BE-Selia e Shenjtë: Boland, kryetar i KESE-s u prit nga Papë Leoni. Ndër tema: varfëria, demokracia dhe mbrojtja e më të brishtëve
«Bashkimi Evropian është një nga zonat më të pasura në botë, megjithatë 21% e popullsisë është në rrezik varfërie dhe përjashtimi nga shoqëria», tha kryetari Seamus Boland. «Ne i jemi mirënjohës Papë Leonit i cili përdori zërin e tij të fuqishëm për të përhapur një mesazh gjithpërfshirës dhe nevojën për të mbrojtur më të mënjanuarit. Bashkimi Evropian duhet të dëgjojë dhe ne të gjithë duhet të bëjmë më shumë.»
Më pas, kryetari i Komitetit Ekonomik dhe Shoqëror Evropian, Boland theksoi sfidat konkrete dhe «shenjat e plagëve emocionale me të cilat përballen brezat e rinj», të lëna nga izolimi që shkaktoi pandemia Covid-19 dhe presionet e mediave shoqërore.
Pas takimit me Papën, kryetari Seamus Boland deklaroi: «Mungesa e banesës dhe kriza e strehimit, kostoja e jetesës dhe krizat klimatike ndihen thellësisht sot dhe veçanërisht brezat e rinj u druhen.» Shqyrtimi i këtyre çështjeve, shqyrtimi i shëndetit mendor të të rinjve dhe promovimi i angazhimit të tyre qytetar janë thelbësore, dhe ne e mirëpresim me krahëhapur punën e Papës në këtë fushë."
Migrantët, «Dinjiteti, Mbështetja dhe të Drejtat»
Lidhur me temën e migrantëve dhe refugjatëve, kryetari i Komitetit Ekonomik dhe Shoqëror Evropian, Séamus Boland, deklaroi pas takimit të tij me Leonin XIV: «Ne pajtohemi plotësisht me thirrjen e Papë Leonit për mirësinë që duhet treguar kundrejt migrantëve dhe do të vazhdojmë të mbështesim politika të bashkërenduara dhe humane që mbështesin dinjitetin, gjithpërfshirjen dhe sundimin e ligjit.»
Rritja e inteligjencës artificiale ishte gjithashtu në qendër të diskutimit. Boland theksoi se kjo «nuk duhet të rëndojë në kurriz të të drejtave të punëtorëve». Ai u shpreh se bashkë me Papën Leonin XIV kanë «angazhimin që njerëzit, jo makinat, të kontrollojnë vendimet që ndikojnë në jetën e njerëzve dhe se inteligjenca artificiale shërben si një mjet për fuqizim dhe jo për mënjanim në shoqëri». Takimi «nënvizoi rolin themelor të organizatave të shoqërisë civile», thuhet më tej në deklaratën e Komitetit Ekonomik dhe Shoqëror Evropian, «në ndërtimin e urave brenda bashkësive dhe në luftën kundër paragjykimeve dhe diskriminimit, vlera të përbashkëta si për Komitetin Ekonomik dhe Shoqëror Evropian ashtu edhe për Selinë e Shenjtë». Sipas Boland, «organizatat fetare, organizatat bamirëse, grupet e komunitetit dhe partnerët socialë janë indi i shoqërive tona. Ato bashkojnë individët, bashkësitë dhe ndërtojnë ura». «Rruga para nesh është e qartë», përfundoi Seamus Boland. «Nëse Evropa zgjedh dhembshurinë, dinjitetin dhe gjithpërfshirjen, ne jo vetëm që do ta zvogëlojmë varfërinë, por do të ripërtërijmë shpresën, do të forcojmë demokracinë dhe do të ndërtojmë një Evropë më të drejtë dhe më të mirë për të gjithë.»