Kërko

Me 10 nëntor kalendari kujton Shën Leonin e madh, Papë

Shërbëtor i së Vërtetës në Dashuri, teolog e bari i jashtëzakonshëm shpirtëror, ky me pak fjalë është portreti i shën Leonit të Madh. Papnia e Leonit të Madh, që zgjati 21 vjet mbetet një nga më të rëndësishmet në historinë e Kishës.

R.SH. - Vatikan

Kalendari kishtar më 10 nëntor përkujton Shën Leonin e Madh, njërin ndër Papët më të mëdhenj të historisë. Papa Leoni i Madh i dha autoritet Ipeshkvit të Romës, promovoi paqen në kohë të vështira, doktor i Kishës, sepse diti t’u qëndronte pranë besimtarëve me vepra baritore, bamirësie e me predikime.

Kur kohët duken të shënuara nga shumë pasiguri, braktisje, pasiguri, nevojiten udhëheqës të mençur, barinj që tregojnë rrugën drejt dritës. Dhe në kohë të vështira jetoi Shën Leoni I, Papa i parë të cilit iu dha titulli "Magno" (i Madh) dhe që nga viti 1754 kujtohet edhe si doktor i Kishës. Me origjinë nga Toskana, Itali, në vitin 430 ishte kryediakon; më pas ishte këshilltar i Celestinit I dhe i Sikstit III dhe në vitin 440 u zgjodh Papë. Leoni I luftoi kundër herezive të shumta që po përhapeshin në shekullin V, veçanërisht manikeizmin dhe priscilianizmin. Leoni I u angazhua gjithashtu edhe për të luftuar paganizmin aty ku rrezikonte të rindizej. Ndër sfidat me të cilat u përball ishte edhe situata e rëndë në të cilën ndodhej Perandoria Romake, tashmë afër kolapsit dhe e kërcënuar nga pushtimet barbare. I dërguar nga perandori Valentiniani III, në vitin 452 arriti të ndalonte Hunët e Atilës në Mincio me një mision, detajet e të cilit janë ende të panjohura. Në vitin 455 bindi pushtuesit Vandalë të Genserikut të kursenin jetën e banorëve të Romës.

Përballë polemikës kristologjike që ndante Lindjen, në vitin 451 thirri Koncilin e Kalcedonisë, të cilit i takoi të afirmonte përfundimisht doktrinën e dy natyrave, njerëzore dhe hyjnore, të bashkuara në personin e vetëm të Krishtit. Së fundi, Leoni I mbrojti primatin e ipeshkvit të Romës. Vdiq në vitin 461.

Papnia e Leonit të Madh, që zgjati 21 vjet dhe mbetet një nga më të rëndësishmet në historinë e Kishës. E kjo, jo vetëm pse theksoi me forcë përgjegjësinë e pasardhësit të Pjetrit, por kryesisht sepse këtë përgjegjësi diti ta ushtrojë mrekullisht mirë, në Perëndim e në Lindje, duke ndërhyrë me maturi, vendosmëri e kthjelltësi, si përmes shkrimeve, ashtu edhe përmes legatëve të tij. Mbeti kështu në kujtesën e Kishës si Kryebari që vijoi ta kumtojë me sukses Ungjillin edhe në kohë tepër të vështira për Kishën, duke e lidhur ngushtë liturgjinë, me jetën e përditshme të të krishterëve.

10 nëntor 2025, 09:59