Kërko

Shën Katerina e Sienës Shën Katerina e Sienës

Më 29 prill, kalendari kujton Shën Katerinën e Sienës, doktoreshë e Kishës, Pajtore e Evropës

Grua unike në historinë e Kishës, që i përkiste katërcipërisht Birit të Zotit, plot guxim dhe urti: këto janë tiparet dalluese të Shën Katerinës nga Siena, autore e teksteve si Dialogu i Provanisë Hyjnore, Epistolari dhe përmbledhja e Lutjeve. Shenjtja qe vendimtare për kthimin e Papës në Romë nga Avignon-i, pasi shkoi në Provencë, më 1376, për t’u takuar me Papën Gregori XI. Për nivelin e saj të lartë shpirtëror dhe doktrinor, Papa Pali VI e shpalli Doktoreshë të Kishës, në vitin 1970

R.SH. – Vatikan

“Mos u kënaqni me gjëra të vogla. Zoti i do të mëdha”. Me këto fjalë, në stilin e saj të zakonshëm, të vendosur dhe tejet kërkues, por gjithmonë amnor, Caterina Benincasa, e njohur si Shën Katerina e Sienës, ftonte për një fe radikale një nga bashkëbiseduesit e saj epistolarë. Nxitja e saj zbulon dëshirën e zjarrtë të shenjtes, që kalendari e kremton sot, 29 prill, për ta përhapur Ungjillin në mbarë botën, përmes dëshmisë së bindur dhe të besueshme të burrave dhe grave, kthyer në krishtërim nga kumti i të Ringjallurit: "Me fe të pamposhtur, do të jesh në gjendje t’u bësh ballë fitimtare kundërshtarëve”, do t’i thotë Krishti në një vegim në ditën e fundit të karnavaleve, në vitin 1367, në një episod, që biografët e kujtojnë si dasma mistike e Katerinës.

E vendosur, që në fëmijëri, të bëhej nusja e Krishtit

Ajo lindi njëzet vjet më parë atij episodi, më 25 mars, në lagjen Fontebranda të Sienës, fëmija i njëzet e katërt ndër njëzet e pesë, sjellë në botë nga Jacopo Benincasa dhe Lapa di Puccio de' Piacenti, në një epokë me tensione të forta në strukturën shoqërore; vetëm gjashtë vjeçe, kur Papa e kishte selinë në Avignon dhe lëvizjet heretike po minonin jetën e Kishës, vajza e vogël pati vegimin e Jezu Krishtit të veshur si Papë. Një vit më pas, bëri kushtin e virgjërisë e, më vonë, vendosi të ndiqte urdhrin kishtar të dominikaneve. Prindërit e kundërshtuan, sepse e donin nuse, por Katerina reagoi me vendosmëri: në moshën 12-vjeçare preu flokët dhe u mbulua duke u mbyllur në shtëpi; atëherë, familja ra dakord për hyrjen e saj në terciaret dominikane, në vitin 1363.

Shën Katerina e Sienës
Shën Katerina e Sienës

Nënë dhe mësuese, pikë referimi shpirtërore për shumëkënd

Shenjtja mësoi të lexojë e të shkruajë, iu përkushtua veprimtarisë bamirëse ndër më të varfërit dhe - në një Evropë, ku mbretëronte murtaja, luftërat, zia e bukës dhe vuajtjet - u bë pikë referimi për njerëzit e kulturës dhe besimtarët. Më të afërmit prej tyre e quanin "nënë e mësuese" dhe u bënë transkriptues të thirrjeve të saj të shumta drejtuar autoriteteve civile dhe fetare: nxitje për të marrë përsipër përgjegjësitë, nganjëherë, edhe qortime, ose thirrje për veprim, të shprehura gjithmonë me dashamirësi dhe butësi. Ndër temat e trajtuara në letra: paqëtimi i Italisë, nevoja për kryqëzatë, reforma e Kishës dhe kthimi i Papës në Romë, për të cilin shenjtja qe vendimtare, pasi shkoi në Provencë, më 1376, për t’u takuar me Papën Gregori XI.

Papa, "Krishti i ëmbël në tokë" dhe kthimi i tij në Romë

Katerina nuk pati kurrë frikë ta vinte pasardhësin e Pjetrit, të cilin e quante "Krishti i ëmbël në tokë", para përgjegjësive të tij: ajo i njihte të metat e tij njerëzore, por gjithmonë kishte nderim të madh për mëkëmbësin e Krishtit në tokë, si edhe për të gjithë meshtarët. Pas rebelimit të një pjese të kardinajve, që i dha shkas skizmës së Perëndimit, Papa Urbani VI e thirri atë në Romë. Këtu, shenjtja u sëmur dhe vdiq më 29 prill 1380, si Jezusi, vetëm 33 vjeçe. Fjalët e Shën Palit apostull "Nuk jetoj më unë, por Krishti jeton në mua", u mishëruan në jetën e Katerinës, e cila në vitin 1375, mori dhuratë nga Zoti varrët (stigmat), duke rijetuar Mundimet e Krishtit çdo javë, sipas dëshmitarëve.

Shpallur Doktoreshë e Kishës nga Pali VI

Grua unike në historinë e Kishës, që i përkiste katërcipërisht Birit të Zotit, plot guxim dhe urti: këto janë tiparet dalluese të Shën Katerinës nga Siena, autore e teksteve si Dialogu i Provanisë Hyjnore, Epistolari dhe përmbledhja e Lutjeve. Për nivelin e saj të lartë shpirtëror dhe doktrinor, Papa Pali VI e shpalli Doktoreshë të Kishës, në vitin 1970. E dashuruar me Jezu Krishtin, shën Katerina shkroi: “Asgjë nuk e tërheq zemrën e njeriut si dashuria! Nga dashuria, Zoti e krijoi njeriun; nga dashuria, i ati dhe e ëma i dhanë thelbin e tyre, ai vetë është bërë për të dashur".

29 prill 2024, 12:17