Kërko

Shën Sebastiani, martir Shën Sebastiani, martir

Me 20 janar kalendari kujton Shën Sebastianin, martir

Shën Sebastiani u martirizua nën perandorin Dioklecian për shkak se ka qenë me të krishterët e përndjekur dhe u varros në katakombet, që mbajnë emrin e tij. Sipas gojëdhënës qe kalorës dhe kishte miqësi me perandorin. Duke përfituar nga kjo miqësi, ndihmoi të krishterët e burgosur dhe të dënuar me vdekje. Përveç kësaj, u predikonte ushtarëve dhe të burgosurve, disa prej të cilëve u bënë të krishterë

R.SH. / Vatikan

Kush ia beson jetën e vet Zotit, nuk ka frikë të përballet me shtrëngatat e ekzistencës, stuhitë e shpirtit apo armiqësinë e botës. Dhe kjo nuk është vetëm guxim, por edhe siguria e qetë se zemra e Zotit është shumë më e madhe se çdo kufizim apo dobësi e jona. Pikërisht për këtë vetëdije të thellë na flet historia e Shën Sebastianit, martir i Krishtit gjatë persekutimit të Dioklecianit, ndoshta rreth vitit 304. Ai ishte një pretorian, rojë e perandorit, dhe pa pasur frikë të përballej me dhunën e persekutimit, shfrytëzonte pozitën e tij për t’u sjellë ngushëllim besimtarëve të burgosur dhe të destinuar për martirizim.

Sipas traditës, Sebastiani lindi në Milano rreth vitit 263 dhe kishte hyrë në rrethin më të ngushtë të ushtarëve pranë perandorit Dioklecian, i cili pas një periudhe tolerance, kishte nisur një persekutim të egër antikristian. Për shkak të asistencës që u jepte besimtarëve në burg, Sebastiani u denoncua dhe u dënua: u zhvesh dhe u shpua me shigjeta nga vetë shokët e tij. Ai doli i plagosur por i gjallë: u paraqit sërish para perandorit, i cili urdhëroi ta rrihnin me fshikull deri në vdekje. Trupi i tij u hodh në "Cloaca Maxima" (kanali kryesor i ujërave të zeza në Romë), që të mos mund të gjendej, por natën pasardhëse Sebastiani iu shfaq në ëndërr një matrone a zonje, duke i treguar vendin ku ndodhej kufoma e tij, e cila kështu pati mundësinë e një varrimi të denjë.

Lutje Shën Sebastianit

"O Shën Sebastian i lavdishëm, që me guxim dëshmove fenë para persekutuesve dhe nuk u tunde para shigjetave të vdekjes, ndërmjetëso për ne pranë Zotit. Na jep forcën të përballemi me vështirësitë e jetës me të njëjtin besim që tregove ti, dhe na mbro nga çdo e keqe e trupit dhe e shpirtit. Amen".

20 janar 2026, 12:01