Jeruzalem: Rrotulla e Madhe e Isaisë zbuluar në shpellat e Kumranit do të jetë në ekspozitë nga 12 dhjetori
R.SH. / Vatikan
Me rastin e 60-vjetorit të Muzeut të Izraelit, më 12 dhjetor do të hapet në Jeruzalem ekspozita titulluar "Një Zë nga Shkretëtira". Do të mund të vizitohet deri më 12 Prill 2026. "Mundësi unike" e quan Ministria e Turizmit e Izraelit, "për të admiruar dorëshkrimin më të plotë biblik zbuluar ndonjëherë nga Rrotullat legjendare të Detit të Vdekur. Zbulimi i Rrotullave të Detit të Vdekur - dorëshkrimet më të vjetra të zbuluara ndonjëherë me përmbajtje dhe tema biblike - përfaqëson një pikë kthese themelore në studimin e historisë së popullit hebre në lashtësi. Kurrë më parë nuk është zbuluar një thesar letrar dhe historik i kësaj madhësie".
Rrotullat e Detit të Vdekur u zbuluan ndërmjet viteve 1947 dhe 1956 në njëmbëdhjetë shpella pranë Khirbet Kumran, në bregun veriperëndimor të Detit të Vdekur. Duke datuar afërsisht 2,000 vjet (shekulli i 2-të p.e.s. - shekulli i 1-rë i erës sonë), përbëjnë një dëshmi unike. Më e rëndësishmja prej tyre është Rrotulla e Madhe e Izaisë: 7.17 metra e gjatë, më e madhja dhe më e ruajtura nga të gjitha rrotullat biblike. 54 kolonat e saj përmbajnë të 66 kapitujt e variantit hebraik të Librit të Isaisë. Duke datuar rreth vitit 125 p.e.s., është gjithashtu një nga më të vjetrat, mbi një mijë vjet më e vjetër se çdo dorëshkrim biblik i njohur para zbulimit të Rrotullave.
Rrotulla e Madhe e Izaisë, që ndodhet në Faltoren e Librit, e projektuar për të strehuar shtatë Rrotullat e para të Detit të Vdekur, u përurua më 20 prill 1965, një muaj para hapjes zyrtare të muzeut. Prandaj, viti 2025 shënon edhe 60-vjetorin e saj. I quajtur "xhevahiri i kurorës" i Faltores, vetëm një pjesë e vogël e rrotullës origjinale është normalisht në ekspozitë për shkak të kufizimeve të ruajtjes.
Në vitin 1968, rrotulla u vendos në ruajtje; që atëherë, vizitorët ishin në gjendje të admironin vetëm një riprodhim të plotë në qendër të Faltores dhe një seksion të vogël origjinal, në një vitrinë anësore. Prandaj, kjo ekspozitë do të ofrojë mundësi unike për ta parë atë në tërësinë e saj. Rrotulla do të vendoset në Galerinë Bella dhe Harry Wexner, në zemër të muzeut, një shteg që e përshkojnë pothuajse të gjithë vizitorët.