Kërko

2024.03.29 Gesù Cristo la crocifissione

Shenjtorët e javës 23 - 30 nëntor

R.SH. / Vatikan

E diel më 23 nëntor, Kisha katolike kremton të dielën e 24-të gjatë vitit kishtar e solemnitetin e Jezu Krishtit, Mbretit të Gjithësisë. Kjo është e diela e fundit e këtij viti liturgjik, ciklit të tretë, sipas kalendarit liturgjik. Po më 23 nëntor, kalendari përkujton edhe shën Klementin I papë e martir, shën Kolombianin abat dhe shën Feliçitën martire.

Jezu Krishti i kryqëzuar, mbreti "i mirë" i dhuruar nga Ati

Në kohën e Davidit, ishte populli ai që kërkoi një mbret, madje zgjodhi një mbret. Sot ne marrim një mbret. Në butësinë e Tij, Ati na dhuron një mbret: Jezusin, Mbretin e universit. Na e dhuron në kryq. Dhe i pari që e pranon, që dëshiron mbretërinë e Tij, është një keqbërës: «Jezus, më kujto kur të hysh në mbretërinë Tënde». Si ndodhi ky kthim? Si arriti keqbërësi ta njihte Jezusin si mbret, ndërsa, na tregon Mateu, pak më parë, edhe ai e fyente Jezusin? A ishte prania e Marisë te këmbët e kryqit? Sigurisht, është ky kthim që Ati dëshiron të na dhurojë sot: të rrëfejmë mbretërinë e Jezusit. Të sodisim Jezusin e kryqëzuar, Jezusin e braktisur, dhe të njohim në Të Atë, jo vetëm nëpërmjet dhe në funksion të të cilit janë krijuar të gjitha gjërat, por edhe nëpërmjet dhe në funksion të të cilit janë pajtuar të gjitha gjërat. Atëherë, të dashuruar vetëm me Të dhe me Mbretërinë e Tij, nuk do të kemi më asnjë mbret tjetër në zemrat tona. Do të jemi të lirë. Prandaj, ta bëjmë tonën lutjen e sotme: «O Zot i gjithëpushtetshëm dhe i përjetshëm, që deshe të ripërtërish të gjitha gjërat në Krishtin, Birin Tënd, Mbretin e universit, bëj që çdo krijesë, e lirë nga skllavëria e mëkatit, të të shërbejë dhe të të lavdërojë pa fund».

Të hënën më 24 nëntor, kalendari përkujton shën Andreun Dun-Lak, meshtar, me shokët martirë dhe shën Krizogonin, martir.

Të martën më 25 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Katerinën e Aleksandrisë, virgjër e martire; shën Moisiun, martir; shën Pjetrin e Aleksandrisë, ipeshkëv e martir dhe të Lumët Luigji e Maria Beltrame Kuatroki, bashkëshortë.

Të mërkurën më 26 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Sirikun papë; Leonardin nga Porto Mauricio, meshtar françeskan dhe Silvestrin, abat, themelues i murgjve Silvestrin. 

Të enjten më 27 nëntor, kalendari përkujton Shën Virgjilin, ipeshkëv i Salcburgut dhe shën Laverin

Të premten më 28 nëntor, kalendari përkujton Shën Jakun e Markeve, françeskan dhe shën Teodorën

Të shtunën më 29 nëntor, kalendari përkujton shën Saturnin, martir.

Të dielën e ardhshme më 30 nëntor, bie  e Diela e Parë e Kohës liturgjike të Ardhjes, me të cilën Kisha katolike romake fillon një Vit të Ri liturgjik. Gjithnjë më 30 nëntor, kalendari kishtar përkujton shën Andreun Apostull.

23 nëntor 2025, 10:04