Kërko

Auschwitz Auschwitz

Dita e Kujtesës së Holokaustit. Të Drejtët, liria dhe qëndresa e së mirës

Me 27 janar shënohet dita e Kujtesës së Holokaustit të popullit hebraik e të çdo gjenocidi tjetër. Kremtimi i Ditës së Kujtesës, kushtuar viktimave të Holokaustit, sulmit shfarosës të nazistëve kundër hebrenjve. Kujtesa e kësaj tragjedie katastrofike, sot tingëllon si qortim për të kaluarën, në shërbim të së ardhmes, për të mos u përsëritur kurrë më tmerret, që pësoi njerëzimi jo shumë vjet më parë

R.SH. - Vatikan

E gjithë bota kremton sot Ditën e Kujtesës për të mos harruar viktimat e Holokaustit. 27 janari u caktua për këtë qëllim me anë të rezolutës 60/7 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, më 1 nëntor 2005. Pikërisht më 27 janarin e vitit 1945 trupat e Ushtrisë së Kuqe, që merrnin pjesë në ofensivën Vistula-Oder në drejtim të Gjermanisë, çliruan kampin e përqendrimit të Auschëitz-it. Kujtojmë se 12 milion njerëz gjetën vdekjen në kampet naziste të përqendrimit, gjatë Luftës II Botërore e, prej tyre, 6 milion ishin hebrenj. 

Më 27 janar 1945, merrte fund turpi i Aushvicit. Dita e Kujtesës është vendosur enkas në këtë datë, të lidhur me vendin simbolikisht më të tmerrshëm të tragjedisë së jashtëzakonshme të Holokaustit. Nuk mund e nuk duhet të harrojmë. Nëse kanë ekzistuar njerëz, të aftë të arrinin në tmerre të tilla absurde, askush nuk na siguron se në të ardhmen nuk mund të ndodhë sërish, e Kujtesa e dhimbshme bëhet paralajmërim për sot e për çdo kohë.

Kujtimi i Shfarosjes së Hebrenjve është një pikë e rëndësishme konfrontimi në historinë e njerëzimit, për të kuptuar se ç’është në lojë, kur flitet për dinjitetin e patjetërsueshëm të çdo njeriu, për universalitetin e të drejtave të njeriut dhe për impenjimin në mbrojtjen e tyre. Shoah e shtyn njerëzimin të reflektojë mbi pushtetin e paparashikueshëm të së keqes, kur pushton zemrën e njeriut.

Liria e pamohueshme

E bashkë me viktimat – rreth 6 milion, vetëm hebrenj, për të mos llogaritur miliona të tjerët - kujtohen edhe ata, që nuk u mposhtën para kërcënimeve të nazizmit, që vepruan heroikisht duke rrezikuar jetën e tyre, pa ndonjë interes personal, për të shpëtuar qoftë edhe një hebre të vetëm nga tërbimi nazist i Shoah-ut.

Ishin njerëz, që e konsideronin lirinë si të drejtë të pamohueshme e të mirën, si të patjetërsueshme. Tashmë, janë ata, që njihen si “të Drejtë ndër Kombe”, nderim i lartë, dhënë nga Memoriali zyrtar i Izraelit, Yad Vashem, që nga viti 1962. E këta njerëz nuk janë të rëndësishëm vetëm për hebrenjtë, pasi përballë përpjekjeve nazifashiste për ta shpërfytyruar etikën, kulturën dhe qytetërimin evropian, dëshmuan se e mira ka forca për t’i bërë ballë së keqes e për të farkëtuar një qëndresë, që e ndihmoi kontinentin e vjetër të rimëkëmbet shpirtërisht pas Luftës II Botërore. Njerëz “të zakonshëm”, ditë për ditë e pa u ndalur, shpëtuan jetë, por edhe nderin e dinjitetin e Evropës. Ndër ta, “E Drejtë ndër Kombe” është edhe Shqipëria. Gjatë Luftës II Botërore, numri i hebrenjve në vend u dhjetëfishua, për shkak se shumë hebrenj gjermanë e austriakë gjetën strehim, si kushërinj a si punëtorë në familjet, që i fshehën e ndanë me ta bukën e përditshme.

27 janar 2026, 10:16