Kërko

Njerëzit rreshtohen për të marrë ndihmë në qytetin e Adenit (ANSA) Njerëzit rreshtohen për të marrë ndihmë në qytetin e Adenit (ANSA)

Jemen, Imzot Martinelli: dy bashkësi fetare rezistojnë në kaos e bëjnë mrekulli

Shkallëzim i ri luftimesh në vend! 19 milionë vetë kanë nevojë urgjente për ndihmë. Duke komentuar mesazhin Urbi et Orbi të Leonit XIV, Vikari Apostolik i Arabisë Jugore thekson identifikimin e Zotit me ata që janë të dërmuar nga uria dhe varfëria dhe përshkruan gjendjen e vështirë të pranisë së paktë të krishterë, përkrah së cilës qëndrojnë Misionarët e Bamirësisë dhe një prift.

R.SH. / Vatikan

"Duke u bërë njeri, Jezusi merr mbi vete brishtësinë tonë dhe identifikohet me secilin prej nesh: me ata që vuajnë nga uria dhe varfëria, si populli jemenit." Me këto fjalë, të thëna në mesazhin e tij të Krishtlindjes Urbi et Orbi, Papa Leoni XIV hodhi dritë mbi një nga luftërat më të tmerrshme, por edhe më të harruara në botë: atë të Jemenit.

Afërsia e Leonit XIV

"Bashkësia jonë ndjen mirënjohje të jashtëzakonshme ndaj Atit të Shenjtë", vëren Imzot Paolo Martinelli, Vikar Apostolik i Arabisë Jugore, duke përfshirë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, Omanin dhe Jemenin. "Më preku veçanërisht shikimi i fesë që propozoi - vazhdoi Imzot Martinelli - duke lidhur mishërimin e Birit të Zotit me identifikimin e tij me vuajtjet, me ata që janë pre e urisë, e varfërisë dhe e mjerimit. Në këtë mënyrë, Papa Leoni u kujton të gjithëve praninë e Krishtit në atë që vuan. Me fjalët e tij,  duket se i drejtohet një bote që shpesh nuk ia vë veshin realitetit të atyre që jetojnë në varfëri, krejt të harruar. Po Zoti nuk harrohet: Zoti është i pranishëm tek të gjithë veçanërisht tek ata. Duhet të shtoj se edhe në rastet personale të fundit me Papën Leoni XIV, ishte shumë i vëmendshëm për situatën e Jemenit. Interesohej posaçërisht për të kuptuar situatën e përgjithshme dhe kushtet e besimtarëve tanë".

Shkallëzimet e ditëve të fundit

Këtë javë situata e përgjithshme pati një seri shkallëzimesh të reja, të rrezikshme për vendin që kufizohet me Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit: fronti që, nga jugu i Jemenit, lufton kundër rebelëve Huthi, vendosur në veri, është ndarë kohët e fundit. Disa ditë më parë, Këshilli i tranzicionit, themeluar në vitin 2017, paraqiti një plan të qartë politik, besnik ndaj idealeve të tij: shpalljen e një shteti të pavarur në Jemenin jugor, të paraprirë nga një periudhë dyvjeçare tranzicioni dhe një referendum. Ndërsa ideja separatiste mori përsëri mbështetje nga Emiratet e Bashkuara Arabe, u refuzua si nga Arabia Saudite, ashtu edhe nga Këshilli Presidencial i Jemenit, që aktualisht vepron si qeveri dhe njihet ndërkombëtarisht. Kështu, Aidarous al-Zubaidi, politikani veteran që kryeson Këshillin Tranzitor Jugor, u akuzua për tradhti. Për më tepër, al-Zubaidi u akuzua për vrasjen e ushtarëve dhe oficerëve, si dhe për sabotimin e infrastrukturës ushtarake. Megjithatë, në vend që të shkonte në Riad për një sërë takimesh zyrtare, Al-Zubaidi vendosi të ndryshonte kurs, duke zgjedhur një vend ende të pazbuluar. Arabia Saudite akuzoi menjëherë Emiratet e Bashkuara Arabe për ikjen e udhëheqësit separatist nga Jemeni, por Abu Dhabi nuk ka reaguar deri tani. Përveç shkallëzimit të mëtejshëm të tensioneve ndërmjet dy fqinjëve në Gadishullin Arabik, ngjarja zbuloi çarje të reja brenda separatistëve: ndërsa sekretari i Këshillit Tranzicional njoftoi shpërbërjen e grupit separatist të premten, këto pretendime i mohoi sakaq zëdhënësi i grupit.

Drama humanitare

Kaosi politik ndërmjet nacionalistëve dhe separatistëve po përhapet edhe në terren. Të mërkurën, të paktën 20 persona u vranë në provincën jugperëndimore të Jemenit, Ad Dali, pas sulmeve ajrore kryer nga koalicioni arab, i udhëhequr nga Arabia Saudite kundër objektivave të Këshillit Tranzicional Jugor. Të nesërmen, autoritetet separatiste të Jemenit vendosën natën një shtetrrethim në fortesën e tyre jugore, Aden (ish-kryeqyteti i vendit), për shkak të frikës në rritje të përleshjeve me forcat e mbështetura nga Arabia Saudite. Edhe një herë, popullsia mbetet e bllokuar në një konflikt 14-vjeçar, që deri tani ka lënë mbi 19 milionë jemenas, gjysmën e popullsisë, në nevojë urgjente për ndihmë. Një në dy fëmijë nën pesë vjeç në Jemen vuan nga kequshqyerja e rëndë dhe, mbi 4.5 milionë njerëz, janë zhvendosur nga konflikti.

Të krishterët e Gadishullit Arabik

"Jam në kontakt të vazhdueshëm me bashkësinë e krishterë të Jemenit - pohon Imzot Martinelli - e në veçanti, me priftërinjtë që ndodhen aktualisht në vend. Bashkësia e krishterë është numerikisht shumë e vogël. Nuk e dimë saktësisht se sa katolikë ka, sepse pas dhjetë vjetësh lufte civile, shumica janë larguar nga vendi, veçanërisht emigrantët, të cilët humbën vendet e punës". Për më tepër, vazhdon vikari apostolik, "ndryshe nga vendet e tjera të Gjirit, Jemeni ka edhe të krishterë vendas, katolikë jemenas, së bashku me besimtarë nga pjesë të ndryshme të botës. Shumë u detyruan të largoheshin për shkak të konfliktit dhe sulmeve që pësuan gjatë këtyre viteve të gjata lufte. Do të doja të theksoja, në veçanti, se në vitin 2016, në fillim të konfliktit të brendshëm, katër murgesha të Misionareve të Bamirësisë të Nënë Terezës së Kalkutësu vranë nga një grup ekstremist. Për më tepër, të katër kishat tona u dëmtuan rëndë dhe tani janë të papërdorshme".

Aktualisht, Imzot Martinelli na informon se "në Jemenin verior, kanë mbetur dy bashkësi të Misionareve të Bamirësisë. Pavarësisht sulmit të vitit 2016, vazhdojnë të punojnë në vend. Në dy shtëpitë e tyre mirëpresin më të varfrit e të varfërve: mbi njëqind njerëz në secilën shtëpi, veçanërisht të sëmurët dhe të moshuarit. Vërtetë kryejnë mrekulli bamirësie me mjetet e kufizuara në dispozicion. Ata kanë një meshtar me vete, i vetmi në Jemen, që i përket degës mashkullore të Misionareve të Bamirësisë. Unë jam në kontakt shumë të shpeshtë, ndonjëherë çdo ditë, me të. Ai më mban të informuar mbi jetën e të krishterëve, situatën e motrave rregulltare dhe kushtet e të sëmurëve për të cilët kujdesen. Kur është e mundur, mbajmë lidhje me murgeshat përmes videokonferencave, pavarësisht vështirësive në lidhje. Natyrisht, nuk është e mundur të kryhen aktivitete prozelitizuese. Megjithatë, një grup i vogël besimtarësh takohet rregullisht për t'u lutur dhe për të marrë pjesë në Meshën, kremtuar në kapelat e të dy bashkësive. Është grup i vogël, por shumë i bashkuar: duhen vërtet me njëri-tjetrin. Prania e motrave rregulltare dhe e priftit është dhuratë e madhe për të krishterët e paktë që mbeten.

11 janar 2026, 16:56