Kërko

Shën Arkadi i Cezaresë në Mauretani, Martir Shën Arkadi i Cezaresë në Mauretani, Martir

Më 12 janar kalendari kujton Shën Arkadin, martir

Shën Arkadi, martir gjatë persekutimit të shpërthyer nga perandori romak Diokleciani, ai ikën nga qyteti i tij, Cezarea e Mauritanisë, në Afrikën e Veriut. Ai i dorëzohet autoriteteve kur një i afërm i tij kapet në vend të tij. Pasi refuzon t'u sakrifikojë idhujve (perëndive), ai vdes martir mes torturave mizore në vitin 304.

R.SH. - Vatikan

Më 12 janar, kalendari kishtar përkujton një të krishterë që u vra sepse refuzoi të ofronte një flijim për perënditë pagane të Romës së lashtë, Shën Arkadin nga Cezarea e Mauritanisë, martir.

Sipas përshkrimit të martirizimit të tij, Arkadi mbylli sytë në Akajë, por të gjitha dëshmitë tjera, që përkojnë plotësisht me njëra-tjetrën, vërtetojnë se duhet të jetë martirizuar në Çezaré të Mauritanisë, në Afrikë. Në se mund të arrihet në një përfundim të saktë për vendin ku u martirizua, nuk është aq e lehtë të përcaktojmë edhe kohën kur e dëshmoi me gjak fenë në Krishtin. Mendohet të ketë vdekur rreth vitit 304, gjatë persekutimit të fundit pagan.

Tërbimi i persekutuesve ishte ndezur aq, sa mjaftonte vetëm një dyshim për të përligjur vrasjet masive të të dyshuarve. Procesionet dhe flijimet e përditshme idhujtare, shoqëroheshin me martirizimin e të krishterëve, prandaj Arkadi, njeri tepër i njohur, i neveritur nga krimet barbare që kryheshin para syve të tij, iku në Çezare. Por mungesa e tij ra shpejt në sy. Atëherë ushtarët arrestuan një nga pjesëtarët e familjes, duke e përdorur si peng, për ta detyruar të kthehej. Arkadi u kthye menjëherë.

U paraqit para gjykatësit, i cili e ftoi të flijonte për nder të idhujve. Po ai nuk pranoi. Atëherë u dënua me vdekje të ngadalshme, të shkaktuar nga torturat më të tmerrshme që njiheshin në atë kohë. Sipas martiriologëve latinë, festa e Shën Arkadit kremtohet më 12 janar.

Dokumenti më i çmuar i kultit të Shën Arkadit është predikimi që i kushton Shën Xenoni, ipeshkëv i Veronës, i cili ka mundësi të ketë qenë me origjinë afrikane. Duket qartë se Shën Xenoni pati një devocion të madh për Arkadin e besohet se ishte ai vetë që i solli Aktet e martirizimit të Shenjtit në Veronë, gjë që kujtohet që në fillim të panegjirikut të ipeshkvit kushtuar Shenjtit.

Arkadi pësoi martirizimin në Qezarenë e Mauretanisë (Cherchell, në Algjerinë e sotme), sipas dëshmisë së dhënë nga një predikim i Shën Zenonit, ipeshkëv i Veronës, i cili ishte me origjinë nga Mauretania dhe kishte një devotshmëri të madhe për Arkadion: De natali S. Arcadii, qui habet natale pridie idus ianuarii in civitate Cesareae Mauritaniae (Mbi lindjen e Shën Arkadios, lindja [për në qiell] e të cilit kremtohet në pragun e janarit në qytetin e Qezaresë së Mauretanisë).

12 janar 2026, 09:27