Kërko

Raporti Open doors 2026 Raporti Open doors 2026

Në botë, 1 në 7 të krishterë diskriminohet dhe persekutohet

Sipas të dhënave të raportit të vitit 2026 nga "World Watch List" e "Open Doors", persekutimi kundër të krishterëve është më i ashpër në Korenë e Veriut, ndjekur nga Somalia, Jemeni dhe Sudani. Në Nigeri shënohet rekordi i vrasjeve.

R.SH. / Vatikan

Në botë, një në 7 të krishterë përjeton një nivel të lartë persekutimi dhe diskriminimi për shkak të fesë së vet. Kjo do të thotë se të krishterët e persekutuar janë mbi 388 milionë.

Kjo e dhënë përmbahet në World Watch List, raporti vjetor mbi persekutimin e të krishterëve në botë i publikuar nga Open Doors, organizata e cila që nga viti 1955 angazhohet në kërkime në terren mbi shkaqet dhe zgjidhjet e persekutimit, duke ofruar mbështetje materiale, ndihma emergjente, literaturë, formim dhe asistencë për të krishterët që vuajnë për shkak të fesë së tyre.

Raportin e vitit 2026 të prezantuar sot, regjistrohet “niveli më i lartë i persekutimit që nga fillimi i publikimit të World Watch List, duke konfirmuar rritjen e vazhdueshme të viteve të fundit”. Që nga edicioni i vitit 2021, në hartën e 50 vendeve të para gjenden vetëm kombe me nivel shumë të lartë dhe ekstrem persekutimi dhe diskriminimi, duke u zhdukur kështu niveli "i lartë".

Një në çdo 7 të krishterë preket nga ky fenomen. Duke i ndarë në makro-zona gjeografike, shifrat janë: 1 në çdo 5 të krishterë në Afrikë; 2 në çdo 5 të krishterë në Azi dhe 1 në çdo 12 në Amerikën Latine. Nga këta mbi 388 milionë njerëz, plot 201 milionë janë gra ose vajza (të miturit nën 15 vjeç vlerësohen të jenë rreth 110 milionë).

Vendet që shfaqin një nivel persekutimi dhe diskriminimi të cilësuar si ekstrem rriten nga 13 në 15. Korea e Veriut mbetet e palëkundur në vendin e parë mes vendeve më armiqësore ndaj të krishterëve. Toleranca zero e regjimit i detyron të krishterët ta jetojnë fenë në fshehtësi, duke ushqyer fenomenin e Kishës "underground" ose të fshehur. “Prova të shumta dëshmojnë se si në marrjet në pyetje brutale të të arratisurve veri-koreanë, të riatdhesuar nga Kina, pyetet shprehimisht nëse i arratisuri ka rënë në kontakt me të krishterë ose Kisha në tokën kineze, duke konfirmuar paranojën diktatoriale të regjimit kundër komunitetit të krishterë”, lexohet në Raport. Llogaritet se numri i të krishterëve të mbyllur në kampet e punës së detyruar është midis 50 dhe 70 mijë.

Pas Koresë së Veriut, vendet ku të krishterët persekutohen më shumë janë sipas radhës: Somalia, Jemeni dhe Sudani. “Këtu burimet e persekutimit”, shpjegon Raporti, “janë të lidhura me një shoqëri islame fisnore, me ekstremizmin aktiv dhe me instabilitetin endemik të këtyre vendeve: feja e krishterë duhet jetuar në fshehtësi dhe, nëse zbulohen, të krishterët (sidomos nëse janë ish-myslimanë) rrezikojnë edhe vdekjen. Veçanërisht në Sudan, lufta civile ka fragmentuar autoritetin shtetëror, duke krijuar hapësirë për grupet e armatosura dhe zona ku pandëshkueshmëria është normë. Kishat janë pushtuar ose shkatërruar, udhëheqësit e krishterë janë kërcënuar ose zhvendosur dhe familje të tëra të krishtera janë detyruar të arratisen vazhdimisht”.

Eritrea e barazon pavarësinë fetare me mospajtimin politik dhe World Watch List e përkufizon atë si “Korea e Veriut e Afrikës”. Shqetësuese është situata në Siri, ku numërohen 27 të krishterë të vrarë brenda një viti dhe ku pushteti politik i fragmentuar dhe çrregullimi shoqëror “u lënë hapësirë aktorëve radikalë që vënë në shënjestër të krishterët”.

Nigeria, e bombarduar nga Trump gjatë ditëve të Krishtlindjes me qëllim ndëshkimin e persekutuesve të të krishterëve, mbetet e palëkundur në vendin e 7-të të renditjes, por mban rekordin e trishtë si vendi ku vriten më shumë të krishterë në botë (3.490 gjatë vitit të kaluar). Sipas të dhënave konservatore, nga viti 2020 e deri më sot, viktimat janë mbi 25.200.

Duke parë të dhënat globale, në krahasim me vitin 2025, në vitin 2026: numri i të krishterëve të vrarë është rritur nga 4.476 raste në 4.849; numri i Kishave ose pronave publike të krishtera të sulmuara me shkallë të ndryshme rëndësie është ulur nga 7.679 raste në 3.632; numri i të krishterëve të ndaluar dhe/ose të dënuar për shkak të fesë së tyre ka mbetur pothuajse i pandryshuar, nga 4.744 raste në 4.712; numri i të krishterëve të rrëmbyer ka rënë nga 3.775 në 3.302.

Përballë këtyre të dhënave, Cristian Nani, president i Open Doors, konstaton se “Kisha e fshehur është ndoshta ajo me rritjen më të madhe në botë”.

Për Nanin “është vendimtare, madje jetike t'i kthehemi përsëri diskutimit mbi lirinë fetare në debatin publik”, prandaj “ Open Doors i kërkon qeverive të promovojnë: lirinë fetare si një prioritet diplomatik, duke e integruar atë në negociatat tregtare; edukimin fetar të zyrtarëve të qeverive në nivele të ndryshme; bashkëpunimin me aktorët fetarë lokalë, sidomos në zona të ndjeshme si Sahel, për të garantuar paanësi në shpërndarjen e ndihmave, duke parandaluar diskriminimin”. Duke folur për lirinë fetare, sipas organizatës Open doors, në botë janë 388 milionë të krishterë të persekutuar.

14 janar 2026, 11:58