Kërko

Një automjet policie nga Operacioni Fushin Kada i parkuar në rrugën Yakowa, Kaduna, Nigeri. Një automjet policie nga Operacioni Fushin Kada i parkuar në rrugën Yakowa, Kaduna, Nigeri.

Nigeri, mbi 160 besimtarë të rrëmbyer gjatë sulmit në dy Kisha në veri

Sulmi ndodhi në shtetin Kaduna, një nga zonat më të paqëndrueshme të Nigerisë. Sipas dëshmive, sulmuesit mbërritën në numër të madh, rrethuan ndërtesat e Kishave dhe bllokuan rrugët e hyrjes, duke i detyruar besimtarët të dilnin me forcë dhe t’i dërgonin drejt pyjeve. Sipas "Open Doors", në këtë shtet afrikan janë vrarë 3,490 persona për motive fetare gjatë vitit 2025.

R.SH. - Vatikan

Mbi 160 besimtarë të krishterë u rrëmbyen gjatë një sulmi të kryer të dielën më 18 janar nga banda të armatosura kundër dy Kishave në një fshat të izoluar të shtetit Kaduna, në veri të Nigerisë. Lajmin e bënë të ditur një përfaqësues i klerit të krishterë vendas dhe një raport sigurie i Kombeve të Bashkuara i konsultuar nga agjencia franceze e lajmeve AFP.

Momenti i sulmit

Sipas dëshmive të mbledhura, sulmuesit mbërritën në numër të madh, rrethuan ndërtesat e Kishave dhe bllokuan rrugët e hyrjes, duke i detyruar besimtarët të dilnin me forcë dhe t’i dërgonin drejt pyjeve. Aksioni ndodhi gjatë kremtimeve fetare dhe deri më tani nuk ka pasur pretendime zyrtare për përgjegjësinë apo kërkesa për shpërblim. Sulmi ndodhi në shtetin Kaduna, një nga zonat më të paqëndrueshme të veri-qendrës së Nigerisë, e cila prej vitesh është skenë e dhunës së armatosur, rrëmbimeve masive dhe inkursioneve kundër komuniteteve civile dhe fetare.

Rëndësia qendrore e rajonit të Kadunës

Ky rajon konsiderohet strategjik sepse ndodhet përgjatë një brezi tranzicioni midis veriut me shumicë myslimane dhe jugut kryesisht të krishterë. Ai goditet shpesh nga grupe kriminale dhe milici të armatosura që operojnë duke përfituar nga prania e dobët e shtetit në zonat rurale. Një tjetër ngjarje kronike e orëve të fundit dëshmon brishtësinë e kësaj zone. Gjatë mëngjesit u konfirmua lirimi i Atë Bobbo Paschal, famullitar i Kishës së Shën Shtjefnit në zonën e qeverisjes vendore të Kagarko-s, i rrëmbyer natën e 17 nëntorit të kaluar në rezidencën famullitare. Meshtari u lirua më 17 janar, pas dy muajsh robërie, siç njoftoi kryedioqeza e Kadunës. Gjatë sulmit, banditët kishin vrarë vëllain e rpfitit.

Në Nigeri gjatë vitit 2025 janë 3,490 viktima për motive fetare

Rrëmbimet dhe sulmet kundër komuniteteve fetare dhe të krishtera përfshihen kështu në një kuadër më të gjerë pasigurie që përshkon vendin. Sipas raportit të fundit të "Open Doors", Nigeria konfirmohet si epiqendra botërore e dhunës kundër të krishterëve: në vitin 2025 janë vrarë 3.490 persona për motive të lidhura me fenë, baras me rreth 70 për qind të totalit global. Vendi bën pjesë në mesin e atyre me nivel “ekstrem” persekutimi, së bashku me shtete të tjera të shënuara nga konfliktet, instabiliteti politik dhe prania e grupeve xhihadiste. Gjatë muajve të fundit janë shumëfishuar rrëmbimet e priftërinjve, besimtarëve dhe studentëve, siç ishte sulmi në një shkollë katolike në shtetin e Nigerit me mbi 300 nxënës dhe mësues të rrëmbyer në nëntorin e kaluar, ose sulmet kundër Kishave dhe komuniteteve të krishtera në shtetet Kebbi, Kwara dhe Ekiti. Një dhunë që godet veçanërisht gratë dhe të miturit, siç është vënë në dukje edhe nga raporti i "Open Doors".

20 janar 2026, 11:17