Kërko

Convegno sull'agape all'Istituto Universitario Sophia di Loppiano

Nga doktrina «Monroe» te doktrina «Donroe» – Kthimi i sferave të ndikimit

Këtu flitet për historinë e parimit të shpallur në vitin 1823 nga Presidenti i SHBA-së James Monroe, dhe transformimet e tij të mëvonshme, deri në ditët e sotme. Me tipare fillimisht mbrojtëse, kjo doktrinë sot interpretohet në bazë të fuqisë ushtarake. Krahasimi ndërmjet doktrinës «Monroe» dhe «Donroe» - që është bashkim i emrit «Donald» me «Monroe» - na tregon se po kthehet logjika e sferave të ndikimit.

R.SH. / Vatikan

Krahasimi midis Monroe dhe Donroe ndihmon për të kuptuar rikthimin e logjikës së sferave të ndikimit dhe dilemën që hapet sot për Europën në një rend ndërkombëtar gjithnjë e më të shënjuar nga primati i forcës

Çfarë kemi sot parasysh kur flasim për «Doktrinën Monroe» dhe mbi të gjitha, për «Doktrinën Donroe»?

Kur James Monroe foli për një parim që do të hynte në histori në fjalimin e tij drejtuar Kongresit Amerikan, në dhjetor 1823, Shtetet e Bashkuara ishin një shtet i ri, bujqësor, me qytete ende në zgjerim dhe ndërlidhje të ngadaltë. Lajmet udhëtonin me anije me vela dhe karroca postare, kryeqytetet evropiane ishin larg disa javë udhëtimi nëpër oqean dhe politika ndërkombëtare lëvizte sipas ritmit të flotave dhe kancelarive. Bota sundohej nga perandoritë koloniale dhe monarkitë. Nuk ekzistonte asnjë rend ndërkombëtar i bazuar në rregulla të përbashkëta. Në këto rrethana lindi «doktrina Monroe», e menduar si një deklaratë hartuar për ta mbajtur Evropën larg dy Amerikave, Veriore dhe Jugore, dhe për t’i dhënë siguri SHBA-ës, që asokohe ishin një fuqi ende periferike në ekuilibrat botërorë. Ky lloj parimi thoshte se nuk do t’i lëshohej pe kolonizimeve të reja evropiane në Amerikë, ndërsa Uashingtoni nga ana e vet, premtonte të mos ndërhynte në punët e kontinentit evropian.

Çfarë rëndësie kishte në të vërtetë forca e Shteteve të Bashkuara në vitin 1823?

Në atë kohë, fuqia ushtarake amerikane ishte e kufizuar. Doktrina Monroe nuk mbështetej te një kapacitet i vërtetë i një fuqie detare, por mbështetej kryesisht në një ekuilibër të dobishëm interesash. Mbështetej, në veçanti, te fuqia detare britanike. Anglia, fuqia kryesore detare e kohës, kishte interes për parandalimin e kthimit të fuqive të vjetra koloniale në Amerikën Latine, për të mbrojtur tregtinë e saj. Më shumë se një veprim i mbështetur tek forca, doktrina «Monroe» ishte pra një bast politik, që u bë i besueshëm nga gjendja ndërkombëtare dhe interesi i Britanisë për të mbajtur të hapura tregjet në kontinentin amerikan.

Ku ka ndryshuar «Doktrina Monroe» me kalimin e kohës?

Me kalimin e dhjetëvjeçarëve dhe rritjen ekonomike dhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara, doktrina u shndërrua. Nga një parim mbrojtës, ajo dalëngadalë u shndërrua në një vegël hegjemonie, veçanërisht duke filluar me shtesat e presidentit Roosevelt të vitit 1904. Ky president e përligji ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Uashingtonit në punët e brendshme të Amerikës Latine. Gjatë Luftës së Ftohtë, doktrina «Monroe» u bë gur themeli i strategjisë për të kontrolluar Bashkimin Sovjetik. Kuptimi i saj i përshtat rrethanave historike, duke e ruajtur të paprekur këtë zone ndikimi në kontinentin amerikan.

Pse flasim për frakturë kohore sot?

Dallimi thelbësor i «Doktrinës Monroe» me debatin rreth së ashtuquajturës doktrinë «Donroe» është historik dhe strukturor. E para pati lindur në një botë pa institucione shumëpalëshe dhe rregulla të përbashkëta, ndërsa doktrina «Donroe» po konfirmohet brenda një rendi ndërkombëtar të ndërtuar pas vitit 1945, përfshirë edhe vetë Shtetet e Bashkuara. Ky tranzicion shënon një përçarje të thellë. Ajo deklaratë që në shekullin e nëntëmbëdhjetë u pat shfaqur si shpallje e një autonomie rajonale, sot merr kuptimin e vënies në diskutim të sistemit shumëpalësh.

Çfarë nënkuptohet me doktrinën «Donroe»?

Doktrina «Donroe» nuk është një doktrinë e zyrtarizuar. Është një përkufizim gazetarësh dhe analistësh, që përdoret për të përshkruar praktikat e administratës së Trump-it në këtë mandat të dytë. Është një interpretim i parimit «Monroe», bazuar tek fuqia dhe personi. Dhe këtë e kemi parë te veprimet konkrete: nga ndërhyrja në Venezuelë dhe presioni mbi Groenlandën, te sekuestrimi i anijeve naftëmbajtëse ruse në Atlantik. Në këtë version të ri të «Monroe»-s, hemisfera perëndimore paraqitet si një sferë ku ushtrojnë ndikim vetëm SHBA-ës, të cilat nuk mund të cënohen nga fuqitë kundërshtare si Kina dhe Rusia.

Pse po kthehet forca në qendër të politikës ndërkombëtare?

Ky vizion del qartë në një deklaratë të këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller: «Ne jetojmë në një botë reale që qeveriset nga forca, nga pushteti». Kjo deklaratë shfaq haptas largimin nga retorika shumëpalëshe e dhjetëvjeçarëve të fundit. Sipas Institutit të Studimeve për Politikën Ndërkombëtare (ISPI), me qendër në Romë, doktrina «Donroe» përfaqëson një qasje sistemike dhe neo-imperialiste e cila synon të parandalojë fuqitë kundërshtare të hyjnë në zona që mbahen si jetësore për sigurinë amerikane, madje, po qe nevoja, edhe duke shkelur normat, aleancat dhe zakonet e njohura.

Cilat janë pasojat nëpër botë?

Kthimi në logjikën e sferave të ndikimit nuk kufizohet vetëm në Amerikë. Kur edhe Uashingtoni pohon hapur të drejtën për të thyer rregullat, atëherë ndjehen të autorizuar për sjellje të ngjashme edhe Moska e Pekini. Rreziku është gërryerja e rendit ndërkombëtar bazuar te rregullat e përbashkëta.

Çfarë pikëpyetjeje ngre kjo gjë për Evropën?

Për Evropën, ky skenar përfaqëson një pikë kthese kritike. Vendet evropiane janë në udhëkryq: ose të përshtaten me hegjemoninë amerikane për të ruajtur aleancën transatlantike, ose të përpiqen për një rrugë të pavarur, me kosto të larta politike dhe strategjike. Siç vëren historiani Mario Del Pero, ne sot jemi përballë «skemash neo-imperialiste në mënyrë të dukshme».

Çfarë na tregon krahasimi midis dy doktrinave «Monroe» dhe «Donroe»?

Krahasimi midis doktrinës «Monroe» dhe «doktrinës Donroe» tregon historinë e kalimit nga një Amerikë që kërkonte të rrinte në punë të vet, në një fuqi që mëton se ka të drejtë të vendosë se kush mund të jetë fqinj i saj. Në një botë ku të gjithë janë të lidhur me njëri-tjetrin, ky kapërcim shënon kthimin e mundshëm në një rend ndërkombëtar të bazuar më shumë te forca sesa te rregullat. Një mesazh ky, që, siç nënvizojnë analistët, Moska dhe Pekini po e prisnin, e që sot vetë Perëndimi po e nxjerr në pah.

13 janar 2026, 10:02