Me 19 janar kalendari kujton Shenjtorët Marion e Martën, martirë
R.SH. - Vatikan
Me 19 janar kalendari kishtar përkujton Shenjtorët Marion (Marjanin) e Martën bashkëshortë dhe fëmijët e tyre, Abakun e Audifacin, martirizuar në Romë.
Sipas traditës, Shën Mario vdiq martir bashkë me bashkëshorten e tij, Martën, dhe djemtë Abako dhe Audifaci. Një Passio (tregim mbi mundimet) i shekullit VI i përshkruan Marion dhe familjarët e tij si shtegtarë persianë që kishin mbërritur në Romë për t’u lutur mbi varret e martirëve, ndoshta rreth fundit të shekullit III.
Megjithatë, ata u gjendën në mes të persekutimit të urdhëruar nga Diokleciani: në rrugën Salaria, në Romë, ata ndihmuan një prift romak të varroste trupat e 260 martirëve, por vepra e tyre nuk kaloi pa u vënë re. Në fakt, ata u arrestuan dhe, kur iu kërkua të bënin flijime për perënditë pagane, refuzuan të mohonin fenë e tyre në Jezu Krishtin. Për këtë arsye, u dënuan me prerje koke dhe më pas u varrosën nga një matronë në një pronë bujqësore të quajtur "Buxus", sot Boccea, në periferi të Romës.
Shembulli i atyre të krishterëve që kishin derdhur gjakun për fenë i bëri edhe ata të dhuronin jetën për Ungjillin. Reliket e Shën Marios nderohen në Kishat romake të Shën Adrianit e të Shën Prasedes dhe në manastirin gjerman me arkitekturë romanike të Seligenshtadit.
Lutje Shën Marios dhe Familjes së tij, martire
O Zot, që u dhe Shenjtërve Marios, Martës, Abakut dhe Audifacit hirin për të dëshmuar Ungjillin deri në dhurimin e jetës, na jep edhe neve, me ndërmjetësimin e tyre, të njëjtin guxim në fe.
Ti që i udhëhoqe nga Persia e largët deri në Romë për të nderuar varret e martirëve, bëj që edhe ne të jemi gjithmonë "shtegtarë" në kërkim të së Vërtetës. Na ndihmo të njohim fytyrën Tënde te vëllezërit e motrat që vuajnë dhe të kemi guximin t'i shërbejmë atyre me dashuri, ashtu si kjo familje e shenjtë që nuk u kursye para rreziqeve për të varrosur me nderim martirët e Tu.
Mbroji familjet tona, që të jenë vatra besimi dhe uniteti, dhe na mëso se nuk ka dashuri më të madhe se ajo që jep jetën për miqtë e vet.
Shenjtërit Mario, Marta, Abako dhe Audifas, lutuni për ne!