Më 29 shtator kalendari kujton Kryeengjëjt: Mëhillin, Gabrielin e Rafaelin
R.SH. - Vatikan
Me 29 shtator Kisha katolike përkujton tre Kryeengjëjt: Mëhillin (Mikelin) 'ai që ndihmon', Gabrielin 'ai që mbron' e Rafaelin 'ai që shëron', për të cilët flitet qartë në Shkrimin Shenjt, Bibël, ku shënohen edhe detyrat që kryejnë: Kryeengjëlli Mikel apo Mëhill është kryetari i aradheve qiellore; Gabrieli është lajmëtar e Rafaeli, prijës i shtegtarëve.
Kryeengjëjt Mikel apo Mëhill, Gabrieli e Rafael janë fytyra, zëra dhe shenja të një Zoti që është afër. Ata, në fakt, janë ata që ndërmjetësojnë, që sjellin si lajmëtarë fjalët e Zotit deri në veshët tanë dhe na tregojnë fytyrën e Zotit. Feja, ashtu si dashuria, ka nevojë për shenja, ka nevojë të komunikohet dhe të marrë formë në historinë e njerëzimit, ashtu si edhe brenda historive tona personale. Fjalët, gjestet, marrëdhëniet: gjithçka është shenjë e një Zoti që bëhet shok udhe dhe që banon në përditshmërinë tonë. Ky është mesazhi i fuqishëm që sot na ofrojnë figurat e shenjtorëve Kryengjëj Mikeli, Gabrieli dhe Rafaeli.
Kulti i kryeengjëllit Mikel apo Mihill fillon që në shekujt e parë të historisë së krishterimit. Perandori Kostandini ngriti për nder të tij një Shenjtërore në bregun e Bosforit, në tokën evropiane, ndërsa Justiniani - një Shenjtërore tjetër në bregun e përtejmë. Data 29 shtator na kujton edhe shugurimin e Kishës kushtuar Shën Mikelit në shekullin V, në rrugën romake Salaria. Kremtimi i kësaj feste u përhap me shpejtësi si në lindje, ashtu edhe në perëndim. Në Romë iu kushtua mauzoleu i famshëm i Adrianit, i cili njihet prej kohe me emrin Kështjella e Shën Engjëllit.
Me njërin nga Kryeengjëjt, e pikërisht me Kryeengjëllin Gabriel, lidhet ngushtë edhe Radio Vatikani e përgjithësisht, puna e mediave si lajmëtarë të Ungjillit përmes valëve të eterit: Kryeengjëlli Gabriel, që i dha Virgjërës Mari lajmin e madh të shëlbimit, duke u bërë kështu i pari komunikator - pa mikrofon e pa internet - mjete për të cilat Kryeengjëjt s’kanë fare nevojë, natyrisht - është Pajtori qiellor i mediave dhe i të gjithë atyre që janë të impenjuar në fushën aq të rëndësishme të komunikimit shoqëror.
Duke marrë shtytjen nga festa e sotme e Shenjtorëve Kryeengjëj, Mikelit, Rafaelit e Gabrielit, Kisha katolike kujton se secili prej tyre ka një mision të posaçëm në historinë e shëlbimit. Ta kërkojmë me besim ndihmën e tyre, si dhe mbrojtjen e Engjëjve të Rojës. Prania e padukshme e këtyre shpirtrave të lum, na ndihmon e na ngushëllon fort: ata ecin përkrah nesh e na mbrojnë në çdo rrethanë, na ruajnë nga rreziqet e mund t’u kërkojmë ndihmë në çdo çast.
Shumë shenjtorë kishin me Engjëjt marrëdhënie të vërteta miqësie e të shumta janë episodet, që flasin për ndihmën e tyre në raste të veçanta. Engjëjt dërgohen nga Zoti për t’i shërbyer atyre, që do ta trashëgojnë shëlbimin, siç na e kujton Letra drejtuar Hebrenjve (1,14), e na japin ndihmën e tyre në shtegtimin tokësor drejt Atdheut qiellor. Kujtojmë se emrat Mikel, Gabriel e Rafael janë smjaft të përhapur ndër shqiptarë, madje Shën Mikeli, është i njohur edhe si Shën Mhilli.