‘Hylli i Dritës’, në përvjetorin e botimit të numrit të parë më 1 tetor 1913
R.SH. / Vatikan
Duke shfletuar kalendarin historik, kujtojmë se si sot, më 1 tetor 1913, doli numri i parë i revistës së njohur të Françeskanëve shqiptarë "Hylli i Dritës", themeluar nga At Gjergj Fishta, menjëherë pas fitimit të pavarësisë kombëtare, në periudhën kur shtetit të ri, duhej t'i jepej orientim, mbështetje e shpirt.
"Hylli i Dritës" qe pasqyrë e lavdishme, por jo më pak edhe tragjike e historisë së Kombit Shqiptar, për lirinë e të cilit u përpoqën autorët e saj françeskanë e jo françeskanë, duke shkruar sa me bojë, aq me flijimin e jetës deri në derdhjen heroike të gjakut në mbrojtje të vlerave kulturore e shpirtërore të popullit shqiptar dhe të vendit.
Numri i parë i revistës “Hylli i Dritës” u botua më 1 tetor 1913, për t'u ndërprerë menjëherë, sepse doli haptas në mbrojtje të lirisë e të drejtave kombëtare shqiptare, seriozisht të kërcënuara një vit pas shpallje së pavarësisë e para fillimit të Luftës I Botërore.
Shkruante At Gjergj Fishta:"E tuj kenë se me të hîm t' ushtrive ndërkombëtare në Shkodër mbaroi nata e errshme e robnisë e për Shqipëtarë filloi me ague e bardha dritë e Lirisë, e kemi quejtë ketë të Përkohëshme tonë: "Hylli i Dritës", përsé âsht tue lé nepër ag të qytetnisë së Shqipënisë. E porsi Hylli i Dritës me fërfllim t'ambël të vetin ngjall shpënesët e shueme në zemër të shtegtarit, errun ndër shkretí të mjerueme, (ashtu) na do të përkujdesena, qi edhe e Përkohëshmja jonë të mrrijë me ngjall shpënesën ndër zemra të Shqipëtarëvet se prej Hyut ditë mâ të mira kanë me iu reshë Shqipënisë" (H.D. I. 1913, 4-8). (Pater Gjergji).
“Hylli i Dritës” u themeluarnga At Gjergj Fishta dhe u ringjall nga At Zef Pllumi
Revista Hylli i Dritës rifilloi të botohej në maj të vitit 1921, për të heshtur rishtas nga nëntori i 1944-tës deri në nëntor të 1993-shit. Nga 1993 u duk përsëri nën drejtimin e njërit nga françeskanët e paktë që kishin shpëtuar gjallë nga persekutimi i komunizmit: At Zef Pllumit. Në këtë periudhë të pas komunizmit, 'Hylli i Dritës' u botua deri ne vitin 1997 kur iu deshtë të mbyllej sërish. Pas kësaj ndërprerje të re, rifilloi përsëri të botohet në vitin 2006, gjithnjë nën drejtimin e Etërve Françeskanë të Shqipërisë.