Me 28 janar, kalendari kujton Shën Tomën e Akuinit
R.SH. - Vatikan
Me 28 janar kalendari kishtar përkujton Shën Tomën e Akuinit, meshtar dhe doktor i Kishës.
Zoti nuk qëndron te fjalët, e megjithatë kalon përmes fjalëve; Zoti nuk qëndron te mendimi, e megjithatë mund të mendohet; Zoti qëndron në një copë buke, e vetmja shenjë e aftë për t'i treguar botës fuqinë e Tij të vërtetë. Kjo mund të jetë përmbledhja e historisë njerëzore dhe shpirtërore të një prej shtyllave të mendimit të krishterë perëndimor, Shën Tomës së Akuinit. Autori i «Summa Theologiae» ia kushtoi të gjithë ekzistencën e tij ndërtimit të një mendimi mbi Zotin, derisa, përpara Eukaristisë në mëngjesin e 6 dhjetorit 1273 në Sanseverino, pati një vizion që ndryshoi gjithçka. Pas atij momenti, i cili nuk ishte përvoja e tij e vetme mistike, "doktori engjëllor" nuk shkroi më asgjë, duke e konsideruar "si kashtë" gjithë punën e kryer deri atëherë.
Autori i himneve eukaristike si «Pange lingua» ose «Adoro te devote», kishte lindur në vitin 1224 në Roccasecca (Frosinone); pasi hyri në mesin e domenikanëve në Montecassino, u formua pranë shkollave teologjike evropiane më të rëndësishme të kohës së tij, duke nisur një vepër gjigante sinteze mes trashëgimisë së Aristotelit dhe traditës së krishterë. Mes viteve 1248 dhe 1252 ishte nxënës i Shën Albertit të Madh në Këln. Në Paris filloi edhe angazhimin në mësimdhënie, të cilin nga viti 1259 e vazhdoi në Itali. Vdiq në Fossanova në vitin 1274. Shenjt që nga viti 1323, në vitin 1567 u shpall Doktor i Kishës.