Kërko

Dom Ndoc Nikaj, prift e atdhetar, nё përvjetorin e vdekjes

Dom Ndoc Nikaj qe vërtetë një apostull i kulturës shqiptare, apostull dhe luftëtar i palodhshëm e i patrembur i idesë kombëtare. Tërë jetën e vet e shkriu në shërbim të ngritjes shpirtërore dhe kulturore të popullit të vet shqiptar. Puna e palodhshme e këtij shkrimtari duhet çmuar edhe më tepër, kur dihet se tërë jetën, talentin dhe pasurinë e shkrini në botimin dhe përhapjen e librave të kulturës shqiptare

R.SH. - Vatikan

Mё 16 janar kujtojmё pёrvjetorin e vdekjes sё dom Ndoc Nikajt (15.6.1865 – 16.01.1951), meshtari i madh, romancieri i parë shqiptar e historiani që s’bënte folklor me patriotizmin. Meshtar, shkrimtar e kronikan, Ndoc Nikaj qe edhe tipograf e rilindas i Shqipërisë.

Ndoc Nikaj lindi në Shkodër më 16 qershor 1865 dhe i mbylli sytë po në vendlindje, më 16 janar 1951. Lajmet më të rëndësishme të jetës ua ka përcjellur ai vetë lexuesve, te vepra e tij «Kujtime të nji jete së kalueme».

Prej viteve 1888 e deri në prag të Luftës së parë botërore botoi me dhjetra vepra origjinale si «Fejesa në djep ase Ulqini i marrun», «Bleta nner lule të Parrizit», ose «Marzia e ksctenimi n’filles t’vet», pa përmendur këtu edhe tekste shkollore e abetare. Megjithatë, dy veprat që i kushtuan arrestimin prei xhandarmërisë turke qenë «Historija e Shqypnies» dhe «Historia e Turkies» ku shprehej me patos të madh për Gjergj Kastriotin.

Kur vlonte kryengritja e Malsisë së Madhe në vitin 1909, nëpërmjet arbëreshëve të Italisë, Dom Ndoc Nikaj kontaktoi Riccioti Garibaldin, djalin e Giuseppe Garibaldin dhe i kërkoi të zbarkonte armë dhe municion në Shëngjin, por kjo përpjekje nuk pati sukses dhe kryengritja u shtyp.

Në vitin 1910, bashkë me abatin e Mirditës Preng Doçin, të cilin e kishte mik të ngushtë, Ndoc Nikaj qe një ndër themeluesit e shoqërisë «Bashkimi» në Shkodër,  e cila nxiti përhapjen e gjuhës, letërsisë, historisë dhe të arsimit në gjuhën amtare.

Shtypshkronja e themeluar prej tij në vitin 1909, mbasi kishte marrë lejen e autoriteve osmane, u bë një nga tipografitë kryesore në Shqipëri. Por aty, meshtari shtypte pa dijeninë e autoriteteve edhe gazeta klandestine që bënin thirrje për liri dhe pavarësi nga sundimtarët osmanë, duke e vënë kokën në gërshërë ditë-natë.

Përpjekjet e tij të shumëfishta për lirinë dhe diturinë në Shqipëri ranë në sy edhe gjatë pushtimit të shkurtër malazez të 1913, e po ashtu edhe gjatë tërheqjes së ushtrive malazeze në korrik të vitit 1915. U arrestua dhe i shpëtoi pushkatimit për pak.

Herën e tretë, Dom Ndoc Nikaj u arrestua nga komunistët në moshë të thyer, mbas Luftës së dytë botërore. Ndërroi jetë në Shkodër, duke lënë në dorëshkrim shumë vepra interesante që mbetën të pabotuara deri në vitet e demokracisë.

Përveç se famullitar, dom Ndoc Nikaj qe edhe kapelan i derës së Gjomarkajve të Mirditës, duke kthyer në traditë shërbimin meshtarak personal për bujarët e vendit, traditë që kishte humbur që me rënies e Arbërisë në dorë të osmanëve. Falë tij, njohim shumë nga prapaskenat e politikës shqiptare të viteve 1920-1940, duke nisur që nga kryengritja e Mirditës deri te pushtimi italian.

Përveç këtyre që thamë, dom Ndoc Nikajt i jemi mirënjohës edhe për dokumentimin e disa monumenteve të antikitetit në Shkodër. Kështu, në zonën poshtë kalasë së Shkodrës, në jug, aty ku gjendej fabrika e tij e alkoolit, kishte vënë re një gur monumental kushtuar perandorit romak Septim Severit, bashkë me disa pjesë muresh të periudhës romake që shiheshin ende me sy në fundit e shekullit XIX. Veprat e tij janë paraqesin interes shkencor edhe për fjalorin e shqipes së atyre viteve. Shumë prej atyre fjalëve të vjetra që përdorte ai, janë përfshirë edhe në fjalorin e «Bashkimit»

Dom Ndoc Nikaj qe vërtetë një apostull i kulturës shqiptare, apostull dhe luftëtar i palodhshëm e i patrembur i idesë kombëtare. Tërë jetën e vet e shkriu në shërbim të ngritjes shpirtërore dhe kulturore të popullit të vet shqiptar. Puna e palodhshme e këtij shkrimtari duhet çmuar edhe më tepër, kur dihet se tërë jetën, talentin dhe pasurinë e shkrini në botimin dhe përhapjen e librave të kulturës shqiptare.

16 janar 2026, 10:54