Dita botërore e arsimit: 278 milionë fëmijë pa shkollë
R.SH. / Vatikan
Lufta, zhvendosja, varfëria, ndryshimet klimatike, diskriminimi, pabarazia dhe mungesa e fondeve: këto janë shkaqet kryesore të mungesës së pranimit në shkollë për 278 milionë fëmijë në mbarë botën. Nga Sudani i shkatërruar prej konfliktit, Save the Children njofton se gjysma e fëmijëve nuk ishin në gjendje të ndiqnin shkollën gjatë luftës civile gati trevjeçare, ashtu si te shumë situata të tjera sfiduese në pesë kontinente. "Arsimi është e drejtë njerëzore e trampolinë për më shumë mundësi, dinjitet dhe paqe", deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres, në mesazhin e tij për Ditën e sotme Ndërkombëtare të Arsimit.
Atlasi i WeWorld
Ukraina, Moldavia, Libani, Palestina, Mozambiku, Tanzania, Benini, Mali, Kamboxhia dhe Siria janë disa nga vendet ku vepron organizata humanitare WeWorld që, me rastin e përvjetorit të sotëm, publikoi Atlasin e saj të ri të Arsimit, titulluar "Mësim me zë të lartë". Pavarësisht nga rëndësia themelore e shkollave për të ardhmen e të rinjve dhe shoqërive, arsimi është një nga sektorët më të nënfinancuar në nivel global: në vitin 2025, u plotësua vetëm 24% e fondeve të nevojshme.
Nëse situata nuk ndërrohet deri në fund të vitit 2026, edhe në rrethana luftërash të shumta, numri i fëmijëve jashtë shkollës pritet të rritet nga 272 në 278 milionë. "Jemi në një kontekst shkurtimesh të mëdha të ndihmës ndërkombëtare, ndërsa nevojat janë në rritje: kjo ndikon fuqishëm në aftësinë për të garantuar arsim të përshtatshëm në kontekstet më të ligshta", pohon Elena Modolo, specialiste globale e arsimit në WeWorld, për mediat e Vatikanit, duke vënë në dukje, në veçanti, se si "krizat e shumta, e të zgjatura", si ajo në Siri, "minojnë arsimin cilësor për miliona fëmijë".
Një hapësirë mundësish
Krizat humanitare dhe mungesa e fondeve janë faktorë që pengojnë shumë fëmijë të arrijnë të ardhmen e ëndërruar, pasi varfëria dhe pabarazia e kufizojnë ndjeshëm ndjekjen e arsimit cilësor e, si rrjedhim, edhe punën e denjë. Pasojat e burimeve të reduktuara të disponueshme, sipas WeWorld, janë tashmë të dukshme: mbyllja e shkollave, rritja e shkallës së braktisjes së shkollës, mungesa e mësuesve, shërbimet e reduktuara të mbështetjes psikosociale dhe keqësimi i kushteve të të nxënit. "Fëmijët e vlerësojnë arsimin dhe janë të vetëdijshëm se shkolla përfaqëson një hapësirë unike mundësish për ta", thekson Elena Modolo.
Zëri i të rinjve
Titulli i zgjedhur për Atlasin e Arsimit të kujton temën e zgjedhur nga OKB-ja për Ditën Botërore të Arsimit 2026: "Fuqia e të Rinjve për të ndihmuar në krijimin e arsimit". Të rinjtë nën 30 vjeç përfaqësojnë më shumë se gjysmën e popullsisë globale, megjithatë janë ende të nën-përfaqësuar kur bëhet fjalë për të bërë që zëri i tyre të dëgjohet për reformat në këtë sektor. Arsimi nuk mbaron në shkollë. Vajzat dhe djemtë mësojnë kudo - në mjedise informale, në marrëdhënie, në hapësirat ku banojnë çdo ditë - e që ky mësim të jetë kuptimplotë, është themelore që zërat e tyre të dëgjohen, të njihen, të vlerësohen.
Në këtë kuptim, arsimi katolik luan edhe rol vendimtar, siç e tregoi Papa Leoni XIV në letrën e tij apostolike "Vizatimi i hartave të reja të shpresës"; pavarësisht sfidave të paraqitura nga "ndryshimi i epokës", ka ende forcën për të qenë "fener" për miliona të rinj në mbarë botën. Të rinjtë janë të thirrur të jenë protagonistë të së ardhmes së tyre. "Zgjedhja e titullit “Learning Out Loud”(Mësimi me zë të lartë) për Atlasin WeWorld," shpjegon Modolo, "është në përkim me përpjekjen tonë CARES, akronim për pesë parimet tona udhëzuese: komuniteti, qasja, të drejtat, shprehja dhe siguria. Ambicia jonë," vazhdon ai, "është të sigurojmë gjithnjë e më shumë pjesëmarrjen aktive dhe substanciale të vajzave, djemve dhe të rinjve në projektet që zbatojmë, duke i parë jo si pjesëmarrës të thjeshtë, por si palë të interesuara aktive dhe bashkëbisedues legjitimë".
Vende të Sigurta
Shkollat duhet të jenë "hapësira të sigurta" e, në kontekste krizash humanitare, edhe hapësira për mbështetje psikosociale. Ndërmjet viteve 2022 dhe 2023, u vërtetuan gati 6,000 sulme kundër shkollave, nxënësit dhe mësuesët u ndodhën në kontekste konflikti, ndërmjet arsimit e sigurisë. Sigurim i vazhdimësisë arsimore do të thotë mbrojtje e mirëqenies emocionale, relacionale dhe psikologjike të vajzave dhe djemve, duke ofruar stabilitet, rutinë dhe hapësira të sigurta në kontekste të prekura nga dhuna e pasiguria. Zërat e fëmijëve në kontekste krizash janë një aspekt kyç i Atlasit WeWorld. T’i dëgjosh, do të thotë ta njohësh arsimin si e drejtë, që hap rrugën drejt së ardhmes dhe mundësinë e imagjinimit të alternativave ndaj realitetit të tanishëm, veçanërisht në kontekste të prekura nga kriza dhe pabarazia. “Unë vij nga një familje e varfër”, thotë Puth, një 9-vjeçar që jeton në Kamboxhia. Falë mbështetjes së WeWorld, ka arritur të ndjekë rregullisht shkollën: “Po e lija shkollën sepse jetoj larg shkollës: ecja 3 km në ditë për të shkuar atje dhe nuk i kisha pajisjet e nevojshme shkollore. Tani shkoj rregullisht, mësoj më mirë dhe ndihem më i qetë e më i sigurt”.
Edukim cilësor
Por vazhdimi i shkollës nuk e garanton automatikisht arsimin cilësor. Sipas UNESCO-s, në mbarë botën ka mungesë prej 44 milionë mësuesish për të arritur objektivat globale të arsimit deri në vitin 2030, ndërsa miliona nxënës ndjekin shkolla pa shërbime themelore: 447 milionë djem dhe vajza nuk kanë ujë të pijshëm në shkollë, ndërsa 646 milionë nuk kanë kanalizime të përshtatshme, me ndikim veçanërisht të rëndë tek vajzat dhe adoleshentët. "Shkollat tona po jetonin një krizë të heshtur", shpjegon Abel João, një mësues në Mozambik, i cili vuri në dukje se "30% e nxënësve e braktisën shkollën dhe martesat e hershme ishin jashtëzakonisht të zakonshme". Falë pjesërisht mbështetjes së WeWorld, "sot është bërë një vend i gjallë, plot energji dhe shpresë, ku vajzat dhe djemtë ndihen të mirëpritur, pjesë e komunitetit dhe vërtet të vlerësuar".