Kërko

Të Drejtat e Njeriut Të Drejtat e Njeriut

77-vjetori i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut

Dita e 10 dhjetorit na kujton datën e rëndësishme të 10 dhjetorit të vitit 1948, kur 77 vjet më parë Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi solemnisht Deklaratën Universale mbi të drejtat e njeriut, një nga aktet e para ndërkombëtare të kësaj asambleje. Të drejtat e njeriut përballë provës së historisë.

R.SH. - Vatikan

Sot bie 77 vjetori i hartimit të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut (UDHR), Kartës themelore të Kombeve të Bashkuara që përcakton të drejtat e patjetërsueshme të çdo personi. E miratuar nga Asambleja e Përgjithshme në Paris më 10 dhjetor 1948 (rezoluta 217/A) si standard i përbashkët arritjeje për të gjithë popujt dhe kombet, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut është katalogu i parë universal i të drejtave të njeriut, fryt i një rrugëtimi të gjatë historik, juridik dhe kulturor. Pikërisht për të kujtuar këtë datë të rëndësishme, çdo 10 dhjetor shënohet Dita Botërore e të Drejtave të Njeriut.

77-vjetori forcon rëndësinë e reformimit të OKB-së për t’u përballur me krizat aktuale, por nënvizon edhe rolin historik të UDHR-së si dokument kyç për paqen dhe drejtësinë globale, duke sanksionuar parime si mosdiskriminimi, liria dhe barazia, si dhe duke theksuar rëndësinë e promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, thelbësore për bashkëjetesën paqësore. UDHR-ja — një nga tekstet më të përkthyera në botë, që ka frymëzuar dhe hapur rrugën për miratimin e mbi shtatëdhjetë traktateve për të drejtat e njeriut, të zbatuara sot në mënyrë të përhershme në nivel global dhe rajonal — shpall të drejta që i takojnë çdo qenieje njerëzore, pa dallim: një dokument orientues që pasqyron përçmimin ndaj të drejtave të njeriut si shkak i luftës, duke theksuar nevojën për një rend botëror të bazuar në dinjitetin njerëzor.

Si pikë referimi për drejtësinë ndërkombëtare, teksti përmban 30 nene, të paraprirë nga një preambulë me kuptim të thellë. Në të theksohet se «njohja e dinjitetit të lindur për të gjithë anëtarët e familjes njerëzore dhe e të drejtave të tyre të barabarta e të patjetërsueshme përbën themelin e lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë».

Për herë të parë pra, hartohej një tekst, edhe pse jo detyrues për shtetet, që u atribuonte çdo qenieje njerëzore një sërë të drejtash themelore. Por pothuaj se 80 vjet më vonë, këto aspirata mbeten të paplotësuara në pjesë të ndryshme të botës, për shkak të luftërave, diskriminimeve, dhunës dhe diktaturave, në disa raste edhe totalitare. Në këtë epokë të re, të karakterizuar nga një përzierje praktikash autoritare dhe etje për fitim të korporatave ekonomike, po rriten ndjeshëm shtypjet e dhunshme dhe të përhapura të kundërshtimit, përshkallëzimet katastrofike të konflikteve të armatosura, veprimet e pamjaftueshme për të përballuar kolapsin klimatik, si edhe hapa shqetësues pas në mbrojtjen globale të personave emigrantë dhe refugjatë.

Ata që e pësojnë më rëndë janë gratë, siç dëshmojnë gjithnjë e më shumë lajmet që vijnë nga vende të ndryshme. Kërcënime vijnë gjithashtu nga teknologjitë e vjetra dhe të reja, të cilat përdoren për të fituar mbështetje politike ose suksese elektorale, për të ndihmuar forca shtypëse, për të përhapur dezinformim dhe për të sulmuar pakicat.

Amnesty International ka denoncuar se spyware-t (programe të dëmshme të instaluara në një pajisje pa pëlqimin e përdoruesit për të mbikëqyrur aktivitetin e tij online) janë përdorur ndaj gazetarëve në mërgim dhe mbrojtësve të të drejtave të njeriut. Është vënë gjithashtu në dukje përdorimi i teknologjive për të forcuar politika diskriminuese. Disa shtete po përdorin gjithnjë e më shumë identifikimin e fytyrës për të kontrolluar protestat në rrugë dhe ngjarjet sportive, por edhe për të kufizuar lirinë e lëvizjes dhe për të diskriminuar komunitetet e margjinalizuara. Këto teknologji janë përdorur gjithashtu për të ç’njerëzuar menaxhimin e emigracionit dhe kontrollin kufitar, me përdorimin e programeve të mbledhjes së të dhënave, sistemeve biometrike, mjeteve elektronike alternative ndaj ndalimit. Si rezultat, forcohen diskriminimi, racizmi dhe mbikëqyrja ndaj personave të racializuar.

Sipas shumë analistëve, realizimi i plotë i të drejtave të njeriut mbetet një objektiv i largët dhe i paarritshëm. Edhe pse këto ligje globale kanë një funksion kufizues, ato nuk mjaftojnë për të ofruar mbrojtje të përshtatshme të të drejtave të njeriut, sidomos në kontekste larg vëmendjes ndërkombëtare. Situata reale e botës është pra ende shumë larg idealeve të parashikuara nga Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, siç tregohet nga realiteti i ashpër i shkeljeve të përditshme.

Nga l’Osservatore Romano, 10 dhjetor 2025

10 dhjetor 2025, 17:10