për rreth dy dekada jetoi dhe shërbeu në bashkësinë e Motrave të Loretos. Ishte mësuese, drejtoreshë dhe rregulltare e përkushtuar. Por në vitin 1946 do të ndodhte thirrja e dytë, ajo që vetë Nënë Tereza do ta quante “thirrja brenda thirrjes”.

Duke folur për thirrjen e saj në jetën kushtuar Zotit, një herë në një intervistë, në pyetjen se kur e kuptuat se kishit thirrje nga Zoti, Nënë Tereza pati thënë:

“Nëse më duhet të jem e sinqertë, kam pasur dy thirrje nga Zoti. E para në moshën 12-vjeçare, ndërsa lutesha në Shenjtëroren e Zojës Mari në Letnicë (Kosovë): Më pas vendosa të bëhesha murgeshë e Motrave të Loretos, që të mund të shkoja në Indi për të qenë misionare. Për këtë arsye në moshën 18-vjeçare lashë familjen, shkollën, vendin tim dhe u nisa për në kuvendin e Motrave rregulltare. Rreth njëqind njerëz erdhën për të më thënë lamtumirë në stacion: të gjithë qanin”.

Thirrja e dytë “mbërriti më vonë, në Indi, ku isha që nga viti 1929. Unë isha bërë drejtoreshë e një kolegji katolik afër Kalkutës: Saint Mary's High School a Entally (shkolla e mesme e Shën Marisë në Entally). Nuk më lejuan të largohesha nga kuvendi i Motrave të Loretos dhe aty mësoja vajzat e kolonistëve britanikë: Nuk e dija se në lagjet e varfra (lagjet e varfra të Kalkutës), jetonin dhe vdisnin të varfërit, të sëmurët dhe fëmijët, të mbuluar me lecka nëpër trotuare”.

“Eja, bëhu drita ime”

Kështu, më 10 dhjetor të vitit 1946, gjatë udhëtimit me tren nga Kalkuta drejt Darjeelingut, Nënë Tereza përjetoi një përvojë të thellë shpirtërore që do t’i jepte një drejtim të ri jetës së saj. Ajo ndjeu një thirrje të fuqishme për të lënë jetën e rregullt që kishte bërë deri atëherë pranë Motrave të Loretos dhe për t’u vënë në shërbim të njerëzve më të varfër.

Në zemrën e saj u bë gjithnjë e më e fortë dëshira për t’i shërbyer Krishtit në “më të varfrit ndër të varfër”. Për Nënë Terezën, fytyra e Krishtit duhej kërkuar në fytyrën e njeriut të braktisur, të sëmurit, fëmijës pa përkujdesje dhe atij që nuk kishte më askënd pranë.

Pas një periudhe reflektimi, lutjeje e shoshitjeje dhe lejesh kishtare, më 17 gusht 1948 Nënë Tereza veshi për herë të parë sarin e sarin e bardhë me vijë blu anash. Ky petk u bë simboli botëror i dashurisë, thjeshtësisë dhe shërbimit ndaj të varfërve nga ajo dhe urdhri i saj, Motrat Misionare të Dashurisë, dhe doli nga kuvendi i Motrave të Loretos për t’iu afruar drejtpërdrejt të varfërve të Kalkutës.

Në rrugët e Kalkutës

Më 21 dhjetor të vitit 1948, Nënë Tereza nisi në mënyrë të drejtpërdrejtë shërbimin e saj në lagjet e varfra të Kalkutës. Vizitonte familje, kujdesej për të sëmurët, u shërbente fëmijëve dhe njerëzve që shoqëria i kishte lënë në skaj. Dita e saj niste me lutjen dhe Eukaristinë, ndërsa më pas ajo dilte në rrugë për të kërkuar ata që i quante “të padashur, të papërkujdesur dhe të braktisur”.

Pak nga pak, ish-nxënëset e saj filluan t’i bashkoheshin. Më 7 tetor 1950, Kryedioqeza e Kalkutës njohu zyrtarisht Kongregatën e re të Misionareve të Bamirësisë.

Nga Kalkuta, misioni u përhap me shpejtësi në Indi dhe më pas në të gjithë botën. Në vitin 1965 kongregata mori të drejtën papnore dhe filloi të hapte shtëpi misionare jashtë Indisë. Misioni u shtri në kontinente të ndryshme dhe, me kalimin e viteve, arriti edhe në vende që për dekada kishin qenë të mbyllura për botën e jashtme.

Një familje e madhe në shërbim të të varfërve

Karisma e Nënë Terezës nuk u kufizua vetëm te motrat e Misionareve të Bamirësisë. Rreth saj u krijuan edhe degë të tjera të familjes së saj shpirtërore rregulltare, përfshirë Misionarët e Bamirësisë, bashkëpunëtorët laikë dhe grupe të ndryshme të njerëzve që dëshironin të merrnin pjesë në misionin e saj përmes lutjes, flijimit dhe veprave të dashurisë.

Në qendër mbeti gjithmonë i njëjti parim: të shërbehej Krishti në personin e të varfrit.

Nënë Tereza e përmblidhte jetën e saj me përvujtëri, duke e konsideruar veten një mjet të vogël në duart e Zotit. Për të, nuk ishin të rëndësishme madhësia e veprës apo fama, por dashuria me të cilën bëhej çdo gjë, edhe gjëja më e vogël për më të varfrit ndër të varfër.

Një shqiptare që u bë nënë e të varfërve

Gonxhe Bojaxhiu lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, në familjen e Nikollë dhe Drane Bojaxhiut. U pagëzua me emrin Gonxhe Anjeze dhe u rrit në një familje ku feja, lutja dhe kujdesi për të tjerët kishin një vend të rëndësishëm.

Pas vdekjes së parakohshme të babait, Drane Bojaxhiu luajti një rol vendimtar në formimin e fëmijëve. Besimi dhe shembulli i nënës ndikuan thellë në karakterin e Gonxhes dhe në rrugën që ajo do të ndiqte.

Më vonë, Nënë Tereza do ta shprehte identitetin e saj me fjalë të thjeshta dhe të fuqishme: “Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane; për nga besimi jam murgeshë katolike; sipas thirrjes i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht Zemrës së Krishtit.”

Dashuria që nuk njeh kufij

Në vitin 1962, Nënë Tereza mori çmimin indian Padma Shri. Në vitin 1979 iu dha Çmimi Nobel për Paqen. Por ajo i pranoi vlerësimet jo për veten, por si një mundësi për ta vënë edhe më shumë në qendër vëmendjen ndaj të varfërve.

Përmes figurës së saj, bota njohu një grua me shtat të vogël, por me një forcë të jashtëzakonshme shpirtërore. Ajo u bë simbol i mëshirës, i shërbimit dhe i dashurisë konkrete ndaj njeriut.

Por pas buzëqeshjes së saj fshihej edhe një përvojë e thellë shpirtërore. Shkrimet dhe dëshmitë e botuara pas vdekjes së saj treguan për periudha të gjata të “errësirës” së brendshme, kur ajo përjetonte ndjesinë e largësisë nga Zoti. Megjithatë, ajo vazhdoi të lutej dhe të shërbente me të njëjtin përkushtim. Kjo përvojë e bëri edhe më të thellë bashkimin e saj me vuajtjen e Krishtit dhe me vuajtjen e të varfërve.

“Nënë e të varfërve”

Nënë Tereza ndërroi jetë më 5 shtator 1997 në Kalkutë. Varrimi i saj shtetëror në Indi u kthye në një ngjarje me jehonë mbarëbotërore dhe varri i saj në Shtëpinë-Nënë të Misionareve të Bamirësisë u bë një vend lutjeje dhe pelegrinazhi.

Më 19 tetor 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli të Lume. Më 4 shtator 2016, Papa Françesku e shpalli shenjtore në Sheshin e Shën Pjetrit, gjatë Jubileut të Mëshirës.

Në vitin 2025, emri i Shën Terezës së Kalkutës u përfshi edhe në Kalendarin e Përgjithshëm Romak, ndërsa përkujtimi i saj liturgjik fakultativ caktohet më 5 shtator, ditën e përkujtimit të kalimit të saj nga kjo jetë.

Nga Letnica në mbarë botën

Sot, 98 vjet pas asaj nate në Letnicë, rruga e Gonxhe Bojaxhiut mund të lexohet si një udhëtim i gjatë i një “Po”-je të vetme: nga Shkupi në Letnicë, nga Letnica në Dublin, nga Dublini në Kalkutë dhe nga Kalkuta në të gjithë botën.

Ajo “Po” e një vajze dymbëdhjetëvjeçare u shndërrua në një jetë të tërë shërbimi. Një jetë që, në sytë e Kishës, nuk u bë e madhe për shkak të pushtetit apo famës, por sepse ajo zgjodhi t’i shërbente Krishtit në njerëzit më të vegjël, më të varfër dhe më të harruar.

Nga Shenjtërorja e Zojës së Madhe në Letnicë nisi një rrugëtim që do ta kthente Gonxhe Bojaxhiun në Shën Terezën e Kalkutës – “Nënën e të varfërve” dhe një nga dëshmitaret më të njohura të dashurisë së krishterë në kohët moderne.

14 gusht 2026, 11:47