Kërko

Shën Gjon Njuman është Doktor i Kishës. Leoni XIV, botës edukative: shkëlqeni si yje në botë

Në Meshën e solemnitetit të Gjithë Shenjtorëve, sot më 1 nëntor, me rastin e Jubileut të botës edukative, në sheshin e Shën Pjetrit, Leoni XIV shpall doktor të Kishës kardinalin anglez John Henry Newman, të kanonizuar në vitin 2019. Trashëgimia e tij, thekson Papa, është të formojë “njerëz prej mishi e gjaku”, në mënyrë që të shkëlqejnë “në dinjitetin e tyre të plotë”, veçanërisht ata që duket se nuk japin fryt, “sipas parametrave të një ekonomie që përjashton dhe vret”.

R.SH. / Vatikan

"Në këtë Solemnitet është gëzim i madh të regjistrojmë Shën Gjon Henri Njumanin ndërmjet Doktorëve të Kishës dhe, në të njëjtën kohë, me rastin e Jubileut të Arsimit, ta emërojmë atë bashkë-mbrojtës, me Shën Tomën e Akuinit, të të gjithë atyre që janë përfshirë në procesin arsimor". Me këto fjalë e hapi Papa Leoni XIV homelinë e tij sot, në Solemnitetin e Gjithë Shenjtorëve, në Vatikan.

Papa Leoni XIV shpreson se figura e Shën Newmanit do të "frymëzojë breza të rinj me zemra të etura për të pafundmen, të gatshëm të ndërmarrin, përmes kërkimit dhe dijes, atë udhëtim që, siç thoshin të lashtët, na çon per aspera ad astra, domethënë, përmes vështirësive, drejt yjeve". Papa më pas u përqendrua tek dëshmia e shenjtorëve: jeta e tyre na mëson se "është e mundur të jetosh me pasion mes kompleksitetit të së tashmes, pa lënë pas dore mandatin apostolik: 'Shkëlqeni si yje në botë'". Më pas citoi Shën Palin, nga Letra drejtuar Filipianëve.

Dhe është e njëjta ftesë që Papa u drejton edukatorëve dhe institucioneve arsimore, të thirrura sot për të festuar Jubileun e tyre: 'Shkëlqeni sot si yje në botë', falë autenticitetit të angazhimit tuaj për kërkimin e përbashkët të së vërtetës, për ta ndarë atë vazhdimisht dhe bujarisht, përmes shërbimit ndaj të rinjve, veçanërisht të varfërve, dhe në përvojën e përditshme".

Ai flet për shkollat ​​dhe universitetet "si laboratorë të profecisë, ku shpresa jetohet dhe tregohet dhe ripropozohet vazhdimisht", thotë Papa. Merr frymëzim nga Ungjilli i sotëm, nga Lumnitë: "Lumnitë mbartin brenda tyre interpretim të ri të realitetit. Janë rruga dhe mesazhi i Jezusit edukator. Në shikim të parë, duket e pamundur t’i shpallësh të varfrit të lum, ata me famë dhe të etur për drejtësi, të persekutuarit ose paqebërësit. Por ajo që duket e pakonceptueshme në gramatikën e botës, është e mbushur me kuptim dhe dritë në afërsi të Mbretërisë së Perëndisë. E ai i përcakton Lumnitë si "mësim par excellence" sepse vjen nga Jezusi, që "nuk është njëri nga shumica e mësuesve, është Mësuesi par excellence. Madje, Edukatori par excellence".

Sigurisht, bota e sotme mund t'u japë të gjithëve përshtypjen se jetojnë në errësirë. Duket se nuk ka dritë. Dhe është drita që Papa Leoni XIV e kujton kur flet për Doktorin e ri të Kishës, Newman: kur kujton himnin e tij të famshëm "Lead, kindly light": "Në këtë lutje të bukur," vazhdon Papa Leoni, "ne e kuptojmë se jemi larg shtëpisë, këmbët tona lëkunden, nuk mund ta deshifrojmë qartë horizontin. Por asgjë nga këto nuk na pengon, sepse kemi gjetur Udhërrëfyesin: "Më prij, o Dritë e Butë”, përmes errësirës që më rrethon; qofsh Ti Ai që më udhëheq!".

Papa Leoni XIV reciton disa vargje në anglisht, nga poema e bukur e Doktorit të ri të Kishës. Kjo është detyra e edukimit, thekson, domethënë, "t'u ofrojë këtë Dritë të Butë atyre që përndryshe mund të mbeteshin të burgosur nga hijet veçanërisht të fshehta të pesimizmit dhe të frikës". Nuk ka vend, pra, për "arsyet e rreme të dorëzimit dhe të ligështisë ". Papa na inkurajon “t’i bëjmë shkollat, universitetet dhe çdo institucion arsimor, madje edhe ato informale dhe në nivel rruge, pragjet e qytetërimit, të dialogut dhe të paqes".

Pastaj Ati i Shenjtë Prevost na inkurajon të jemi ajo "turmë e madhe" për të cilën flitet në liturgjinë e sotme: Libri i Zbulesës. Vështrimi i Papës ndalet mbi "më pak të talentuarit" dhe pyet: "A nuk janë edhe ata njerëz? A nuk kanë të dobëtit të njëjtin dinjitet si ne?" A nuk janë ata që lindin me më pak mundësi, më pak të vlefshëm si qenie njerëzore? A duhet thjesht të mbijetojnë? "Vlera e shoqërive tona varet nga përgjigjja që u japim këtyre pyetjeve, dhe e ardhmja jonë varet gjithashtu prej saj", citoi Papa Leoni XIV nga Thirrja e tij e fundit Apostolike "Dilexi te". Për t’u përgjigjur më pas: "Shtojmë: cilësia ungjillore e arsimit tonë varet gjithashtu nga kjo përgjigje. Ndër trashëgimitë e qëndrueshme të Shën Gjon Henry-t janë, në këtë kuptim, disa kontribute shumë domethënëse në teorinë dhe praktikën e arsimit".

Citon më pas Shën John Newman-in, i cili kishte në zemër "misterin e dinjitetit të çdo personi njerëzor dhe gjithashtu, atë të shumëllojshmërisë së dhuratave të shpërndara nga Zoti". E shton: "Jeta ndriçohet jo sepse jemi të pasur, të bukur apo të fuqishëm. Ndriçohet kur zbulojmë brenda vetes këtë të vërtetë: “Jam i thirrur nga Zoti, kam një thirrje, kam një mision, jeta ime i shërben diçkaje më të madhe se unë! Çdo krijesë e vetme ka një rol për të luajtur. Kontributi që secila ka për të ofruar, është me vlerë unike dhe detyra e komuniteteve edukative është të inkurajojë dhe rrisë atë kontribut". 

Dhe së fundi, kujton fjalët që Papa Benedikti XVI - me rastin e Udhëtimit të tij Apostolik në Britaninë e Madhe në shtator 2010, gjatë të cilit ai e shpalli të lum John Henry Newman - u tha të rinjve, duke i ftuar të bëhen shenjtorë: "Ajo që Zoti dëshiron më shumë se çdo gjë tjetër për secilin prej jush është që ju të bëheni shenjtorë. Ai ju do shumë më tepër sesa mund ta imagjinoni dhe dëshiron më të mirën për ju". Rrezet e diellit shkëlqejnë në të gjithë sheshin. Drita e Newman-it duket se shndritë vërtet mbi të gjithë Kishën sot. Është drita e mençurisë. Është drita e të gjithë Shenjtorëve.

01 nëntor 2025, 14:36