Kërko

Koloseumi i ndriçuar kundër dënimit me vdekje Koloseumi i ndriçuar kundër dënimit me vdekje

Drita për të ndriçuar Koloseumin dhe për të davaritur terrin e dënimit me vdekje

Më 30 nëntor, në Romë dhe në dy mijë qytete të tjera, monumentet më të rëndësishme ndriçohen kundër dënimit me vdekje. Marazziti i Bashkësisë së Shën Egjidit: "Dënimi me vdekje është shoqëri e keqe për historinë njerëzore, por tashmë jemi në pikën e kthesës”

R.SH. – Vatikan

Që prej 236 vitesh, rruga e përshkuar është mjaft e gjatë dhe e frytshme, por shumë mbetet për t’u bërë. Sepse dënimi me vdekje - pavarësisht se hera e parë që u hoq daton më 30 nëntorin e largët 1786, nga Dukati i Madh i Toskanës - përfshihet ende sot në sistemin ligjor të disa vendeve. Janë sigurisht gjithnjë e më pak, por akoma tepër shtete e nënçmojnë të drejtën për jetën, themelin e çdo të drejte tjetër.

Dënimi me vdekje “është shoqëri e keqe për historinë njerëzore, por nga viti 1975, kur vetëm 16 kombe e patën shfuqizuar, kemi kaluar në mbi 144, prandaj, jemi në pikën e kthesës historike”, shpjegon Mario Marazziti i Bashkësisë së Shën Egjidit, e cila, që nga viti 2000, organizon ndriçimin e Koloseumit për të sensibilizuar kundër dënimit me vdekje. Me kalimin e kohës, me këtë nismë janë bashkuar mbi 2000 qytete, që sonte ndezin monumentet e tyre, për t'u thënë "jo" ekzekutimeve. Quhen "Qytete për Jetën" – lëvizje, që përfshin mijëra njerëz në të gjitha kontinentet dhe që pak nga pak, ka arritur të zvogëlojë numrin e vendeve, ku zbatohet akoma dënimi me vdekje.

Bota e ka ndryshuar mendësinë

“Na mungon kilometri i fundit”, nënvizon Marazziti, pasi 10-12 vende ende e përdorin këtë dënim. “Në SHBA – sqaron ai për Radio Vatikanin – kemi gjithsej pesë shtete, që këtë vit, e kanë zbatuar dënimin për njerëz të burgosur në të ashtuquajturin ‘krahu i vdekjes’. Që prej 20 vitesh, jemi në nivelet më të ulëta për këtë lloj dënimi dhe në krahun e vdekjes, numri i të burgosurve është ulur nga 3700 në më pak se 3000”. Shihet se bota e ka ndryshuar mendësinë, vijon Marazziti. Siç ndodhi me torturat dhe skllavërinë, që u bënë “të padurueshme për ndërgjegjen njerëzore”, edhe ndjesia për dënimin me vdekje shkon në këtë drejtim. Nuk është ndjenjë uniforme, por, sipas Marazzitit, qartësisht e pandalshme, pavarësisht se akoma ka nga ata, që mendojnë se ky dënim vetëm duhet pezulluar, por jo shfuqizuar krejtësisht.

Dënimi i Papës Françesku

Lufta kundër dënimit me vdekje është dhe mbetet edhe angazhim i Papës Françesku. Ati i Shenjtë, përfundon Marazziti, “e ka sqaruar qëndrimin e Vatikanit”. Dënimi me vdekje "është i papranueshëm" ka pohuar Papa disa herë, duke i vënë vulën qëndrimit progresiv kundër këtij dënimi të gjithë Papëve të mëparshëm, që nga përfundimi i Luftës II Botërore. Në Romë, Koloseumi, monumenti më i famshëm i kryeqytetit italian, ndriçohet në orën 18.30, gjatë një ceremonie, në të cilën lexohen disa letra nga të dënuarit me vdekje.

30 nëntor 2022, 13:01