Mediat Ndërkombëtare kërkojnë transparencë nga gjigantët e Inteligjencës Artificiale
R.SH. / Vatikan
Është koha që kompanitë kryesore të Inteligjencës Artificiale të angazhohen me median për çështjen e transparencës së burimeve dhe përdorimin e përmbajtjes së informacionit. Shoqatat më të mëdha të medias në botë po bëjnë thirrje me fushatën e titulluar "Faktet brenda, faktet jashtë"- “Nga faktet, në fakte”. Nisma mbështetet nga EBU, Unioni Evropian i Transmetimeve (ku Radio Vatikani është anëtare themeluese), Shoqata Botërore e Botuesve të Lajmeve (WAN-IFRA) dhe Federata Ndërkombëtare e Botuesve Periodikë (FIPP). Fushata u nxit veçanërisht nga raporti i BBC dhe EBU-së "Integriteti i Lajmeve në Asistentët e Inteligjencës Artificiale". Ky studim, i botuar në qershor 2025, vuri në pah se si mjetet e inteligjencës artificiale - pavarësisht nga gjeografia, gjuha ose platforma – synojnë të modifikojnë, dekontekstualizojnë ose shfrytëzojnë në mënyrë sistematike lajmet nga burime të besueshme, siç janë faqet e internetit të mediave.
Mjetet e IA nuk janë ende burim i besueshëm për lajmet
"Sado e fuqishme dhe premtuese që është," thekson Liz Corbin, Drejtoreshë e Lajmeve të EBU-së, "inteligjenca artificiale nuk është ende burim i besueshëm lajmesh dhe informacioni, por industria e inteligjencës artificiale nuk po e trajton këtë çështje si përparësi". Prej këndej, duhet ftesa për t'u bashkuar me fushatën "Faktet brenda, faktet jashtë", në mënyrë që çështja e transparencës së burimeve të përballohet urgjentisht. Besueshmëria e gazetarisë është në rrezik, thotë Vincent Peyregne, kreu i Shoqatës Botërore të Botuesve të Lajmeve. "Nëse mjetet e mundësuara nga inteligjenca artificiale asimilojnë faktet e publikuara nga burime autoritare gazetareske, atëherë ato duhet t’i kthejnë faktet pas publikimit. Por sot, ankohet Peyregne, "kjo nuk po ndodh".
Nismëtarët e fushatës theksojnë se njerëzit po përdorin gjithnjë e më shumë platformat e inteligjencës artificiale si kanal për të hyrë në sistem. E kur këto mjete ndryshojnë, e modifikojnë ose edhe e falsifikojnë informacionin, rezultati është erozion serioz i besimit në median masive, element themelor për funksionimin e duhur të një sistemi demokratik. Kjo është arsyeja pse, përsërisin ata, çështja duhet të përballohet urgjentisht, veçanërisht duke pasur parasysh se përdorimi i IA-së për të marrë informacion do të rritet vetëm në vitet e ardhshme, veçanërisht ndërmjet brezave të rinj.
Pesë parime për transparencën e informacionit të IA-së
Fushata "Faktet brenda, faktet jashtë" është pjesë e inisiativës më të gjerë Integriteti i Lajmeve në Epokën e IA-së, e cila përcakton pesë parime themelore drejtuar gjigantëve të saj: 1) "Asnjë pëlqim, asnjë përmbajtje". Përmbajtja gazetareske mund të përdoret në sistemet e IA-së vetëm me lejen e botuesit origjinal. 2) "Njohje e drejtë". Vlera e gazetarisë së besueshme duhet të njihet kur përmbajtja përdoret nga të tjerët. 3) "Saktësi, autorësi dhe prejardhje". Burimi origjinal i çdo përmbajtjeje të krijuar nga IA duhet të jetë qartë i dukshëm dhe i verifikueshëm. 4) "Shumëllojshmëria dhe diversiteti".
Sistemet e IA-së duhet të pasqyrojnë diversitetin e ekosistemit global të informacionit. 5) "Transparenca dhe dialogu". Kompanitë e teknologjisë duhet të bashkëpunojnë me organizatat mediatike për të zhvilluar standarte të përbashkëta sigurie, saktësie dhe transparence. Duke u nisur nga këto parime, qëllimi është të punohet së bashku për informacion të vërtetë dhe të besueshëm. Për Liz Corbin e EBU-së, "nuk ka të bëjë me fajësimin, por me angazhimin në dialog konstruktiv. Publiku ka të drejtë të ketë saktësi në gazetarinë cilësore dhe të besueshme, pavarësisht nga teknologjia e përdorur".